2022.01.23 Santa Messa nella Domenica della Parola di Dio 2022.01.23 Santa Messa nella Domenica della Parola di Dio

Papa: Fjala e Zotit - me - ne na nxit të shkojmë drejt vëllezërve

Në të Dielën III të kohës së zakonshme, caktuar si Ditë për thellimin në Shkrimin Shenjt, Papa kremtoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit, duke ftuar për ta zbuluar fytyrën e vërtetë të Zotit, që nuk është larg, as i pandjeshëm, por pranë njeriut e plot me mëshirë. Nxiti edhe për ta jetuar Fjalën e Zotit sot. Gjatë kremtimit eukaristik Françesku u dha për herë të parë laikëve mandatin për shërbimin e Lektoratit dhe të Akolitatit, si edhe atë të Katekistit.

R. V. - Vatikan

Shkrimi Shenjt duhet të na shtyjë të dalim “jashtë vetvetes, për t’u vënë për udhë drejt vëllezërve e për t’ua shëruar plagët”. Kjo ishte zemra  e mësimit të Françeskut në Meshën e së Dielës, kushtuar Fjalës së Zotit, themeluar nga vetë Papa për të Dielën III të Kohës së zakonshme, me Motu Proprion Aperuit Illis, më 30 shtator 2019.

Papa e nisi homelinë me dy gjeste paralele: me Leximin e librit të Ligjit të Zotit nga ana e Izaisë e me atë  të leximit të parë të Jezusit, që hap rrotullën e Shkrimit Shenjt dhe lexon një fragment nga Izaia. Para të gjithëve. I ndjekur me vëmendje nga të gjithë.  Në qendër, Zoti e Fjala e Tij!

Gjithçka, pra, nis nga Fjala e Zotit drejtuar Krishtit

 Prej këndej ftesa e Papës:

“T’i mbajmë sytë ngulur tek Jezusi, si njerëzit në sinagogën e Nazaretit. Ta mirëpresim Fjalën e Tij. E të meditojmë dy aspekte të lidhura ndërmjet tyre. Së pari, Fjala na zbulon Zotin, që vjen për çlirimin e të varfërve dhe të shtypurve. Na zbulon fytyrën e Zotit, që e ka për zemër fatin tonë. Nuk është padron, po atë, që ndjek hapat tonë. Nuk është vëzhgues i akullt, po Zoti-me-ne, që apasionohet me jetën tonë e arrin deri atje, sa të qajë me lotët tonë”.

Fytyra e vërtetë e Zotit

Nuk është zot asnjanës e indiferent, por shpirt dashuronjës i njeriut, që na mbron, na këshillon, mban qëndrim në favor tonë, vuan nga dhimbja jonë; “Zoti është  pranë e dëshiron të kujdeset për mua, për të gjithë. Dëshiron të na çlirojë nga barrët, që na thyejnë më dysh. Të na ngrohë, kur akullohemi nga ngricat dimërore, të na ndrisë ditët e errëta, të na i bëjë të sigurt hapat tonë të lëkundur. E këtë e bën me Fjalën e Tij, me të cilën të flet për të ta ndezur përsëri shpresën brënda hirit të frikës sate, që ti të mund ta gjesh rishtas gëzimin në labirintet e trishtimeve tua, për ta mbushur me shpresë idhtësinë e vetmive tua”.

E pas këtij përshkrimi  prekës poetik, ftesa për ta ruajtur në zemra këtë figurë çliruese të Zotit, që nuk duhet ta mendojmë kurrë si gjykatës të rrebtë,  e as si doganier të ashpër të jetës sonë. E ky është Zoti, që duhet të shpallim në Kishë, duke u nisur nga Fjala e Tij, kujtoi Papa:

“E Kisha, duke na treguar historinë e dashurisë së Zotit për ne, na çliron nga frika e nga paragjykimet për Të,  të cilat e shuajnë  gëzimin e fesë”

 Këtë theksoi Papa  duke  kujtuar se:

“Fjala i  shemb idhujt e rremë, ua çjerr maskën projekteve tona, i rrënon paraqitjet tepër njerëzore të Zotit e na çon tek fytyra e Tij e vërtetë, tek mëshira e Tij”.

Fjala na çon tek njeriu

Ky aspekti i parë që preku Françesku në homelinë kushtuar Fjalës së Zotit, në këtë të dielë që i kushtohet. Për të kaluar, më pas, tek aspekti i dytë:

“Fjala na çon tek njeriu. Pikërisht kur zbulojmë se Zoti është dashuri e mëshirshme, e mundim tundimin, që na ngushton në një kult të jashtëm, i cili nuk e prek as nuk e ndryshon jetën. Fjala na çon përtej vetvetes, na nxit të vihemi për udhë drejt  vëllezërve me forcën çliruese të Zotit”.

Vëllezër e motra - vijoi akoma Papa - fjala e Zotit na fton të dalim në shesh të mejdanit e të mos fshihemi pas lëmshit të ngatërruar të problemeve, pas “s’ke ç’bën”. Na fton të veprojmë, të bashkojmë kultin e Zotit me kujdesin e njeriut. Sepse Shkrimi Shenjt na u dha për t’i ndihmuar të tjerët, për t’ua shëruar plagët.

Fjala u bë njeri e dëshiron të bëhet njeri në ne, në ngjarjet e përditshme, në dëgjimin e vuajtjeve të vëllezërve, në britmën e të varfërve e në padrejtësitë, që plagosin shoqërinë dhe planetin, për të mos qenë të krishterë indiferentë, po veprimtarë, krijues, profetikë:

“Sot - thotë Jezusi - shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të Shenjtë, që e dëgjuat me veshët tuaj.”

Më pas, një mori pyetjesh për Kishën. Si duhet të jetë, Kishë që i bindet Fjalës, që imton Jezusin e ngushëllon ke ka nevojë për ngushëllim? Që i çliron më të ligshtit nga burgjet e varfërisë, të lodhjes së shpirtit e të trishtimit, i cili  e shuan jetën?

E edhe përgjigjja: ftesë për t’u apasionuar nga Shkrimi Shenjt. Duke  gërmuar brenda Fjalës, që na zbulon risinë e Zotit e na nxit të duam, pa u lodhur kurrë.

“Ta rivëmë Fjalën e Zotit në qendër të baritorisë  e të jetës së Kishës! Ta dëgjojmë, të lutemi, ta vëmë në jetë!”.

Ta kumtojmë Ungjillin e ta vëmë në jetë

Në përfundim Françesku kujtoi detyrën e lektorve e katekistëve për të kumtuar Ungjillin, pra, Fjalën e Zotit. Nënvizoi  se ky mision u përket të gjithëve dhe ftoi rishtas “për të gërmuar brenda Fjalës, që na zbulon risinë e Zotit e na shtyn t’i duam të tjerët pa u lodhur kurrë”. Nxiti edhe për ta vënë Fjalën e Zotit në qendër të baritorisë së Kishës, për ta dëgjuar, për t’u lutur, për ta jetuar.

23 janar 2022, 09:44