Françesku: dinjiteti njerëzor nuk mund të matet me një algoritëm

Duke folur me ekspertë të botës së teknologjisë, zyrtarë të Kuries, teologë dhe moralistë, që takohen çdo vit për Dialogët Minerva, organizuar nga Dikasteri për Kulturë dhe Arsim, Papa kujtoi se përparimi teknik duhet të jetë fryt i zgjedhjeve etike dhe të përgjegjshme. Vlera e njeriut nuk mund të varet nga një sërë të dhënash të mbledhura shpesh fshehtësisht, kujtoi Papa, sepse ata mund të "jenë të njollosura nga paragjykimet ".

R.SH. - Vatikan

Jam i bindur se dialogu i besimtarëve me jobesimtarët për çështjet themelore të etikës, shkencës dhe artit, si dhe për kërkimin e kuptimit të jetës, është  rrugë që të çon në sigurimin e paqes dhe të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor.

Papa Françesku e nënvizoi këtë në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve në “Dialogët Minerva”, nismë e Dikasterit për Kulturë dhe Arsim, e cila çdo vit organizon mbledhje me pjesëmarrjen e shkencëtarëve, inxhinierëve, drejtuesve të biznesit, juristëve, filozofëve dhe përfaqësuesve të Kishës, për “ndërgjegjësimin më të madh lidhur me ndikimin social dhe kulturor të teknologjive dixhitale e, në veçanti, të inteligjencës artificiale", përmes "një diskutimi serioz mbi përdorimin e teknologjive, pa përjashtuar as vlerat fetare".

Papa me pjesëmarrësit në Dialogët e Minervës
Papa me pjesëmarrësit në Dialogët e Minervës

Teknologjia duhet të përqendrohet te njeriu dhe të synojë të mirën

Duke pranuar se "teknologjia është ndihmë e madhe për njerëzimin", Françesku - siç shkruhet në Fratelli tutti - rikujtoi se “arritjet e shkencës dhe të teknologjisë", janë provë e krijimtarisë së njeriut si dhe të  dëshirës së tij për të marrë pjesë me përgjegjësi në veprimtarinë krijuese të Zotit". E më pas shtoi se në këtë këndvështrim "zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe i përdorimit të makinerive" mund të ofrojë "një kontribut të dobishëm për të ardhmen e njerëzimit" – e se nuk duhet të hidhet poshtë - me kusht që të veprojë "me etikë dhe përgjegjësi". Papa shprehu vlerësimin e tij edhe për ata që përpiqen ta përqendrojnë teknologjinë tek njeriu, që "të synojë të mirën, transparencën, sigurinë, drejtësinë”. Në vijim Papa theksoi se i mirëpret "përpjekjet e organizatave ndërkombëtare për t’i vënë këto teknologji në shërbim të ndërtimit të një bote më të mirë dhe të një cilësie më të lartë të jetës".

Kemi nevojë për një dialog gjithëpërfshirës - vijoi - që synon promovimin e dinjitetit njerëzor:

“Vetëm një dialog gjithëpërfshirës, ​​në të cilin njerëzit kërkojnë të vërtetën së bashku, mund të sjellë konsensus të vërtetë; dhe kjo mund të ndodhë  po të kemi bindjen e përbashkët se 'në vetë realitetin e njerëzve dhe të shoqërisë ekzistojnë një sërë strukturash bazë, që mbështesin zhvillimin dhe mbijetesën e tyre'. Vlera themelore që duhet të njohim dhe të promovojmë është ajo e dinjitetit të njeriut”.

Françesku në Sallën Koncistorit
Françesku në Sallën Koncistorit

Teknologjitë dixhitale dhe pabarazitë

Në vijim Papa ftoi që "dinjiteti i paprekshëm i çdo burri dhe i çdo gruaje të jetë kriteri kryesor në vlerësimin e teknologjive në zhvillim, që janë të vlefshme nga pikëpamja etike vetëm nëse "ndihmojnë për ta mbrojtur këtë dinjitet në të gjitha nivelet e jetës njerëzore”:

“Nuk mund të lejojmë që algoritmet ta kufizojnë ose ta kushtëzojnë respektin për dinjitetin njerëzor, as të përjashtojnë dhembshurinë, mëshirën, faljen dhe mbi të gjitha, shpresën për ndryshimin e njeriut”.

Papa me pjesëmarrësit në Dialogët e Minervës
Papa me pjesëmarrësit në Dialogët e Minervës

Dialogu gjithëpërfshirës na fton ta shikojmë  diversitetin si pasuri 

Bindja e Françeskut është se "vetëm format vërtet gjithëpërfshirëse të dialogut mund të bëjnë të mundur të dallohet urtisht “mënyra e vënies së inteligjencës artificiale dhe të teknologjive dixhitale në shërbim të familjes njerëzore". Papa kujtoi "historinë biblike të Kullës së Babelit", e cila "shpesh përdoret për të paralajmëruar se ambiciet të tepruara të shkencës dhe teknologjisë", mund të çojnë në "padrejtësi të rënda sociale". Në atë histori, burrat ishin më të shqetësuar për ndërtimin e tullave, sesa për atë që mund t'i ndodhte çdo punëtori. E atëherë  gjuhët e ndryshme, për shkak të ndërhyrjes së Zotit - kujtoi Françesku - duhet të shikohen si "mundësi e re", sepse na ftojnë "ta shikojmë dallimin dhe larminë si  pasuri, mbasi uniformiteti nuk na lë të rritemi". Larmia, përkundrazi:

"Kjo kërkon që ne të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të rizbulojmë përvujtërisht kuptimin dhe shtrirjen e vërtetë të dinjitetit tonë njerëzor", sepse ndryshimet nxisin krijimtarinë”  - përfundoi Papa.

27 mars 2023, 13:57