VIideo mesazh i Papës VIideo mesazh i Papës  

Papa: Kisha është populli i Zotit i udhëhequr nga Shpirti Shenjt

Në një video-mesazh drejtuar Komisionit Papnor për Amerikën Latine, mbledhur në një seancë plenare, Françesku flet për sinodalitetin në Kishë që - vëren - nuk është modë organizative. “Sinodaliteti pa bashkim mund të bëhet populizëm kishtar”, paralajmëron, duke inkurajuar të kapërcehet klerikalizmi, të cilin e quan “çoroditje qetësuese”.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e seancës plenare të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, Papa Françesku, në një video-mesazh, flet përsëri për “bashkimin” dhe “pjesëmarrjen”, kategori kryesore për ta kuptuar dhe për ta zbatuar Konferencën III të Përgjithshme të Episkopatit të Amerikës Latine, mbajtur në Puebla, si dhe konceptin e “kthesës baritore”, që ishte në qendër të vëmendjes në Konferencën IV të Përgjithshme të Santo Domingos si dhe të Konferencës V të Përgjithshme të Aparecidës. Zemra e fjalimit është rruga sinodale, e cila - saktëson Bergoglio - nuk është e re, por çështje që kërkon shtytje të re, duke e dëgjuar Shpitin Shenjt dhe duke i krijuar hapësirë.

Të mësojmë sërisht për të ecur së bashku, në hullinë e Koncilit

Françesku pranon se rruga sinodale e Kishës së zanafillës u zbeh në  Kishën Latine, ndërsa u ruajt nga Kishat Lindore. Ishte Shën Pali VI ai që e vuri përsëri në lëvizje, me krijimin e Sekretariatit për Sinodin e Ipeshkvijve. Ndërsa tani Papa përdori figurën e fëmijës, që bën hapa të vegjël, të ndrojtur dhe ndonjëherë edhe të ngathët, kur mëson të ecë. Duhet rifituar aftësia - kujton - duke zbuluar nga njëra anë vogëlsinë tonë, nga ana tjetër, kohën e përshtatshme (Kairos-in e madh) që duhet shfrytëzuar për një kthesë të plotë “personale dhe baritore”, aspekt që mbetet - nënvizon - njëri nga lajtmotivet. Ka rëndësi - thekson Françesku – t’i krijojmë hapësirën e duhur Shpirtit Shenjt, pa pretenduar se dimë gjithçka: e ky, për Papën, është rreziku më i madh!

“Mendimi i paplotë” e lehtëson veprimin e Shpirtit Shenjt

Papa Françesku kujton, në vijim, se “mendimi i plotë dhe i mbyllur i shkakton alergji”. E, për ta sqaruar këtë, citon një episod që lidhet me  fillimet e Teologjisë së Çlirimit kur - kujton - analiza marksiste, kundër së cilës Papa dhe Eprori i jezuitëve patën reaguar shumë ashpër në atë kohë - iu nënshtruan “udhës telurike”, domethënë, asaj që lidhej ngushtë me tokën. E them telurike - shtoi - sepse përshpirtëria latinoamerikane është e lidhur gjithnjë me tokën dhe nuk mund të ndahet prej saj. Françesku shpreh bindjen se Kisha në Amerikën Latine dhe Karaibe “e ka bërë rrugën e vet”, atë rrugë që e ndërton Shpirti Shenjt, atëhere kur “mendimi ynë është i paplotë, sepse kur është i plotë, nuk funksionon".

