Libro LO SGUARDO CHE PORTA ALLA LUCE di Mons. Viganò Libro LO SGUARDO CHE PORTA ALLA LUCE di Mons. Viganò

Papa: pas pandemisë, duhen sy të rinj për ta shikuar realitetin

Në një intervistë realizuar nga imzot Dario Viganò, botuar në librin e tij: “Syri, porta e zemrës. Neorealizimi ndërmjet kujtesës dhe aktualitetit” (Botues Effatà), Papa fton për të rizbuluar, përmes kinemasë, edukimin e syrit të pastër. E edhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës, përmes figurave.

R.SH. - Vatikan

“Një pedagogji për sytë, që e ndryshon syrin tonë miop, duke e afruar tek syri i vetë Zotit”. Kështu Papa rikthehet tek ai, që e ka quajtur “katekizmi i njerëzimit”: kinemaja. Rasti është libri i ri i imzot Dario Edoardo Viganò, zëvendës-kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore. “Syri të çon në zemër”, paraqitur këto ditë nga ambasada e Italisë pranë Selisë së Shenjtë (Effta Editrice). Libri  hapet me një intervistë të Françeskut kushtuar ekranit  të madh, që të prin në një rrugë të ngarkuar me “kujtesë e kundrim”. Si të ishte duke shfletuar një album kujtimesh,  Ati i Shenjtë  kthehet pas në vite, kujton fëmijërinë e tij në Argjentinë kur, së bashku me prindërit, dëgjonte, në radio, operat lirike ose shkonte të shikonte filma në sallën e lagjes së tij në Buenos Ajres.

Katekizmi i syrit   

E këtu Papa njeh rrëfimin e vërtetë të neorealizmit. “Ndërmjet dhjetë a dymbëdhjetë vjetëve - pohon - besoj se i kisha parë të gjithë filmat me Anna Magnanin e Aldo Fabrizi-n”. Filma shumë të rëndësishëm, që i  krijuan këtyre fëmijëve mundësinë ta njohin thellësisht, përveç tragjedisë së emigrantëve, edhe tragjedinë e madhe të luftës botërore. Për Papën filmat e neorealizmit formuan zemrat; e i formojnë  edhe sot e kësaj dite, sepse - kujton – “na mësuan ta shikojmë realitetin me sy të rinj”. E pikërisht syri, në fjalët e Pasardhësit të Pjetrit,  është mjeti për përballimin e plagës së pandemisë, që në këtë kohë “duket sikur i shumëfishon falimentimet e njerëzimit” duke “krijuar shqetësim e frikë”. Prandaj - thekson - duhen sy të aftë për të çarë errësirën e natës”. Në këtë kuptim, edhe kinemaja bëhet mjedis, mjet e mundësi për “katekizimin e syrit”.  E kjo, sepse kemi nevojë “për pedagogjinë e syve tanë”, shpesh të paaftë  për të kundruar në mes të errësirës “dritën e madhe”(Is 9,1). Atë, që Jezusi vjen ta sjellë ndër ne.

Kinema, që mund të të mësojë të shikosh

Për Papën, neorealizmi, ndonëse duke treguar dramatikën italiane të pas luftës botërore, ka vlerë të pakohë, të përhershme. “Sa gjë e bukur do të ishte - mendon - të rizbulosh, përmes kinemasë, rëndësinë e edukimit të syrit të pastër. Pikërisht siç bëri neorealizmi”. Citon, më pas, “Udhën” e Felinit, dhe “Fëmijët shikojnë” të Vittorio De Sica-s, për të nënvizuar, më pas, se në shumë filma, sytë neorealistë mbi botën, ishin sy fëmijësh: sy të pastër, që e dallojnë menjëherë të mirën nga e keqja. Rikthehet, më pas, mbrapa me kujtesë, në ishullin e Lesbos.

Tek sytë e fëmijëve, që jetojnë në kampet e refugjatëve: “Në shumë raste e në vende të ndryshme, sytë e mi  u takuan me sytë e fëmijëve, të varfër e të pasur, të shëndoshë e të sëmurë, të qeshur e të vuajtur. Të të shikojnë sytë e fëmijëve - pohon - është përvojë që e njohim të gjithë, që na i prek me fund zemrat e na detyron ta shqyrtojmë ndërgjegjen”. Më pas, pyetja e Papës: “Ç’duhet të bëjmë që  fëmijët të mund të na shikojnë buzagaz e t’i kenë gjithnjë sytë e pastër, plot me besim e shpresë? Çfarë bëjmë, që të mos u rrëmbehet kjo dritë? Që këta sy të mos ndryshojnë, të mos trishtohen, të mos mbushen me lot, të mos prishen?”

Sy, që e shndërrojnë botën

Në një botë  të pushtuar nga mediat dixhitale, “që mund të krijojnë rrezikun e vartësisë, të izolimit e të humbjes progresive të kontaktit me realitetin konkret “Françesku thekson vlerën e madhe shoqërore të kinemasë, parë si mjet edukativ dhe e shikon neorealizmin si lente zmadhuese, që e pasqyron realitetin ashtu siç është, duke të vënë në lidhje me të”.

“Të shikosh është veprim, që bëhet vetëm me sy - vëren - për të shikuar duhen sy e zemër! E vijon të shpjegojë se filmat neorealistë nuk janë dokumetarë, që të ofrojnë një regjistrim të thjeshtë “okular” të realitetit”; ta  rikthejnë, po, por  me të gjithë ashpërsinë e tij, që të prek deri në fund të shpirtit, të ngjall mëshirë”. Ndërsa neorealistët - shton - nuk janë shikim i hedhur nga larg, po shikim që afron, që e prek realitetin ashtu siç është,  që kujdeset për të, të lidh me të. Sy, që e shndërron realitetin, sepse nuk të lë ku je, po të çon lart, të larton, të fton të ngrihesh e të shkosh pranë të fundmëve. Shikim që, në mes të errësirës, ruan shijen e dritës. Shikim, që hap të çara ndër prita e dallon shenjat e një realiteti më të bukur e më të madh.

Të ruhet kujtesa përes figurave

Papa nënvizon, në përfundim, se duhet të jemi rojtarë të mirë të kujtesës përmes figurave, për t’ua transmetuar fëmijëve e nipave tanë. Flitet për dokumenta - pohon - me karakter universal, sepse i kapërcejnë kufijtë gjuhësorë e kulturorë e mund të kuptohen menjëherë nga të gjithë. E pohon se po mendon të krijojë një institucion, që të funksionojë si Arkiv Qendror për ruajtjen e përhershme të rregullt e sipas kritereve shkencore,  të fondeve historike audiovizive të organizmave të Selisë Shenjtë e të Kishës universale. Mund ta quajmë Mediatekë, pranë Arkivit e Bibliotekës, për të mbledhur e për të ruajtur pasurinë e burimeve historike audiovizive të nivelit të lartë fetar, artistik e njerëzor!”.

19 korrik 2021, 09:30