Katholikentag Katholikentag 

Katholikentag, Papa: “Vetëm së bashku ecim përpara”

Mesazhi i Françeskut me rastin e Festivalit të Fesë Katolike, që po mbahet në Shtutgart deri më 29 maj: “Edhe në krizat aktuale, falë Zotit, mund të vërejmë sa e madhe është gatishmëria e shumë njerëzve për të bërë sakrifica edhe për të tjerët”. Të dhurosh diçka e të dhurosh vetveten është gjithmonë e mundur

R.SH. – Vatikan

“Me mendje, jemi pranë njerëzve në Ukrainë dhe lutemi për të gjithë ata, të cilëve u kërcënohet dhe u kushtëzohet jeta, për të gjithë ata, që dëshirojnë plotësinë e jetës, të cilën vetëm Zoti mund ta japë. Ne i përgjërohemi për paqen e tij”. Kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh me rastin e edicionit të 102-të të Ditëve Katolike (Katholikentag), të cilat po mbahen në Shtutgart, nga 25 deri më 29 maj, me temë “Ta ndajmë jetën së bashku”. Mund ta dhurosh jetën, nënvizon Papa, në shumë forma:

“Po mendoj, për shembull, për nënat ose baballarët, që u përkushtohen tërësisht fëmijëve, për shumë njerëz, të cilët, në shërbimin kishtar, ose në profesione shoqërore a bamirëse, e vënë jetën personale në vendin e fundit, për t’u shërbyer dhe për të ndihmuar të tjerët. Edhe në krizat aktuale, falë Zotit, mund të shohim sa e madhe është gatishmëria e shumë njerëzve për të bërë sakrifica edhe për të tjerët. Askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Të gjithë jemi ulur në të njëjtën barkë. Prandaj, është e domosdoshme të bëhemi të vetëdijshëm se jemi të gjithë bij të një Ati të vetëm, vëllezër e motra; se jetojmë në të njëjtën shtëpi, e cila na është besuar të gjithëve bashkë; se një gjë jeton nga tjetra dhe se nuk mund të mos e ndajmë jetën me të tjerët. Vetëm së bashku ecim përpara”.

Të gjithëve u mungon diçka

Në mesazh, Papa Françesku kujton figurën e Shën Martinit, që i dha mantelin një lypsi, duke nxitur të ndiqet mësimi i tij:

“Të gjithë ata, që bartin emrin e Jezu Krishtit, janë të thirrur të ndjekin dhe të ndajnë mjetet dhe mundësitë me ata, që kanë nevojë për ndihmë. Të jemi vigjilentë në jetë e, shumë shpejt, do të shohim ku ka nevojë për ne”.

Edhe njerëzit më të varfër, shpjegon Papa së fundi, kanë diçka që mund t’u dhurojnë të tjerëve. E është e vërtetë edhe e kundërta:

“Të gjithë - edhe më të pasurit – ua ndiejnë mungesën dhe kanë nevojë për dhuratat e njerëzve të tjerë. Të pranosh diçka nga të tjerët, nganjëherë, është më e vështirë sesa të dhurosh diçka, pasi kjo nënkupton të pranosh se nuk je i përkryer. Pjetrit iu desh të mësonte me vështirësi ta pranonte shërbimin e Mësuesit gjatë larjes së këmbëve. Edhe ne t’i lutemi Hyjit për këtë përvujtëri, që të jemi në gjendje të pranojmë diçka nga të tjerët”.

26 maj 2022, 12:03