T’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, që lëviz, rinon, krijon harmoni

Pa ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, “dhurata nuk na edukon, sepse nuk mund të hyjë në zemër”. Mbasi nuk imponohet, por dëshiron të hyjë  ëmbëlsisht. Ftesa e Papës është ta bëjmë të veprojë këtë dhuratë, të pamerituar e të paparashikueshme, që na befason gjithmonë. Ta bëjmë të lirë. Duke kujtuar Rrëshajët, Papa paralajmëron se nuk është ngjarje që i përket së kaluarës, pasi Shpirti (i Panjohuri i Madh) është gjithmonë bashkëkohor. Kur për shkak të 'njohurive të kufizuara’ ose të ambicjes mendojmë ta sundojmë gjithçka e gjithkënd - vijoi Papa - biem lehtësisht në tundimin e kontrollit total,  dëshirës për të zënë hapësira e për t’u bërë protagonistë, si në filmat me seri. Në vend të kësaj, duhet të hapim procese. Françesku pranon se në fillim Shpirti Shenjt krijon “një farë çrregullimi” e, në lidhje me këtë, këshillon të përfytyrohet çka ndodhi në agimin e Rrëshajëve, kur dëshmitarët menduan se ishin mes të dehurve. Por më pas - e këtu citon Shën Bazilin - “e kuptojnë se gjithçka u shikojnë sytë është harmoni”.

Sinodaliteti nuk është mënyrë organizative

Papa theksoi edhe përmasën eukaristike, si bazë të sinodalitetit të vërtetë. Pa të, pjesëmarrja jonë do të ishte “parlamentarizëm i thjeshtë”, ndërsa bëhet fjalë për “një gjest bashkimi kishtar, që synon të na vërë në lëvizje. Të gjithë të pagëzuarit janë synodoi, miq që e shoqërojnë Zotin në shtegtim. Sinodaliteti “nuk është modë organizative, as projekt i rishpikjes njerëzore të popullit të Zotit - vazhdon Papa - është përmasë dinamike dhe historike e bashkimit kishtar, të bazuar në bashkësinë trinitare e cila, duke vlerësuar njëkohësisht sensus fidei të të gjithë popullit të shenjtë të Zotit, kolegjialitetin apostolik dhe unitetin me Pasardhësin e Pjetrit, duhet ta gjallërojë kthesën dhe reformimin e Kishës në çdo nivel”.

Kisha nuk është doganë, që kontrollon

Nga këto premisa dhe sqarime, buron ftesa që Komisioni për Amerikën Latine - kontinent të cilin Papa argjentinas e shikon me dashuri dhe vëmendje të veçantë - të jetë diakoni, e cila ndihmon dikasteret e ndryshme të veprojnë në mënyrë sinergjike dhe ta kuptojnë më mirë realitetin kishtar të rajonit. E kjo nuk duhet kuptuar si “doganë, që kontrollon” punët e Amerikës Latine apo përmasën hispanike të Kanadasë dhe të Shteteve të Bashkuara, jo!”. Në vend të kësaj, duhet të nxisë identitetin dhe vëllazërinë e veçantë që jetojnë kombet e Amerikës Latine.

Kujdes nga klerikalizmi dhe protagonizmi personal

Duke u kthyer te Shpirti Shenjt, Papa kujtoi përsëri se është Ai protagonisti, jo ne. Në kuadrin e reformës së Kuries,  uroi që organizmi i CAL (Komisionit për Amerikën Latine) të krijojë “dinamika të reja dhe t’i ndryshojë disa nga zakonet dhe sjelljet tona klerikale”. Mos harroni - nënvizoi - se klerikalizmi është çoroditje “qetësuese”. “Bashkësia pa sinodalitet - nënvizoi - mund të  shkojë drejt cetralizmit të padëshiruar e  sinodaliteti pa bashkim, mund të bëhet populizëm kishtar”. Së fundi, na fton ta jetojmë bashkimin kishtar më intensivisht në larminë e karizmave, thirrjeve dhe shërbesave, duke u ruajtur nga protagonizmat individualistike e duke u angazhuar për të “nxitur procese të cilat i krijojnë popullit të Zotit, që ecën në histori, mundësinë të marrë pjesë më shumë dhe më mirë në përgjegjësinë e përbashkët që e kemi të gjithë, për të qenë Kishë”. Sepse - përfundon ai - “ne të gjithë jemi njerëz të Perëndisë. Të gjithë jemi dishepuj të thirrur për të mësuar dhe për të ndjekur Zotin. Të gjithë jemi bashkëpërgjegjës për të mirën e përbashkët dhe shenjtërinë e Kishës”.

27 maj 2022, 11:56