Papa të rinjve: “guxoni” nëse doni të ndërtoni një botë më të mirë

Në videomesazhin me ndjetin e lutjes për muajin maj, kushtuar djemve dhe vajzave nga e gjithë bota, Papa Françesku kërkon "guxim" e "dëgjim" dhe i fton ata në një jetë të plotë, që është fryt i dhurimit tё vetvetes nё shërbimin e të tjerëve. Ftesa për të folur me gjyshërit: “Urtia e tyre të çon përtej problemeve të momentit”. Videomesazhi i parë i një triptiku, që do të ketë si protagonistë familjen dhe të moshuarit

R.SH. - Vatikan

“Dëgjim”, “shërbim”, por mbi të gjitha “guxim”, sepse nëse dëshiron të “ndërtosh diçka të re, një botë më të mirë”, duhet tё rrezikosh. Papa Françesku nxit krijimtarinë dhe entuziazmin e gjeneratave të reja në videomesazhin me ndjetin e lutjes për muajin maj, kushtuar "fesё të të rinjve", në mënyrë që ata të shestojnё një të ardhme të ndryshme nga e tashmja e karakterizuar nga drama të mëdha, para së gjithash, ajo e luftës. Në të njëjtën kohë, Papa nxit dialogun me të moshuarit dhe bën thirrje për një pjesёmarrje e protagonizёm më të madh të të rinjve në zgjidhjen e problemeve botërore.

Triptiku mbi të rinjtë, familjen, të moshuarit

Urimet dhe rekomandimet që të kujtojnë Chritus vivit, nxitjen apostolike tё botuar pas Sinodit kushtuar të rinjve, në të cilën Papa Françesku mes tjerash pohonte: “Duhet të krijojmë më shumë hapësira ku të kumbojë zëri i të rinjve”. Kjo kërkesë u mor parasysh në vitin 2019 nga Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, i cili themeloi një organ ndërkombëtar për përfaqësimin e të rinjve e për mbështetjen e pjesëmarrjes dhe të bashkëpërgjegjësisë sё tyre në Kishat e veçanta lokale. Pikёrisht, në bashkëpunim me Dikasterin e Selisё sё Shenjtё për Laikët, Familjen dhe Jetën u realizua edhe videomesazhi i lutjes së Papës për muajin maj. Videomesazhi, i publikuar sot nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, është, në fakt, i pari i një triptiku ndjetesh të lutjes, që do të ketë si protagonistё në muajin qershor familjen dhe në muajin korrik të moshuarit.

Shembulli i Virgjrës Mari

Në videon e përkthyer në 23 gjuhë, me mbulim shtypi në 114 vende tё ndryshme tё botёs, Papa e paraqet Zojën e Bekuar si shembull dhe udhërrëfyese për brezat e rinj.

Kur mendoj për një model me të cilin ju të rinjtë mund të identifikoheni, më vjen gjithmonë në mendje Nëna jonë, Maria. Guximi i saj, aftësia e saj për të dëgjuar dhe përkushtimi i saj nё shërbim"

Të guxosh

Maria "ishte e guximshme dhe e vendosur për t'i thënë ‘po’ Zotit". Në atë moment, për Atё, një rrezik. Dhe “ju të rinj që dëshironi të ndërtoni diçka të re, një botë më të mirë, ndiqni shembullin e saj, rrezikoni”, nënvizon Papa, ndërsa paraqiten imazhet e një vajze tё vogёl qё vizaton fytyrën e Zojës. "Mos harroni se për të ndjekur Marinë duhet të shoshitni  dhe të zbuloni atë që Jezusi dëshiron prej jush, jo atë që mendoni se mund të bëni".

Flisni me gjyshërit

Në këtë shqyrtim, njё «ndihmë e madhe» është t’i dëgjosh fjalët e gjyshërve.

Në fjalët e gjyshërve do të gjeni një urti që do t'ju çojë përtej problemeve të momentit. Ju ndihmojnë t'i vendosni shqetësimet tuaja në një perspektivë më të gjerë "

Edhe një herë, Papa propozon ftesën për atë aleancë ndër brezore që është thelbësore për mbarë shoqërinë. Në fund të videos, Papa lutet që djemtë dhe vajzat qё janё "të thirrur për një jetë të plotë", të zbulojnë "stilin e të dëgjimit, thellësinë e aftësisë shqyrtuese, guximin e fesё dhe përkushtimin ndaj shërbimit". Dhe qё këtë tё mund ta bëjnë duke shikuar Virgjërën Mari.

Lidhja me DBR-sё në Lisbonë

Referimi ndaj Zojës Bekuar e lidh ndjetin e lutjes së Papës me Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë që do të kremtohet në Lisbonë në vitin 2023, tema e së cilës do të jetë një temë Marian, marrë nga një varg i Ungjillit të Lukës: "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim” (Lk 1:39). “I gjithë rrugëtimi  përgatitor për këtë ngjarje është një ftesë për të rinjtë që të ngrihen dhe të ndihmojnë botën për ta bërë këtë”, nënvizon At João Chagas, përgjegjës i Zyrës Rinore pranë Dikasterit tё Vatikanit Laikët, Familjen dhe Jetën. “Në mesazhin e tij të fundit drejtuar të rinjve, Ati i Shenjtë Bergoglio i ftoi: të ndihmojmë njëri-tjetrin të ngrihemi së bashku, dhe në këtë moment të vështirë historik do të bëhemi profetë të kohëve të reja, plot shpresë! E Lumja Virgjëra Mari ndërmjetësoftë për ne”.

Të moshuarit në ndihmë tё të rinjve

Për At Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, vepra papnore që mbështetet në një seksion të të rinjve (Lëvizja Eukaristike Rinore), me ndjetin e lutjes së këtij muaji, në kuadrin e procesit sinodal, Papa Françesku dëshiron të nënvizojë rëndësinë e formimit të të rinjve në fushën e vendimmarrjes. “Si mund t'i ndihmojmë të rinjtë, duke ndjekur stilin e Marisë, të dëgjojnë, të shoshisin, të njohin thirrjen e Zotit dhe të shërbejnë në botën e sotme? Këtu sigurisht hyn në lojë roli i të moshuarve, pasi ata mund t'i ndihmojnë tё rinjtё në këtë detyrë”.

03 maj 2022, 16:02