Takimi Botëror i Familjeve, Papa: mund të marrin pjesë të gjithë

Papa kujton, në një videomesazh, formën e jashtëzakonshme të kësaj ngjarjeje të madhe, që do të mbahet në Romë nga 22 deri më 26 qershor të vitit 2022, pasi u shty një vit për shkak të pandemisë. Çdo dioqezë, nënvizon, “mund të jetë qendër e një takimi lokal”.

R.SH. - Vatikan

Një videomesazh, ngarkuar me lajmin gazmor për Familjet, Papa Françesku paraqet  Takimin X Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Romë, në qershor të vitit 2022, me temën “Dashuria familjare: thirrje dhe udhë e shenjtërisë”.

Papa paraqet formën e jashtëzakonshme të Takimit X Botëror të Familjeve

“Takimi  i ardhshëm Botëror i Familjeve do të mbahet në Romë, në qershor 2022. Tema do të jetë “Dashuria familjare: thirrje dhe udhë e shenjtërisë”. Pasi u shty një vit për shkak të pandemisë, dëshira për t’u ritakuar është edhe më e madhe”. Me këto fjalë e hapi Papa videomesazhin, përmes të cilit paraqiti formën e jashtëzakonshme  të Takimit X Botëror të Familjeve.

Takimet e mëparshme: në Tv

Në takimet e mëparshme - shpjegoi Ati i Shenjtë në mesazh -  pjesa më e madhe e familjeve e ndiqte ngjarjen nga shtëpia, domethënë nga larg, nga ekrani i televizorit. Madje shumica nuk e dinte fare se po mbahej një takim kaq i rëndësishëm, që lidhej pikërisht me jetën e tyre.

Po këtë herë do të ketë një formë krejt të panjohur (siç thotë formula). Do të jetë mundësi e krijuar nga Provania, për të realizuar një  eveniment botëror, të aftë për t’i aktivizuar të gjitha familjet, që do të dëshirojnë  ta ndjejnë veten pjesë përbërëse  të bashkësisë kishtare.

Takim policentrik, për mbarë botën 

Do të jetë takim policentrik e për mbarë botën – shpjegoi Papa në mesazh- E kjo, për të favorizuar pjesëmarrjen e bashkësive dioqezane në të katër anët e planetit. Roma do të jetë selia kryesore, me disa delegatë të baritorisë familjare, që do të marrin pjesë në Festivalin e Familjeve, në Kongresin Baritor dhe në Meshën shenjte, veprimtari që do të transmetohen në mbarë botën.

Çdo dioqezë, qendër e një takimi vendas

Në të njëjtat ditë, çdo dioqezë mund të jetë qendër e një takimi lokal për familjet dhe bashkësitë e veta. Në këtë mënyrë mund të marrin pjesë të gjithë. Edhe ata, që nuk do të mund të vijnë në Romë.

Atje ku është e mundur - kjo ftesa e Papës drejtuar bashkësive dioqezane - do të programohen nisma, duke filluar nga tema e takimit e duke përdorur simbolet që po përgatit dioqeza e Romës.

Në Mesazh Ati i Shenjtë u kërkon këtyre bashkësive të jenë aktive, plot gjallëri e frymë krijuese, për t’i organizuar familjet, në përkim me çka ndodh në Romë.

Ndihmoni njëri-tjetrin për një organizim sa më të suksesshëm

“Rast i çmuar për t’iu kushtuar me entuziazëm  baritorisë familjare: çifteve, familjeve e barinjve, së bashku. Kështu e quan Papa Takimin X Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Romë, në qershor 2022, me temë “Dashuria familjare: thirrje dhe udhë e shenjtërisë”.

Ftesë  për ndihmë të anasjelltë

E Papa i fton të gjithë  të ecin me guxim në këtë udhë: barinjtë e familjet, duke i porositur ta ndihmojnë njëri-tjetrin  për të organizuar takime në dioqezat e famullitë e të gjitha kontinenteve.

Më pas, urimi: “Udhë të mbarë drejt Takimit të ardhshëm Botëror të Familjeve!”. E, së fundi, porosia e përhershme: “Mos harroni të luteni për mua!”.

02 korrik 2021, 12:00