Polillinika Agostino Gemelli Polillinika Agostino Gemelli 

Papët e Gemelli: lidhje historike

Françesku është Papa i dytë, pas Gjon Palit II, që shtrohet në Poliklinikën universitare, vend, ku u vizituan Papët, që në hapat e saj të para.

R. SH. - Vatikan

“E falënderoj këtë ‘Vatikan n. 3’, këtë Poliklinikë Gemelli, për gjithçka të mirë që më bënë këtu profesorët, mjekët, motrat, i gjithë personeli”.  ‘Vatikani n. 3’- kështu e pati quajtur Papa Wojtyla, duke iu drejtuar njerëzve të grumbulluar poshtë dritares të dhomës së tij, për ta përshëndetur. Sepse - pati shtuar - “Vatikani n. 1 është Sheshi i Shën Pjetrit”, e numër 2, “Castel Gandolfo”. Kur i pati shqiptuar këto fjalë, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të 13 tetorit 1996, nuk ishte hera e parë që shtrohej në spitalin romak. Së pari qe shtruar më 1981, kur pati arritur këtu në një situatë dramatike, pas atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit. Kjo qe hera e parë, por jo e fundit; u rikthye këtu edhe herë të tjera, para e pas vitit 1996.

Dhjetë shtrime e tri vizita

Nga viti 1981 deri më 2005 Papa Wojtyla u shtrua dhjetë herë e u vizitua tri herë në Poliklinikën “Gemelli”. Ndaj mund të themi se jeta e Tij lidhet fort me këtë Poliklinikë e me Universitetin Katolik. E vizitave të tij mjekësore, duhet t’u shtojmë edhe ato miqësore: Gjon Pali II ishte tri herë në këtë qendër kaq të rëndësishme, ku mjekimi i korpit lidhet ngushtë me atë të shpirtit: më 1984 kremtoi Meshën në Sheshin para Poliklinikës, në kujtim të 25-vjetorit të vdekjes së Themeluesit, Atë Agostino Gemellit dhe 20-vjetorit të themelimit të spitalit, që mban emrin e tij. Më pas, më 1988, bekoi repartin e ri të Terapisë Intensive Kardiologjike e, në vitin 2000, në auditorin e Fakultetit të Mjekësisë së Romës, mori pjesë në hapjen e vitit të ri akademik 2000-2001 të Universitetit Katolik.

Historia

Nis, kështu, historia e lidhjes së Papëve me Gemellin, që vijoi në kohë, para e pas papnisë së Karol Wojtyl-ës. Historia e Poliklinikës Universitare Gemelli, qendër e famshme shëndetësore, ka rrënjë të kahmotshme. Fillon në vitin 1934, me Piun XI, i cili dhuroi 37 hektarë tokë mbi kodrën e Monte Marios, që në këtë truall të lindte Fakulteti i Mjekësisë, aq i dëshiruar nga frati françeskan, shkencëtari i famshëm atë Agostino Gemelli. Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit u përurua më 1961 nga Papa Gjoni XXIII. Tri vjet më pas, në Poliklinikë shtroheshin të sëmurët e parë e, menjëherë pas tyre, përurohej zyrtarisht. Ishte 10 korriku i vitit 1964. Kështu u krijuan lidhjet e ngushta ndërmjet Papëve e Poliklinikës, ku  shkelën, më pas, edhe Pali VI e Benedikti XVI, si Papë,  jo si të sëmurë, që vinin aty për t’u mjekuar.

Më 17 qershor të vitit 1976, me rastin e Solemnitetit të Korpit të Krishtit, Papa Montini kremtoi Meshën në sheshin para spitalit e, në homelinë që mbajti në këtë log dhimbjesh, kujtoi çka është më e rëndësishme për mjekun që kuron, e të sëmurin, që vuan e nis e mediton:

“Pse vuan njeriu? Pse duhet të vuajë? E të tundohet të bërtasë në kupë të qiellit: dhimbja është e kotë, dhimbja është e padurueshme! Po pikërisht  kështu hapet një zbulesë e re, që na ndihmon të shikojmë në Krishtin shndërrimin e vuajtjes, kur vlerësohet si flijim, në burim shëlbimi e apoteozë dashurie”.

Pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, edhe Benedikti XVI u takua disa herë me Fakultetin e Mjekësisë së Gemellit. Shkoi edhe për të vizituar të vëllain, George, kur qe shtruar këtu, e edhe për fillimin e vitit akademik 2005-2006 të Universitteit Katolik, në auditorin e Fakultetit të Mjekësisë.

Nuk e dimë në se Papa Françesku e kishte ndër mend ta vizitonte Poliklinikën e famshme si Papë. Po këto ditë e vizitoi si Pacient i jashtëzakonshëm, drejt të cilit janë drejtuar sytë e mbarë botës!

07 korrik 2021, 12:17