Përmbytjet në Belgjikë Përmbytjet në Belgjikë 

Papa lutet për të përmbyturit e Gjermanisë, Belgjikës e Holandës

Në Engjëllin e Tënzot, Françesku u lut për popullsitë e dëmtuara rëndë nga katastrofat e këtyre ditëve, posaçërisht për të vdekurit. Ipeshkvi i Liezhit, Jean-Pierre Delville, thekson: “Kjo që ndodhi është fryt edhe i pakujdesisë, duhet një reflektim serioz, prandaj!”.

R. SH. - Vatikan

“I shpreh afërsinë time popullsive të Gjermanisë, Belgjikës e Holandës, të dëmtuara rëndë nga katastrofat  dhe përmbytjet. Zoti i pranoftë të vdekurit në paqen e Tij, i ngushëlloftë familjarët e i bekoftë të gjithë ata, që po ndihmojnë kë pësoi dëme të mëdha”.

Me këto fjalë, në përfundim të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa  kujtoi viktimat e kohës së keqe, që dëmtoi rëndë këto ditë Evropën Qendrore. Numërohen më se 180 të vdekur e qindra të humbur, ndërsa  shumëfishohet angazhimi i forcave të ndihmës dhe i vullnetarëve, që punojnë pa pushim për të shpëtuar sa më shumë njerëz nga gërmadhat.

Dhimbja e popullsisë së Belgjikës

Edhe Belgjika qan viktimat e veta: 24 deri tani, e po aq të humbur. Të premten e kaluar zjarrfikësit italianë shpëtuan 40 qytetarë. Qyteti belg më i dëmtuara është Liegi, së bashku me komunat fqinje. Duke kujtuar situatën dramatike, imzot Jean-Pierre Delville, ipeshkëv i dioqezës së Liezhit nga viti 2013, flet për dëmtime të rënda të banesave  e, si pasojë, për njerëz pa strehë, që kanë humbur gjithçka. E i fton  të kenë besim e shpresë, duke kujtuar se të gjitha kishat e famullitë e vendit janë vënë në dispozicion të tyre. Strehë për të pastrehët!

18 korrik 2021, 14:38