Atentati në Irak Atentati në Irak 

Irak: ngushëllimet e Papës Françesku. Të vijojnë përpjekjet për paqe

Papa Françesku siguron se është pranë të gjithë atyre, që u goditën nga masakara e djeshme terroriste në kryeqytetin irakian dhe lutet që dëshira për pajtim ta mundë dhunën. Kreu i Kishës kaldease, kardinali Sako, së bashku me dhjetë ipeshkvij e gjashtëdhjetë priftërinj, në ushtrime shpirtërore, lutet për paqen e, në mikrofonet e Vatican News, pohon: “Dhuna është e papranueshme. Na duhet humanizëm e punë për të mirën e përbashkët të vendit!”.

R. SH. - Vatikan

Papa shpreh trishtimin e thellë për atentatin në Irak, në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, dërguar mbrëmë  nuncit apostolik në vend, imzot Mitja Leskovar:

“Shenjtëria e Tij Papa Françesku - lexohet në tekst - u trishtua thellësisht kur mori lajmin për humbjen e jetëve njerëzore gjatë shpërthimit në tregun  al-Wuhailat në Bagdad dhe i dërgon ngushëllimet më të ndjera familjeve  dhe miqve të të vdekurve. Duke ia besuar shpirtrat e tyre  mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm, Shenjtëria e Tij lutet - lexohet akoma - që asnjë akt dhune të mos i pengojë përpjekjet e atyre, të cilët angazhohen për pajtim e paqe në Irak”.

Sako, të dëshpëron përsëritja e dhunës

"Nuk ka siguri e as stabilitet në Irak, e ky atentat është vetëm shembulli i fundit. Problem moral: korrupsioni dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm janë veprime të pamoralshme". Ndjehet shkurajimi, në zërin e patriarkut Kaldeas të Babilonisë, Kardinalit Louis Raphael Sako i cili, nga 19 deri më 24 korrik, është në Kurdistan, në Erbil, për ushtrimet shpirtërore të klerit kaldeas, që mbahen në atmosferën e shqetësimit të thellë, pas masakrës së re, kryer nga Shteti i vetëquajtur Islamik, përmes atentatit në Bagdad, qё shkaktoi të paktën 35 viktima e më shumë se 60 të plagosur.

Sot gjatë Meshës sё mëngjesit, kardinali Sako kërkoi lutje për paqe e stabilitet, si për myslimanët që kremtojnë Kurban Bajramin, festën e flijimit, ashtu dhe për Kishën. E kujtoi, më pas, me mirënjohje dhe vlerësim vizitën e Papёs Françesku në Irak, nё fillim të marsit tё kaluar: "Vizita e Atit tё Shenjtё ua ndryshoi mendësinë njerëzve - pohon Sako - tani ka respekt pёr tjetrin e nuk flasim më për të krishterë e myslimanë, por për irakianë, për vëllezër dhe motra".

Kardinali Sako kërkon për Irakun "një klasë politike në shërbim të së mirës së përbashkët".

21 korrik 2021, 10:56