Videomesazhi i Papёs shkollave jezuite nё Amerikёn Latine

Papa: shkollat të jenë vende mikpritëse ku "shërohen plagët personale dhe plagёt e të tjerëve", vende ku të mësojmë t’i shqyrtojmë "shenjat e kohës" dhe ku, mbi të gjitha, zhvillojmë një qëndrim kritik ndaj modeleve të caktuara të zhvillimit dhe të konsumit, që krijojnë "pabarazi të turpshme" "në popullsinë botërore

R.SH. - Vatikan

Vende mikpritëse ku "shërohen plagët personale dhe plagёt e të tjerëve", vende ku të mësojmë të lexojmë e t’i shqyrtojmë "shenjat e kohës" dhe ku, mbi të gjitha, zhvillojmë një qëndrim kritik ndaj modeleve të caktuara të zhvillimit dhe të konsumit, që krijojnë "pabarazi të turpshme" "në popullsinë botërore.

Papa Françesku i parafytyron shkollat ​​në këtë mënyrë, në videomesazhin drejtuar Flacsi, Federatës Latino Amerikane tё Kolegjeve të Jezuitëve, e cila kremton njëzet vjetorin e themelimit të saj. La Federación, ёshtё një rrjet arsimor rajonal, që i përket Konferencës së Provincialёve Jezuitë të Amerikës Latine, përfshin 91 institute në të cilat promovon, duke filluar nga një identitet i përbashkët, marrëveshje mbi politikat, strategjitë dhe veprimet në shërbim të shndërrimit arsimor dhe shoqëror të vendeve të Amerikës Qendrore e tё Amerikës Jugore.

Shkolla tё ndërgjegjshme, qё krijojnë ndërgjegje

Pikërisht ky është misioni që Papa inkurajon të vazhdojë: "Dëshira ime është që shkollat ​​tuaja të kenë ndërgjegje dhe të krijojnë ndërgjegje", thotë Ati i Shenjtё në videomesazhin e tij në gjuhën spanjolle. Papa Françesku fton të "dilet", tё shkohet tek njerёzit, duke ndjekur shembullin e Jezusit "i cili na mëson të krijojmë lidhje me të tjerët dhe me Krijimin". Ja pikërisht mbi këtë duhet të përqendrohemi: "Takimi me të vegjlit, me të varfërit, me të mënjanuarit", pohon Papa . "Shkollat ​​tona le të formojnë zemra të bindura për misionin për të cilin janë krijuar, me bindjen që jeta rritet dhe piqet në atё masë që ne e dhurojmë jetёn tonё për jetën e të tjerëve".

"Jeta qё ruhet përfundon e bëhet një objekt muze me erë myku, e kjo nuk ndihmon, kjo nuk shёrben".

 Në këtë drejtim dëshira e Papёs Françesku ёshtё "që shkollat ​​të jenë" ‘vende mikpritëse‘", domethënë "vende ku mund t’i shërosh plagët e tua dhe plagët e të tjerëve; shkolla vërtet me dyer të hapura e jo vetëm me fjalё tё bukura, vend ku mund të hyjnë të varfrit dhe ku mund të shkojmë për t’i takuar të varfërit ”.

Prandaj, duhen "shkolla ​​që nuk bien në njё elitizëm egoist, por që mësojnë bashkëjetesën me të gjithë, ku jetohet vëllazërimi, duke ditur që gjithçka është e ndërlidhur dhe duke kujtuar se vëllazërimi nuk shpreh, në radhë të parë, një detyrë morale, por përkundrazi identitetin objektiv të racës njerëzore dhe të mbarë krijimit".

Kjo vëllazëri… Ne jemi krijuar në familje, si vëllezër

Papa gjithashtu uron që shkollat ​​e Flacsi-s "të mësojnë të shqyrtojnë e t’i lexojnë shenjat e kohës, të mësojnë ta shikosh jetën personale si dhuratë, për të cilёn duhet tё jemi mirënjohës e tё cilёn duhet ta dhurojmё" dhe, në të njëjtën kohë, "Të kemi një qëndrim kritik mbi modelin e zhvillimit, prodhimit dhe konsumit që çon në mënyrë dramatike drejt paudhësisë së turpshme që bën që shumica e popullsisë botërore të vuajë".

Me pak fjalë, institutet e jezuitёve tё jenё "shkolla të dishepujve dhe misionarëve", thekson Papa Françesku, duke kujtuar mesazhin e konferencës historike të episkopatit të Amerikës Latine në Aparecida (2007). Sё fundi një urim: "Vazhdoni të punoni së bashku, edhe njëzet vjet të tjera, edhe njëzet vjet të tjera dhe njëzet vjet të tjera akoma, sё bashku me Paktin arsimor global" e " pёr promovimin e fesё e tё drejtësisë".

10 qershor 2021, 13:12