Françesku: komunikimi duhet të ndihmojë për të krijuar frymën e vëllazërimit
R. SH. - Vatikan
Papa priti në audiencë, në Vatikan, një delegacion të Rojtarisë së Tokës Shenjte, kryesuar nga Rojtari, atë Francesco Patton, OFM. Të pranishëm, punonjës në botimet e ndryshme gjuhësore si dhe në Botimet e Tokës Shenjte, që merren me kanalet e internetit dhe me mjetet shoqërore të komunikimit, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Christian Media Center. Një shërbim, që është në vijë me komunikimin e nisur njëqind vjet më parë nga Rojtari, Ferdinando Diotallevi - siç e kujtoi Papa - që synon ta bëjë gjithnjë më të njohur Tokën Shenjte, djepin e krishterimit, shenjtëroret e pashoqe, ku u krye Shëlbimi i gjinisë njerëzore.
Ta bësh të njohur Tokën Shenjte, do të thotë të transmetosh “Ungjillin e pestë” në mjedisin historik e gjeografik, ku Fjala e Zotit u mishërua në Jezusin e Nazaretit, për ne e për shëlbimin e tonë. Kjo nënkuptohet, kur flitet për “Ungjllin e pestë”. Shprehje, që u shqiptua në Sinodin kushtuar Fjalës së Zotit (2008) e pastaj edhe nga Benedikti XVI. Papa theksoi se punonjësit e komunikimit të Tokës Shenjte duhet të punojnë për ta bërë të njohur jetën e atyre, që banojnë në viset biblike:
“Jetën e të krishterëve të Kishave të ndryshme, por edhe të hebrenjve e myslimanëve, për të ndërtuar, në një kontekst të ndërlikuar e të vështirë, siç është ky i Lindjes së Mesme, një shoqëri sa më vëllazërore”
Papa vuri theksin edhe mbi vlerën e punës së komunikatorëve të Tokës Shenjte të cilët, pikërisht përmes mjeteve të komunikimit shoqëror, mund ta pasurojnë fenë e shumë njerëzve, edhe atyre që nuk kanë mundësi të shtegtojnë në Tokën Shenjte. Bëjeni përmes angazhimit tuaj profesional - i porositi - në shërbim të Ungjillit:
“Kjo është e çmuar për besimtarët e mbarë botës e, njëkohësisht, i mbështet edhe të krishterët, që jetojnë në Tokën e Jezusit. E dëshiroj të përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur afërsinë time. Ju kujtoj gjithnjë në uratë e ju lutem, çojani përshëndetjen e bekimin tim familjeve e bashkësive të krishtera të Tokës Shenjte”.