Kubë, Françesku: jam pranë popullit, që vuan. Duhet dialog!

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thirrja e Papës për ishullin karaibik të tronditur thellë nga manifestimet e protestës, pasojë e krizës ekonomike e shëndetësore. Në Sheshin e Shën Pjetrit valëviteshin flamujtë kubanë!

R. SH. - Vatikan

“Paqe, dialog, solidaritet”. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kërkoi ndërmjetësimin e Zojës de la Caridad del Cobre, Pajtore e Kubës, për kthimin e qetësisë në ishullin karaibik, ku që të dielën e kaluar vijojnë manifestime dhe akte dhune në qytetet kryesore të vendit. Manifestimet lindën nga pakënaqësia e popullsisë, thyer më dysh nga kriza:

“Jam edhe pranë popullit kuban në këto çaste të vështira, posaçërisht pranë familjeve, që vuajnë më shumë. I lutem Zotit t’i ndihmojë për të ndërtuar në paqe, dialog e solidaritet, një shoqëri gjithnjë më të drejtë e më vëllzërore”.

Papa i nxiti kubanët t’ia besojnë veten Zojës së Kobres. Ajo, i siguron, do t’ju shoqërojë në këtë udhë.

Fjalët e Papës u duartrokitën nxehtësisht nga një grup besimtarësh kubanë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, me flamujtë e vendit të tyre.  

Shkaqet kryesore të krizës kubane

Kriza e thellë ekonomike dhe ajo shëndetësore, pasojë e Covidit, janë shkaqet kryesore të manifestimeve, që po e trondisin thellë prej disa  ditësh ishullin e Kubës. Të shumta arrestimet nga ana e forcave të rendit.  E pavarësisht nga lëshimet, që detyrohet të bëjë qeveria, përballë zemërimit popullor, si leja për hyrjen në vendin e uritur të prodhimeve të domosdoshme për jetën, ushqimeve, ilaçeve dhe sendeve të tjera, të cilat mungojnë prej vitesh, në këtë vend ku ende flitet për arritjen në komunizëm, protestat vijojnë.  Imzot Emilio Aranguren Echeverria, ipeshkëv i Holguín dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore kubane, duke folur për situatën në Kubë, thekson nevojën e domosdoshme për hapjen e dialogut, nësa kriza bëhet gjithnjë më e papërballueshme.

Lidhur me demonstratat, që të dielën e kaluar pushtuan qytetet kryesore kubane, prelati kujton se nuk munguan as aktet e dhunës. Njerëzve u ka ardhur shpirti në fyt e nuk janë më në gjendje ta frenojnë inatin. E qeveria i përgjigjet inatit me një inat edhe më të paarsyeshëm. Ndaj prelati  u kujton të gjithëve “se dhuna ndjell dhunën”. Prandaj kujton se është e nevojshme të kuptohen nevojat dhe pakënaqësitë e njerëzve, jo vetëm duke kërkuar shkaqet, “por edhe duke u munduar për t’i mbledhur forcat e atyre, që kanë mundësi të realizojnë një projekt në dobi të të gjithëve”.

18 korrik 2021, 14:44