Dhunë në Afrikën jugore Dhunë në Afrikën jugore 

Dhunë në Afrikën jugore, Papa: duhen dialog e pajtim

Thirrje e Françeskut për Shtetin eSwatini, ku prej javësh vijon të ashpërsohet dhuna kundër mbretit Mswati III, që bllokon internetin e vendos ndalimin e qarkullimit, si përgjigje kundër manifestuesve, të cilëve po u kundërvihet edhe ushtria. Ipeshkvi i Manzinit, Ponce de Leon, pohon: “T’i përgjigjesh zjarrit me zjarr, do të thotë ta shndërrosh këtë vend në një grumbull me hi”.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje për dialog e paqe në shtetin e eSwatiini (ish Swaziland), në Afrikën jugore, prej nga vijnë lajme të hidhura, që flasin për tension e dhunë. Prej disa javësh këtu vijojnë protestat kundër mbretit Mswati III, monarku i fundit  absolut i kontinentit afrikan, që e qeveris vendin që prej 35 vjetësh:

“I ftoj ata që kanë përgjegjësinë si dhe të gjithë ata, që shprehin aspiratat  e tyre për ardhmërinë e Vendit, të bëjnë një përpjekje të përbashkët për dialog e pajtim  paqësor të qëndrimeve të ndryshme”- kjo, thirrja e Papës.

Protestat nisën që në maj

Protestat shpërthyen për shkak të vrasjes, majin e kaluar, të një studenti të drejtësisë, Thabani Nkomonye. Për vrasjen u akuzua policia. Manifestimi më i fuqishëm i 2019-tës u shtri në të gjithë vendin, e bashkë me të, u ashpërsua edhe sulmi për shtypjen e tij. Si përgjigje ndaj protestave, mbreti bllokoi internetin, shpalli ndalimin e qarkullimit dhe radhiti ushtrinë kundër manifestuesve. Sipas aktivistëve të opozitës, gjatë ndeshjeve gjetën vdekjen dhjetra vetë, e po aq të tjerë u plagosën.

Thirrja e ipeshkvit për dialog

Përballë shkallëzimit të protestave, ipeshkvi i së vetmes dioqezë, imzot Josè Luis Ponce de Leon, bën thirrje për dialog, duke theksuar se “pikërisht dialogu është e vetmja rrugë për të dalë nga kriza. T’i përgjigjesh zjarrit me zjarr, do të thotë vetëm ta shndërrosh gjithë vendin në një grusht me hi!” - paralajmëron prelati, ndonëse i njeh mirë arsyet e protestave. Por e di edhe se e vetmja udhë për të dalë nga kriza, është dialogu i hapur nga të dyja palët. “Siç shkruan Papa Françesku  në ‘Fratelli tutti’, dialogu i mirëfilltë shoqëror kërkon aftësi për t’i respektuar pikëpamjet e tjetrit, duke pranuar mundësinë që përmban bindjet ose interesat e ligjshme”.

Një shtet i varfër, deri në mjerim

Me më pak se një milion banorë, eSwatini është shtet tepër i varfër, me të ardhura vjetore prej 3 mijë dollarësh për kokë - e jetë njerëzore, që zgjasin më pak se 49 vjet. Është edhe një nga vendet e para në botë për të sëmurë  nga Sida.

Vitet e fundit vijon të rritet pakënaqësia e popullsisë, posaçërisht e të rinjve, që kërkojnë liri politike, punë e sidomos, një kryeministër të zgjedhur vërtetë demokratikisht, që është në gjendje ta nxjerrë vendin nga një mjerim i tillë, jo ta fundosë edhe më thellë. Në një kohë kur të bie në sy hendeku ndërmjet jetës luksoze të mbretit e shërbëtorëve të tij – e mjerimit të padurueshëm të popullit.

04 korrik 2021, 16:17