Sassoli: nga Papa, inkurajim për t’i mbrojtur më të ligshtit

Intervistë me kryetarin e Parlamentit Evropian, pritur në audiencë nga Françesku: “Bashkimi Evropian po angazhohet për realizimin e disa stabilimenteve në Afrikë, që të mund t’i përgjigjet kërkesave për dozat e vaksinës ndër vendet, që në këto çaste kanë veçanërisht nevojë.

R. SH. - Vatikan

Inkurajim për të mbrojtur çdo njeri, posaçërisht më të ligshtit: ky, mesazhi që kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, mori dje, gjatë takimit me Papën Françesku, në Vatikan. Pas bisedës me Atin e Shenjtë, u intervistua nga Vatican News.

Presidenti Sassoli, ç’mund të na thoni për këtë takim të jashtëzakonshëm e për atë, që mbetet prej tij?

“Një inkurajim i fuqishëm për ta mbrojtur njeriun, kudo që ndodhet e në çdo gjendje. Mbrojtja e njeriut, parë si masë për të gjitha gjërat e tjera. Besoj se ky ishte mesazhi i Atit të Shenjtë. E, natyrisht, edhe inkurajimi  për të punuar në atë mënyrë, që Bashkimi Evropian të jetë gjithnjë në mbrojtje të më ligshtëve, migrantëve, njerëzve që jetojnë në kushte të vështira e, sidomos, atyre që e ndjejnë veten të përjashtuar. E në shpirtin e Evropës, në këto çaste, në mjetet që përdorim, është pikërisht kjo, që kujtoi Papa. Duhet t’i bëjmë sa më pak të ndjeshme pabarazitë e të krijojmë mundësitë për ta mbrojtur çdo njeri, sidomos më të pambrojturit”.

Të prek fakti se në Këshillin e fundit Evropian, çështjes së migrantëve  iu kushtuan vetëm dhjetë minuta ballafaqimi. E nuk ka ende asnjë vendim mbi çështjen e zhvendosjes. Mungon akoma përgjigjja për këtë temë?

“Jam shumë i zhgënjyer, sepse prej kohe përpiqem për këtë, mbasi i takon Evropës ta dëshmojë humanizmin e  saj,  duke i shpëtuar njerëzit në det. Gjatë Këshillit të fundit kërkova të reflektohej mbi nismën e Bashkimit pikërisht për shpëtimin në det. E si mund të kërkojmë t’i mbrojmë të drejtat e njerëzve në të gjitha kontinentet, jashtë hapësirës evropiane, nëse   nuk jemi në gjendje t’i shpëtojmë burrat, gratë e fëmijët brenda saj? Po flasim për disa mijëra njerëz, jo miliona. Ja pra, pse besoj se në këtë përpjekje, që është betejë e madhe politike, përkojmë shumë me inkurajimet që vijnë nga Ati i Shenjtë”.

Pandemia, e vaksinat: Parlamenti evropian foli për liberalizimin, ndërsa Komisioni Evropian mban një qëndrim tjetër, të kundërt….

“Para së gjithash, ne jemi shumë krenarë, sepse që nga 1 janari, 40%  e prodhimit tonë shkoi jashtë Bashkimit Evropian. Asnjë tjetër nuk e ka bërë këtë. As Amerika e as Kina…  E bëmë me bindjen se sigurimi i të tjerëve, është edhe yni! Megjithatë duhet të bëjmë akoma më shumë: për liçencat, për patentat…Tani Bashkimi Evropian është impenjuar për të vaksinuar  Afrikën. Duhet të bëjmë më shumë, por nuk jemi nisur nga zeroja”.

Një temë tjetër, që ka të bëjë shumë me qendërsinë e njeriut, është ajo mbi shëndetin dhe të drejtat riprodhuese e seksuale, ndërmjet të cilave,  aborti,  që quhet shërbim themelor mjekësor. Papa Françesku foli qartë për mbrojtjen e jetës njerëzore e edhe për rrezikun e keqkuptimit të konceptit të të drejtave…

“Kjo rezolutë nuk është detyruese, është rekomandim, në mënyrë që të gjitha vendet të kenë ligjshmëri analoge. Besoj se në këtë drejtim ka manipulime, që duhen lënë mënjanë”...

Një hap mbrapa në histori: më 13 qershor të vitit 1957, ndërsa vijonte aventura e ndërtimit evropian, Piu XII, duke u takuar me disa krerë të lëvizjes evropiane fliste për një Evropë të bashkuara mbi bazën e disa vlerave, duke këshilluar të mos ishin vetëm ekonomike: ftonte për ta shmangur rrezikun e mbylljes së Kontinentit në vetvete e kërkonte të mos harrohej Afrika…

“Besoj se ky reflektim vijon, se nuk kemi arritur në përfundimet, që uronin më 1957 etërit themelues dhe Selia e Shenjtë. Duhet të vijojmë. Historia e Bashkimit Evropian është histori suksesi, por nuk mbaron këtu. Ashtu si nuk mbaron këtu përgjigjja, që i japim krizës, sepse nuk mund të kënaqemi me çka bëmë, që gjithsesi, është shumë e rëndësishme. E duhet të vijojmë, mbasi kriza po hyn në çdo familje, në çdo vend pune. Kemi nevojë për  Evropën, që di të flasë me një zë të vetëm, natyrisht, zë që i përmbledh të gjitha zërat. Një Evropë që nuk ndahet në dy kampe: “Evropa po e Evropa jo!”. E, sidomos, për Evropën që dëshirojnë evropianët. Evropë më të fortë e më të dobishme për ta, për sigurinë e tyre, për t’iu përgjigjur problemeve të tyre. Të dhënat, që kemi, thonë se 70% e qytetarëve dëshiron që Bashkimi Evropian të ketë më shumë kompetenca.

27 qershor 2021, 15:22