Takimi i Papës me anëtarët e Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco) Takimi i Papës me anëtarët e Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco)

Papa për Roaco-n: para se të ngremë ndërtesa, të kujdesemi për “gurët e gjallë”

Duke u takuar me pjesëmarrësit në asamblenë e 94-t të përgjithshme të “Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore” (Roaco), Papa Françesku kujton vuajtjet dhe konfliktet, që cënojnë të tashmen dhe të ardhmen e vendeve të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës

R.SH. - Vatikan

Papa larton britmën e tij të dhimbjes për vendet e munduara dhe popujt e vuajtur, në fjalën e mbajtur gjatë takimit të sotëm me anëtarët e Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco), mbledhur në asamblenë e tyre të përgjithshme nga 21 qershori. Ati i Shenjtë përshkon realitetet kishtare dhe gjeografike, që kërcënohen, ose tronditen nga erërat e luftës, duke pasur parasysh se asambleja u përqendrua sidomos mbi gjendjen në Tokën Shenjte. Vendi i parë që përmend, në fillim të fjalimit, është Iraku, ku ai vetë shkoi në udhëtim apostolik, nga 5 deri më 8 mars 2021. Papa kujton edhe situatën në Eritre, së bashku me “krizën serioze në Liban”, në qendër të punës së Roaco-s, gjatë këtij viti. U kërkon gjithë besimtarëve të botës të luten, më 1 korrik, së bashku me krerët e Kishave të krishtera të vendit të kedrave. Por Françesku mendon edhe për popujt e Izraelit dhe të Palestinës, për të cilët shpreson: “Ëndërrojmë gjithnjë që në qiell - pohon Papa – të shtrihet harku i paqes, dhënë nga Zoti Noesë, si shenjë e besëlidhjes ndërmjet Qiellit dhe tokës, si shenjë e paqes ndërmjet njerëzve”. “Tepër shpesh, megjithatë, edhe kohët e fundit, ata qiej - kujton Bergoglio - janë përshkuar nga predha, që sjellin shkatërrim, vdekje dhe frikë”.

Të kujdesemi për gurët e gjallë

         Një tjetër britmë dhimbjeje lartohet edhe nga Siria, nënvizon Papa, por duket se nuk i prek ata, që kanë në dorë fatin e atij populli. Ati i Shenjtë vë në dukje dhunën e 10 viteve të konfliktit, viktimat, miliona të shpërngulurit dhe nevojën për rindërtim, e cila ende i nënshtrohet logjikës dhe interesave të pjesshme. Në asamblenë e përgjithshme, Roaco shqyrtoi këto ditë edhe gjendjen kishtare në Etiopi, Armeni dhe Gjeorgji. “Nganjëherë - thekson Papa Françesku - është e nevojshme të rindërtohen ndërtesat dhe katedralet, përfshirë ato të shkatërruara nga luftërat, por para së gjithash, duhet të kujdesemi për gurët e gjallë, të plagosur dhe të shpërndarë” anembanë botës.

Mesazhi i “Fratelli tutti”

         Ati i Shenjtë nënvizon se ndjek me shqetësim konfliktin në zonën e Tigray-t, në Etiopi e në Eritrenë fqinjë. Evokon mesazhin e enciklikës “Fratelli tutti” në një situatë, ku ndryshimet ndërmjet etnive dhe lufta për pushtet janë ngritur në sistem. Pastaj, e falënderon Roaco-n për kujdesin e treguar ndaj katolikëve të Gjeorgjisë dhe të Armenisë, duke e shtrirë vështrimin edhe në toka të tjera të martirizuara:

         “Përmes jush dëshiroj të falënderoj të gjithë njerëzit, që mbështesin projektet tuaja dhe që i bëjnë ato të mundshme: shpesh, ata janë besimtarë të thjeshtë, familje, famulli, vullnetarë..., të cilët ndihen ‘të gjithë vëllezër’ dhe përdorin pak nga koha dhe burimet e tyre financiare për ato realitete për të cilat kujdeseni. Më thanë se në vitin 2020, ‘Collecta pro-Terra Sancta’ arriti të mbledhë rreth gjysmën e shumës në krahasim me vitet e kaluara. Sigurisht, kanë ndikuar muajt e gjatë, në të cilët njerëzit nuk mund të mblidheshin në kisha për kremtime, por edhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia. Nëse, nga njëra anë, kjo na bën mirë, sepse na shtyn drejt një thjeshtësie më të madhe, nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos, nëse mendojmë për rrugët e shkreta të Jeruzalemit, pa shtegtarë që shkojnë të përforcohen në fe, por edhe të shprehin solidaritetin konkret me popullsinë vendase. Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve ta rizbulojnë rëndësinë e kësaj bamirësie, për të cilën flet Shën Pali në Letrat e tij dhe të cilën Shën Pali VI deshi ta riorganizojë me Letrën Apostolike ‘Nobis in Animo’, të vitit 1974, që unë po e ripropozoj në aktualitetin dhe vlefshmërinë e saj të plotë”.

24 qershor 2021, 13:01