Papa priti presidentin e Nigerit: arsimi dhe migrantët, në qendër të takimit
R. SH. - Vatikan
Situata shoqërore dhe ekonomike e Nigerit, me vëmendje të veçantë për temën e arsimit, si dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit afrikan, ishin disa nga temat e takimit të sotëm të Papës në Pallatin Apostolik, me Presidentin e Republikës së Nigerit, Mohamed Bazoum, i cili më pas - siç njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë – u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare. “Në vazhdim të bisedës - shkruhet në komunikatën për media - pati edhe shkëmbim mendimesh për aktualitetin ndërkombëtar, me vëmendje të veçantë për problemet e sigurisë dhe të dukurive migratore në vendet e Afrikës Perëndimore dhe në rajonin e Sahelit”.
Papa i dhuroi Presidentit Bazoum një vepër bronzi: një fëmijë duke ndihmuar një tjetër të ngrihet, me mbishkrimin "Dashuria Ndihmon", vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin e këtij viti për Paqen, Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore dhe librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga LEV. Si dhuratë, kreu i shtetit i solli Françeskut kompozimin artizanal Touareg nigerin.