Thirrja e fortë e Papës për Haitin

Françesku, duke bashkuar zërin me thirrjen e ipeshkvijve vendas, në përfundim të lutjes së Engjëllit, kërkoi të ulen armët në Haiti e të nisë një proces, që t’i hapë rrugën paqes e pajtimit kombëtar.

R. SH. - Vatikan

Gjatë kohës, që po kalon në Gemelli, Françesku është lutur shumë herë për popullsinë e Haitit. E kujtoi këtë vetë Papa, në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit, kremtuar nga spitali, ku vijon të jetë i shtruar:

“Ditët e fundit u luta shpesh për Haitin, pas vrasjes së presidentit dhe plagosjes së gruas së tij”.

Françesku kërkoi të marrë fund dhuna e, duke ulur armët,  të zgjidhet jeta, të favorizohet bashkëjetesa për procesin e paqes, që t’i sjellë Haitit harmoninë kombëtare:

“Bashkohem me thirrjen e ipeshkvijve të vendit për t’i ulur armët, për të zgjedhur jetën, për të jetuar së bashku vëllazërisht në interes të të  gjithëve e në interes të Haitit. Jam pranë popullit të dashur haitian: uroj të marrë fund spiralja e dhunës dhe Kombi të mund të rinisë udhën drejt ardhmërisë së paqes e të harmonisë”.

Vrasja e presidentit Moïse

Natën ndërmjet së martes, 6 e së mërkurës, 7 korrik, u vra Jovenel Moïse, president i Haitit, Shtetit amerikan, që ndodhet në ishullin Hispaniola, jo larg Kubës. Rrethanat e vrasjes së tij nuk janë sqaruar akoma, por mbrëmjen e së enjtes policia njoftoi se ka arrestuar disa qytetarë kolumbianë dhe dy amerikanë, të akuzuaar për pjesëmarrjen në vrasje. Për Haitin, vrasja e presidentit është akti i fundit i një sërë ngjarjesh të tjera tragjike, që lanë gjurmë në historinë e vendit, i cili po jeton përsëri në një fazë paqartësish e mungese stabiliteti.

Papa  dënon vrasjen e Presidentit: “krim i shëmtuar”

Në një telegram nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar nuncit apostolik, Francisco Escalante Molina, Françesku e dënon ashpër “këtë krim të shëmtuar e edhe çdo formë dhune, si mjet për të zgjidhur konfliktet”. Në telegram, edhe lutja për Marine  Moïse, gruan e presidentit, plagosur rëndë në pritë dhe shtruar më pas në spital, në Miami.

Nota e ipeshkvijve

Urime për shërim të shpejtë gruas së plagosur i bëri edhe Konferenca  Ipeshkvnore haitiane që, në një notë, flet “për vrasje të papranueshme e revoltuese”. “Kjo ngjarje e trishtë, lexohet, shënon një kthesë në historinë tonë si popull, për fat të keq, të diktuar nga zgjedhja e dhunës nga ana  e shumë sektorëve të popullsisë, parë si metodë e mbijetesës dhe e zgjidhjes së ndeshjeve”. Ipeshkvijtë nënvizojnë se nga dhuna lind veç dhunë e urrejtje. Nuk mund ta ndihmojë, prandaj, kurrë vendin të dalë nga kjo politikë  pa krye. Prej këndej, thirrja drejtuar “të gjithë bijve e bijave “ të Haitit “t’i lënë mënjanë krenarinë personale dhe interesat e grupit për të kërkuar, së bashku, rreth një tryeze të rrumbullakët, rrugëzgjidhjen e krizës haitiane, aq të pritur nga popullsia e të diktuar nga dashuria për Haitin, për vlerat  tona si popull”.

“Ulini armët! Zgjidhni jetën! Jetoni, më në fund, së bashku, në interes të të gjithëve e në interes të Haitit!” - përfundojnë prelatët.

11 korrik 2021, 13:47