Papa ndërmjet fëmijëve Papa ndërmjet fëmijëve 

Papës, mesazhe urimi për shërim të shpejtë, nga mbarë bota

Pak orë pasi Papa u operua, në Poliklinikën romake Gemelli nisën të arrijnë mijëra fjalë afërsie e përzemërsie, me urimin për shërim të shpejtë e të plotë.

R. SH. - Vatikan

Pa përfunduar ende mirë njoftimi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë për shtrimin e Papës Françesku në spital, nga  mbarë bota nisën të arrijnë në Romë, posaçërisht përmes rrjetit shoqëror të komunikimit, mesazhe  afërsie të përzemërt dhe urime për shërim të shpejtë e të plotë. Do të mbushej përplot programi i sotëm shqip pranë Radio Vatikanit, vetëm me to…Po ne po mjaftohemi të kujtojmë, së pari, urimin e Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kryeipeshkvit Angelo Massafra, që përmbledh mijëra urime e lutje në gjuhën shqipe, për atë Papë, që zgjodhi pikërisht Shqipërinë e vogël e të varfër, për vizitën e tij të parë papnore në viset e Evropës së madhe!

Ta dëgjojmë  imzot Masafrën:

Ta dëgjojmë imzot Masafrën

Pas urimit të Konferencës Ipeshkёvnore tё Shqipërisë, ai i Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidentit, Ilir Meta:

“Bashkohem me lutjet për suksesin e operacionit të planifikuar kirurgjikal  të Atit të Shenjtë, me urimin e përzemërt për shërim të shpejtë dhe të plotë si dhe për rikthimin sa më parë në krye të detyrës së Tij tepër të rëndësishme, në të mirën e njerëzimit dhe të përhapjes së mesazheve hyjnore”.

Afërsia dhe lutja e Patrikut Bartolomeu I

“Urime vëllazërore për shërim të shpejtë” arrijnë edhe përmes një mesazhi të Patrikut të Kostandinopojës, Bartolomeu, që siguron se lutet për suksesin e plotë të operacionit, në mënyrë që - shton - “Të mund t’ju ritakoj për të vijuar misionin e domosdoshëm të bashkimit, për të cilin na bën thirrje Krishti”. Më pas, citon fjalët e Shën Palit Apostull: “Çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit" (1Kor 1,25).

Shëndet e të mira nga i gjithë populli italian e nga Kisha

Ndërmjet mesazheve të para të urimit, që arritën në Gemelli, ishte ai i Kreut të Shtetit Italian, Sergio Mattarella, për rrugë drejt Francës: “Urime për shërim të shpejtë” - shkruan - e po këtë i uron Papës edhe kryeministri Draghi, në emër të qeverisë e të gjitha përfaqësive politike.

E natyrisht, edhe ipeshkvijtë italianë luten për Papën, duke ia besuar shërimin e  tij,  Atit Hyjnor.

Nga mbarë bota: shërim të shpejtë Papës

Për të mos u ndaluar në Itali, kujtojmë se Mesazhe të panumërta vijojnë të arrijnë edhe nga Afrika, Evropa e Amerika Latine. Presidenti i Nigerisë, Muhammadu  Buhari  jo vetëm që i uron Françeskut shërim të shpejtë, por e fton mbarë popullsinë e vendit të tij të bashkohet në lutje për Papën dashuronjës të të gjithë popujve! E kështu, në vijim, arrijnë urime edhe nga viset më të largëta të Planetit: “Shërim të shpejtë, o Atë, që dëshiron të na  bësh “Fratelli tutti”!

05 korrik 2021, 14:38