Françesku lutet për viktimat e "sulmit të poshtër terrorist" në Moskë
R. SH. - Vatikan
Papa u lut për viktimat e “sulmit e poshtër terrorist” në Moskë. Në fund të festës për të Dielën e Palmave, Françesku shprehu dhimbjen e tij për atë që ndodhi në Rusi dy ditë më parë dhe i kërkoi Zotit t'i mirëpresë viktimat, t’i ngushëllojë familjet e tyre dhe të kthejë "zemrat e atyre, që planifikojnë, organizojnë dhe zbatojnë veprime të tilla çnjerëzore, fyerse për Zotin e urdhërin e Tij: "Mos vra!".
Lutja për Ukrainën, Gazën dhe të gjitha vendet në luftë
Françesku, duke kujtuar se në këtë të Dielë të Larit "Jezusi hyri në Jerusalem si Mbret i përulur dhe paqësor", u kërkoi besimtarëve t'ia hapin zemrat, sepse vetëm Ai "mund të na çlirojë nga armiqësia, urrejtja, dhuna. Ai, që është mëshirë, mund të na i falë mëkatet”.
Në vijim Papa kërkoi lutje për ata që vuajnë nga lufta, duke kujtuar Ukrainën e "martirizuar", "ku njerëzit janë pa energji elektrike për shkak të sulmeve intensive kundër strukturave, të cilat përveçse shkaktojnë vdekje dhe vuajtje, krijojnë rrezikun e një katastrofe humanitare edhe më të madhe”. Vështrimi i Françeskut u përqendrua tek Gaza, e cila vuan kaq shumë" dhe tek "vende të tjera, ku lufta nuk di të pushojë".
Viktimat në Kolumbi
Mendimi i Papës shkoi edhe në Kolumbi, në bashkësinë e Paqes të San José de Apartadò, ku ditët e fundit u vranë një grua dhe një djalë, gruaja dhe vëllai i njërit prej drejtuesve të bashkësisë i cili, kujtoi Françesku, "në vitin 2018, u vlerësua si shembull i përkushtimit ndaj ekonomisë solidare, paqes dhe të drejtave të njeriut”.