Imzot Pezzuto në Lipa Imzot Pezzuto në Lipa  

Dhurata e Françeskut, refugjatët e Lipa-s do të kenë një strehë

Papa dërgoi një dhuratë për realizimin e disa strukturave në kampin e strehimit të përkohshëm, vendosur në skajin veriperëndimor të Bosnjë-Hercegovinës. Dje paradite u vu guri i parë, në praninë e nuncit, imzot Luigi Pezzuto: “Është shenjë e pranisë së Françeskut në dramën e një mori emigrantësh, të cilët kanë nevojë për solidaritetin e të gjitha vendeve”.

Një ndërhyrje humanitare për t’u dhënë dinjitet njerëzve, që jetojnë në kampin e refugjatëve të Lipa-s,  tronditur thellë orët e fundit nga vdekja e një migranti dhe nga çrregullimet, që pasuan. Kjo, domethënia e nismave, organizuar nga Nunciatura  apostolike. Një shumë, që do të përdoret për realizimin e dy sallave  shumëfunksionale dhe sallës së ngrënies për familjet dhe të miturit e strehuar në kampin e përhershëm të Lipas, në ndërtim e sipër. Dje paradite u organizua ceremonia e vendosjes së gurit të parë, në praninë e nuncit apostolik në Bosnjë-Hercegovinë, imzot Luigi Pezzuto. Për ndërtimin dhe drejtimin e strukturave dhanë ndihmesën e tyre edhe Caritasi dioqezan i Banja Luka-s, ai ambrozian si dhe ojq-të Acli e Ipsia,

“Jam pikërisht për udhë drejt Lipa-s”- kujtoi për Vatican News - imzot Luigi Pezzuto. Me të ishin edhe ipeshkvi i Mostarit, imzot Petar Palić, si dhe drejtori i Karitasit të Mostarit. Programi parashikonte vendosjen e gurit të parë të ndërtesave, që  do t’i ndihmojnë migrantët ta ndjejnë veten në kamp, si të ishin në shtëpi të vet. Nunci nënvizon se ky nuk është gjesti i parë i vëmendjes, që tregon Papa për njerëzit më të ligshtë. “Tetorin e kaluar  - sqaron -  realizuam e përuruam dy qendra të vogla, ku fëmijët mund të luajnë në mjedise të mbyllura, duke pasur parasysh edhe se në këto vende dimri është tepër i ftohtë, mbasi jemi në një zonë malore”. Vende - shtoi imzot Pezzuto -  që nuk duhen vetëm për t’u strehuar, por edhe për të krijuar frymën e harmonisë ndërmjet migrantëve. Vetëm pardje u desh të ndërhynte policia, pas gjetjes së trupit pa jetë të një njeriu, ndoshta i vetëvrarë. Policët u pritën me gurë! Në vijim, pas disa kontrollesh, u gjetën 255 migrantë, shumica afganë e pakistanezë, të strehuar ku kishin mundur, që më pas u zhvendosën në qendrën e Lipas. Ndërmjet tyre, të mitur të pashoqëruar!

Thirrje për solidaritet ndërkombëtar

“Duhet - thekson imzot Pezzuto -  që këta njerëz të jetojnë më mirë materialisht,  për të zbutur edhe marrëdhëniet e reagimet e tyre, fryt i viteve të panumërta të vuajtjeve e të shtegtimeve që bënë, në pritje të një strehe të sigurt”. Nunci përsërit shpesh termin “për t’i humanizuar”, fjalë që e kujton shumë herë edhe Papa, duke folur për kushtet e jetesës së migrantëve në atë, që tashmë njihet si “udha ballkanike”:

“Të veprojmë në mënyrë që këtyre krijesave të brishta e të pambrojtura të mos u mungojë kujdesi i domosdoshëm i kanaleve të përshtatshme humanitare”.

Këtë pati theksuar Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 7 shkurtit 2021, kur më se 9 mijë refugjatë, ardhur nga Afganistani, Pakistani, Bangladeshi, Siria, Iraku, Irani u bllokuan në Bosnjë-Hercegovinë, e jo vetëm në Kampin e Lipa-s, por edhe në strehë të tjera refugjatësh.

Për Lipën nisi të flitej që më 23 dhjetorin e kaluar, pas një zjarri rënë në tendopol, më 23 dhjetor, që i detyroi 1.500 refugjatë të jetojnë në kushte dëshpëruese, nën “strehën” e flokëve të dëborës. U desh të kalojë një farë kohe, në pritje që të rindërtohej kampi.

Për nuncin Pezzuto “njerëzit që jetojnë këtu janë të burgosur, që do të dëshironin të largoheshin sa më shpejt, po shtigjet janë të gjitha të zëna. Duhet solidaritet nga të gjitha shtetet,  që  të shpërndahen me drejtësi në vende  të ndryshme”.

Udha ballkanike është një nga shtigjet e hyrjes së migrantëve e të azilkërkuesve në Evropë. Gjatë pesë vjetëve të fundit,  qindra mijëra njerëz, të ikur nga vendet e tyre për shkak të jetës së vështirë, të luftës a persekutimeve, kanë kaluar nëpër këtë rrugë, Nga viti 2018 kalimi nëpër të përfundon shpesh në Bosnjë-Hercegovinë, ku të dhënat flasin për  9 mijë vetë në kërkim të strehimit, shumica, të strehuar në kampet ndërtuar enkas për ta. Janë familje të tëra, burra, gra, fëmijë, edhe të mitur, të pashoqëruar.

02 korrik 2021, 12:46