E Lumja Carmen Rendiles Martínez E Lumja Carmen Rendiles Martínez 

Në Karakas, lumnohet Carmen Rendiles Martínez

Një e Lume e re iu shtua aradheve të Shenjtorëve dhe të të Lumëve të Kishës katolike: Carmen Rendiles Martinez, themeluese e Motrave Shërbëtore të Jezusit,

R. SH. - Vatikan

Në Karakas të Venezuelës, u lumnua Carmen Rendiles Martinez, themeluese e Motrave Shërbëtore të Jezusit, vdekur më 1977. Përfaqësues i Atit të Shenjtë në kremtim, kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

E Lumja Carmen Rendiles Martínez hyri më 1927 në Kongregatën franceze  të Shërbëtoreve të Jezusit të të Shenjtnueshmit Sakrament. U dallua menjëherë për mprehtësinë e jashtëzakonshme, për mirësinë, maturinë e urtinë. Në vitet ’50 udhëhoqi  procesin e rithemelimit të Kongregatës së saj, derisa, më 1965, Selia e Shenjtë e miratoi fondacionin e ri venezuelan, duke e quajtur “Shërbëtoret e Jezusit”. E zgjedhur eprore e përgjithshme, ngjalli një frymë të re rregulltare ndërmjet simotrave. Falë saj, Kongregata vijoi të rritet e të konsolidohet në Venezuelë e edhe në Kolumbi.

Ndërroi jetë më 9 maj 1977. Më 21 dhjetor 2017, Papa Françesku  njohu mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Nënës Carmen. Ngjarja ndodhi në Karakas, më 18 korrik 2003. Një mjek venezuelan, me dëmtime të rënda të krahut të djathtë, u shërua menjëherë, në mënyrë krejt të pashpjegueshme e pa asnjë ndëhyrje mjekësore, pasi i kish kërkuar Shërbëtores së Krishtit, tani pranë Zotit, të ndërmjetësonte për t’ia kthyer shëndetin e edhe profesionin e humbur. E  Krishti nuk mund të mos ia dëgjonte zërin “shërbëtores së vet”, që pati shkrirë gjithë jetën për Të.  

17 qershor 2018, 11:56