Imzot Svjatoslav Shevchuk Imzot Svjatoslav Shevchuk 

Papa, prelatëve greko-katolikë ukrainas: çoni kudo ngushëllim e inkurajim!

Në një mesazh për Fortlumturinë e Tij Shevchuk, Françesku u drejtohet prelatëve të mbledhur për Sinodin, në Poloni, duke përsëritur afërsinë e tij me popullin ukrainas: “Kisha duhet të jetë vendi, ku buron shpresa”.

R. SH. - Vatikan

Modeli është gjithmonë i njëjtë: ai i bariut, të cilit i vjen gjithnjë era dele. Porosi e dashur për Papën, që ua përsërit edhe ipeshkvijve greko-katolikë ukrainas, të cilët nga 7 korriku deri të premten e ardhshme, marrin pjesë në Sinodin e Przemysl, në Poloni, zgjedhur në vend të Kievit, ku një takim i tillë është bërë i pamundur për shkak të luftës. Françesku, para së gjithash, siguron lutjet dhe afërsinë e tij me popullin ukrainas.

Duke kujtuar Martirët e Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, martirë të lartuar në elter më 2001 nga Gjon Pali II, në Lviv, gjatë udhëtimit të tij në Ukrainë - kremtuar më 27 qershorin e kaluar - Françesku nënvizon se  rrethanat aktuale të konfliktit e bëjnë edhe më të kuptueshëm martirizimin e atyre murgjërve dhe murgeshave, viktima të regjimit komunist. Në vijim Papa i inkurajon ipeshkvijtë greko-katolikë ukrainas “të synojnë gjithnjë të mirën e Kishës dhe të çdo besimtari”. Një Kishe, që është “vend takimi dhe ndihme reciproke” veçanërisht për shoqërimin e besimtarëve. Shoqërim, që Françesku e pati  përshkruar në takimin me kryeipeshkvin kryesor të greko-katolikëve ukrainas, Fortlumturinë e Tij Sviatoslav Shevchuk, kur u takua me metropolitët në Romë, në vitin 2019. Papa rikujtoi një fragment-kyç të atij përshkrimi, në mesazhin dërguar Sinodit, në zhvillim e sipër, në Przemysl. Afërsia e Barinjve me besimtarët - pati kujtuar me atë rast, “është një kanal që ndërtohet dita-ditës dhe mbart ujin e gjallë të shpresës”. Ndërtohet “takim pas takimi”, nga meshtarët “që i njohin dhe i kanë për zemër shqetësimet e njerëzve dhe nga besimtarët që, ditë për ditë, përvetësojnë kumtimin e Ungjillit, transmetuar nga Barinjtë!”.

Kisha - përfundon Françesku me një ftesë të rikujtuar nga mesazhi - “duhet të jetë vendi ku gurron shpresa, ku dera është gjithmonë e hapur, ku merret ngushëllim dhe inkurajim”.

12 korrik 2022, 10:40