100-vjetori i Edgar Morin. Papa: një jetë në shërbim të një bote më të mirë

Papa Françesku bashkohet me kremtimin e veçantë, që Unesco i kushton sot filozofit dhe sociologut francez, të cilin e pati takuar në Vatikan, në vitin 2019. Me fjalë falënderimi e vlerësimi, Ati i Shenjtë i bën homazh veprës së Edgar Morin, që ka shkruar shumë për vlerat e bashkëpunimit, të demokracisë e të mikpritjes

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku dërgon një mesazh në kremtimet e Unesco-s për 100-vjetorin e filozofit francez Edgar Morin. Nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në mesazh, Ati i Shenjtë i bën urimet filozofit, që e pati takuar më 27 qershor të vitit 2019. “Përballë përparimit të shkencës dhe të teknologjisë, pavarësisht nga mundësitë e mëdha që i ofrojnë njerëzimit, - shkruhet në mesazh - ju keni theksuar nevojën për përparim moral dhe intelektual, në mënyrë që të shmangen katastrofat”. Ati i Shenjtë vë në dukje se Edgar Morin ka punuar gjithnjë për ndërgjegjësimin e botës se njerëzimi ka fat të përbashkët, prandaj pikërisht njeriu duhet vënë në qendër të çdo politike e jo pushteti i parave, siç pati thënë edhe në takimin me Papën, duke shprehur vlerësimin e tij për enciklikën “Laudato si’”.

Meritat e Edgar Morin, sipas Papës

Mesazhi u lexua nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Unesco, imzot Francesco Follo, në një tryezë të rrumbullakët, që u mbajt sot pasdite në Paris, si në sallë, ashtu edhe përmes lidhjes me internet. Meritat e filozofit francez, që mbush 100 vjeç më 8 korrik, rreshtohen një pas një në mesazhin papnor. “Ju – vëren Françesku - keni marrë pjesë aktivisht në shumë takime me intelektualë dhe personalitete të panumërta e të shquara të shoqërisë civile dhe politike, me qëllim promovimin e bashkëpunimit ndërmjet popujve, ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më njerëzore, përtëritjen e demokracisë”. E për këtë, Edgar Morin ka nënvizuar gjithnjë nevojën për solidaritet në të gjitha fushat, duke u treguar i gatshëm të bashkëpunojë edhe me vetë Papën në Paktin Global për Edukimin, siç kujton mesazhi. Pikërisht duke e vlerësuar jashtëzakonisht këtë punë, Ati i Shenjtë i jep filozofit dhe familjes së tij bekimin apostolik, duke i uruar edhe shumë vite të tjera në shërbim të njerëzimit, i shndritur nga Ati Qiellor.

Kush është Edgar Morin

Edgar Morin, pseudonim i Edgar Nahoum, u lind në Paris më 8 korrik 1921. Është filozof e sociolog francez i njohur për qasjen e tij ndërdisiplinare, me të cilën ka trajtuar argumente nga më të ndryshmet, sidomos në fushën e epistemologjisë.

“Planetizim – shkruan filozofi francez, duke përdorur një fjalë, që për të, e përcakton më mirë globalizimin - do të thotë bashkësi me të njëjtin fat për gjithë njerëzimin. Kombet e konsoliduan vetëdijen e bashkësive të tyre të të njëjtit fat me kërcënimin e pandërprerë të armikut të jashtëm. Tani, armiku i njerëzimit nuk është i jashtëm. Është i fshehur në të. Ndërgjegjja e bashkësisë me të njëjtin fat ka nevojë jo vetëm për rreziqe të përbashkëta, por edhe për një identitet të përbashkët, i cili nuk mund të jetë vetëm ai abstrakt njerëzor, i njohur tashmë nga të gjithë, jo shumë i frytshëm për të na bashkuar; është fjala për një identitet, që vjen nga babai dhe nëna, por që konkretizohet në termin atdhe, duke i çuar drejt vëllazërimit miliona qytetarë, që s’kanë aspak të njëjtin gjak. Në një farë mënyre, kjo na mungon për realizimin e një bashkësie njerëzore: vetëdija se jemi bij dhe qytetarë të atdheut. Ende nuk arrijmë ta konsiderojmë atë si shtëpinë e përbashkët të njerëzimit”.

02 korrik 2021, 14:41