Françesku: gazetarët nuk duhet të jenë llogaritarë të historisë, jo lajmeve të rreme
R. SH. - Vatikan
“Fletore”, “stilolaps”, por mbi të gjitha “sy, që dinë ku shikojnë”, nëse duam të jemi gazetarë të vërtetë, jo "kontabilistë të historisë", por njerëz, "duan t’i jetojnë kthesat e saj me pjesëmarrje". Ata që “i hollojnë shojet e këpucëve”, që favorizojnë dialogun dhe jo lajmet e rreme apo, më keq, “retorikën luftarake”, duke përdorur fjalët e duhura për të “zbërthyer hijet e një bote të mbyllur dhe të ndarë”. Papa Françesku kujton përsëri cilat duhet të jenë karakteristikat e gazetarisë 'së mirë', me rastin e audiencës së sotme, më 24 qershor, me një delegacion të Çmimit Ndërkombëtar për Gazetari dhe Informacion, me emrin e Biagio Agnes, gazetarit, protagonistit të njohur italian të RAI-t, të cilin Papa e kujton si "mbrojtës të shërbimit të saj publik, të aftë për të ndërhyrë me mençuri dhe vendosmëri për të garantuar informacion të vërtetë dhe të saktë".
Françesku ia dorëzoi fjalimin e përgatitur bijës së Biagio Agnes, Simonës dhe kryetarit të Fondacionit që organizon çmimin, Gianni Lett-ës. Të pranishëm në sallë, edhe drejtuesit e lartë të Rait, që e mbështesin nismën si dhe ato të Konfindustrisë. Sipas Papës, ky bashkëpunim është pozitiv: “Vetëm së bashku, secili me specifikat dhe veçoritë e veta, mund të krijojë një horizont shprese”.
Të shkohet ku nuk shkon askush
“Vizatimi i një horizonti shprese” është “puna e përditshme e gazetarit, i thirrur “për ta konsumuar tabanin e këpucëve” ose për të udhëtuar nëpër rrugët dixhitale, duke dëgjuar gjithmonë njerëzit që takon”, pohon Papa në tekstin e shkruar.
Gazetaria, si një rrëfim i realitetit, kërkon aftësinë për të shkuar atje, ku nuk shkon askush: është lëvizje dhe dëshirë për të parë. Kureshtje, çiltërsi, pasion!
Në këtë drejtim, Papa mendon për reporterët e luftës: “Rrëfimi i tragjedisë dhe absurditetit të konflikteve i bën të gjithë të ndihen pjesë e së njëjtës vuajtje”, nënvizoi. E në vijim theksoi tre "elemente" të punës gazetareske, të cilat "ndoshta përdoren gjithnjë e më pak, por që kanë ende shumë për të mësuar: fletoren, stilolapsin dhe vështrimin".
Fletorja a blloku i shënimeve
Fletorja, sepse "përshkrimi i një fakti kërkon gjithmonë punë të madhe". Fletorja na kujton rëndësinë e të dëgjuarit, por mbi të gjitha, na nxit ta jetojmë atë, që po ndodh. Gazetari nuk është kurrë llogaritar i historisë, por njeri që ka vendosur t'i përjetojë implikimet e saj me pjesëmarrje, me dhembshuri.
Pena
Pena, mjet që përdoret gjithnjë e më pak, duke i lëshuar vendin smartphonave e tabletëve që, megjithatë, vëren Papa Françesku, "ndihmon në përpunimin e mendimit dhe inkurajon kujtimet, duke lidhur kokën me duart e kujtesën me të tashmen". “Stilolapsi ngjall mjeshtërinë e gjithmonshme të gazetarit: ai e merr stilolapsin në dorë pasi verifikon detajet, shqyrton hipotezat, rindërton dhe kontrollon çdo hap” – vërejti Ati i Shenjtë.
Kështu, inteligjenca dhe ndërgjegjja veprojnë së bashku dhe prekin "kordat ekzistenciale".
Pra, stilolapsi na kujton "aktin krijues" të gazetarëve dhe të punonjësve të medias, akt që kërkon ndërthurjen e kërkimit të së vërtetës me drejtësinë dhe respektin për njerëzit, veçanërisht me respektimin e etikës profesionale.
Vështrimi
Vështrimi, së fundi, ai që është shpirti i fletores dhe stilolapsit, të cilët përndryshe mbeten thjesht "mjete" të zakonshme. “Vështrim real, jo thjesht virtual” - kërkon Papa: “Sot, më shumë se në të kaluarën – thekson – njeriu mund të shpërqendrohet nga fjalët, figurat dhe mesazhet, që ndotin jetën.
Le të mendojmë, për shembull, për fenomenin e trishtuar të lajmeve të rreme, retorikës luftarake apo çdo gjëje që manipulon të vërtetën. Ne kemi nevojë për një vështrim të kujdesshëm të asaj që po ndodh, për të çarmatosur gjuhën dhe për të armatosur dialogun.
Holloni hijet e një bote të mbyllur dhe të ndarë
Ky vështrim “duhet të orientohet nga zemra”, sepse prej andej – thotë Papa, duke cituar Mesazhin për Komunikimet Sociale – “dalin fjalët e duhura për të larguar hijet e një bote të mbyllur dhe të ndarë dhe për të ndërtuar një qytetërim më të mirë se ai që morëm ne".
“Është përpjekje që e kërkon secili prej nesh, por që kujton veçanërisht ndjenjën e përgjegjësisë së punonjësve të komunikimit, në mënyrë që ta kryejnë profesionin si mision”.
Me këtë porosi e përfundoi fjalën e tij Ipeshkvi i Romës. Prej këndej, në rreshtat e fundit të fjalimit të përgatitur, jehoi nxitja për të promovuar “nismat kulturore për mbështetjen e informacionit të saktë, duke i edukuar e duke i formuar breznitë e reja”.