Robert Schuman (1886-1963), atë themelues i Evropës, kryetar i parë i Parlamentit Evropian Robert Schuman (1886-1963), atë themelues i Evropës, kryetar i parë i Parlamentit Evropian  

Robert Schuman, atë i Bashkimit të Evropës, shpallet “i Nderuar"

Papa autorizoi shpalljen e dekretit, që njeh virtytet heroike të burrit francez të shtetit, Robert Schuman. Me njohjen e martirizimit, do të lumnohen edhe 10 rregulltare, vrarë në Poloni nga ushtarët sovjetikë, në fund të Luftës II Botërore.

R. SH. - Vatikan

Politikan me mendje të ndritur e zemër të ndjeshme, sa të zërë gjithë Kontinentin e vjetër! Me shpirt, që nuk përkonte me xhepat e tij. Burrë shteti, me intuitë aq të thellë politike, sa të  krijojë unitetin e një kontinenti të sapo dalë nga lufta gjakatare! Politikan i shquar, Robert Schuman hodhi themelet e Evropës së Bashkuar,  duke  vënë në dukje dy vlera nga të cilat Kontinenti i Vjetër nuk mund të hiqte as të heqë dorë: paqja e uniteti. Në deklaratën historike të 1950-tës parlamentari francez propozonte krijimin e bashkimit evropian të çelikut e të qymyrit, hap i parë drejt BE-së.  E bënte thirrje për unitet, dialog, reciprocitet, njohje, lutje të përbashkëta! Kjo, dëshmia e parë, në një Evropë, shpesh të cënuar nga përçarjet, rivalitetet e konfliktet. Që do të konkretizohej përmes aksioneve të solidaritetit, pranë të varfërve e atyre që trokasin në portat e Kontinentit në kërkim të mikpritjes, me bindjen se themeli i Evropës është solidariteti, liria, respektimi i të drejtave njerëzore, vlera që shpesh herë sot nuk respektohen, e aq më pak vihen në jetë. Kështu i Nderuari Schuman shkarkonte nga shpatullat e Evropës së rrënuar, barrën e luftës së kotë, duke e zëvendësuar me parimin, shumë më të vlefshëm, të ndarjes së përbashkët të burimeve ekonomike, që u krijojnë të gjithëve mundësinë për një jetë, e cila meriton të jetohet! Kjo, dhurata, që i bëri Evropës Schuman! Vëllazërimi. Balsam mbi plagët, që i kishte hapur lufta Kontinentit të Vjetër.

Dhjetë rregulltare, martire gjatë pushtimit sovjetik të Polonisë

Me njohjen e martirizimit, do të lumnohen 10 rregulltare të Kongregatës së Motrave të Shën Elizabetës, vrarë në Poloni gjatë Luftës II Botërore. Janë: Paschalina Jahn, Maria Edelburgis Kubitzki, Maria Rosaria Schilling, Maria Adela Schramm, Maria Sabina Thienel, Maria Sapientia Heymann, Maria Adelheidis Töpfer, Maria Melusja Rybka, Maria Acutina Goldberg.

19 qershor 2021, 14:52