Meshari Romak Meshari Romak

Norma të reja për meshën e vjetër, më shumë përgjegjësi për ipeshkvin

Papa bën publike një Motu Proprio për ripërcaktimin e mënyrës së përdorimit të mesharit para Koncilit II të Vatikanit: vendimi duhet marrë nga barinjtë e dioqezave. Grupet e lidhura me liturgjinë e mëparshme nuk duhet ta mënjanojnë reformën liturgjike, mësimet konciliare dhe magjisterin e Papëve

R.SH. – Vatikan

Pasi u këshillua me ipeshkvijtë e gjithë botës, Papa Françesku vendosi t’i ndryshojë normat mbi përdorimin e Mesharit të vitit 1962, të cilin e pati lënë të lirë para 14 vitesh, paraardhësi i tij, Benedikti XVI, me emrin “Riti Romak i jashtëzakonshëm”. Ati i Shenjtë boti sot Motu Proprion “Traditionis custodes”, pikërisht për normat mbi liturgjinë romake para vitit 1970, duke e shoqëruar me një letër, në të cilën shpjegon arsyet e vendimit. Ja risitë kryesore…

Përgjegjësia për kremtimin sipas ritit para-konciliar i kthehet ipeshkvit dioqezan: “është kompetencë e tij ekskluzive të autorizojë përdorimin e Mesharit Romak të vitit 1962 në dioqezë, duke ndjekur udhëzimet e Selisë Apostolike”. Ipeshkvi duhet të sigurohet se grupet që kremtojnë me ritin e vjetër, marrin parasysh edhe “vlefshmërinë e legjitimitetin e reformës liturgjike, mësimet e Koncilit II të Vatikanit dhe magjisterin e Papëve”.

Meshët me ritin e mëparshëm nuk do të kremtohen më në kishat famullitare, por në një kishë e në një ditë të caktuar nga ipeshkvi. Leximet duhet të bëhen “në gjuhën vendase”, duke përdorur përkthimet e miratuara nga Konferencat Ipeshkvnore. Kremtuesi duhet të jetë një meshtar i deleguar nga ipeshkvi. Këtij të fundit i takon edhe detyra e verifikimit të kremtimeve me Mesharin e vjetër, duke u siguruar për “dobinë e tyre në rritjen shpirtërore” të besimtarëve. Pra, meshtari kremtues duhet të kujdeset jo vetëm për kremtimin dinjitoz të liturgjisë, por edhe për aspektin baritor e shpirtëror të popullit të Zotit. Ipeshkvi, thuhet në Motu Proprio, nuk mund të autorizojë grupe të reja.

Meshtarët e shuguruar pas publikimit të Motu Proprio-s, që dëshirojnë të përdorin në kremtim Mesharin para-konciliar, duhet t’i marrin leje ipeshkvit, i cili “para se të japë autorizimin, do të këshillohet me Selinë e Shenjtë”. Ndërsa ata, që e bëjnë tashmë këtë, duhet t’i kërkojnë ipeshkvit autorizimin për të vijuar. Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, “në atë kohë, ngritur nga Komisioni Papnor Ecclesia Dei” kalojnë në kompentencën e Kongregatës për Rregulltarët. Dikasteri i Kultit Hyjnor dhe ai për Rregulltarët duhet të mbikëqyrin zbatimin e këtyre dispozitave.

letrën, që shoqëron dokumentin, Papa Françesku shpjegon se paraardhësit e tij e patën lejuar përdorimin e Mesharit të vjetër “për të favorizuar bashkimin, pas skizmës së lëvizjes, udhëhequr nga imzot Lefebvre”. Kishte besimtarë, që patën nevojë për këtë, por, nga disa, vëren Françesku, “u interpretua… si mundësi për ta përdorur lirisht Mesharin Romak të miratuar nga Piu V, duke bërë që të përdorej paralelisht me Mesharin Romak të miratuar nga Pali VI”.

 Papa kujton se vendimi i Benediktit XVI, me Motu Proprion “Summorum Pontificum” (2007), u mor me “bindjen se ajo masë nuk do t’i kishte vënë në dyshim vendimet themelore të Koncilit II të Vatikanit, duke ia cënuar autoritetin”. Papa Ratzinger kërkonte pasurimin e Kishës përmes përdorimit të dy formave të Mesharit. Por sondazhi i fundit i Kongregatës për Doktrinën e Fesë nxjerr në pah “një gjendje, që më trishton e më shqetëson – shkruan Ati i Shenjtë – duke më konfirmuar nevojën për ndërhyrje”, pasi dëshira për bashkim nuk është realizuar e leja e dhënë me mirësi është përdorur “për të rritur distancat, për të thelluar dallimet, për të krijuar kundërvënie, që e plagosin Kishën dhe e frenojnë udhën e saj, duke e ekspozuar ndaj rrezikut të ndarjeve”.

 Papa shpreh dhimbjen e tij për abuzimet në kremtimet liturgjike “si nga njëra palë, ashtu edhe nga tjetra”. Gjithashtu, shpreh trishtimin për “përdorimin e instrumentalizuar të Missale Romanum të vitit 1962, gjithnjë e më shumë karakterizuar nga refuzimi në rritje jo vetëm i reformës liturgjike, por edhe i Koncilit II të Vatikanit, me pohimin e pabazuar se ai e ka tradhtuar Traditën dhe ‘Kishën e vërtetë’”. Dyshimet për Koncilin, shpjegon Ati i Shenjtë, janë dyshime “për vetë ndjetin e Etërve të tij, të cilët e kanë ushtruar pushtetin e tyre kolegjial solemnisht ‘cum Petro et sub Petro’”. Kjo do të thotë “të dyshosh për vetë Shpirtin Shenjt, që udhëheq Kishën”.

 Papa Françesku shton një arsye të fundit për vendimin e tij: “nga fjalët dhe qëndrimet e shumicës, duken gjithnjë e më qartë marrëdhëniet e ngushta ndërmjet zgjedhjes së kremtimeve sipas librave liturgjikë para Koncilit II të Vatikanit dhe refuzimit të Kishës dhe të institucioneve të saj, në emër të diçkaje, që ata e konsiderojnë ‘Kishë të vërtetë’. Është qëndrim, që bie në kundërshtim me bashkimin, duke nxitur shtytje drejt përçarjes... kundër së cilës reagoi vendosmërisht shën Pali apostull. Prandaj, për të mbrojtur unitetin e Korpit të Krishtit, detyrohem ta heq autorizimin e dhënë nga Paraardhësit e mi”.

16 korrik 2021, 14:00