Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa: nganjëherë lutja bëhet britmë për ndihmë, lartuar Zotit

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa nënvizoi posaçërisht se “gjumi” i Jezusit mbi barkën e jetës sonë, na nxit edhe ne, kur vihemi në provë nga jeta, të ngremë zërin drejt Tij e t’i lutemi, me besim të patundur se pikërisht forca e ëmbël, e jashtëzakonshme e lutjes, është ajo që bën mrekulli.

R. SH. - Vatikan

Fragmenti i Ungjillit të sotëm na sjell menjëherë në mendje lutjen e Papës Françesku më 27 marsin 2020, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, nën shi, kur, megjithatë, askush nuk u ndje i vetëm, pavarësisht prej distancave e kufizimeve të krijuara nga pandemia. E pikërisht  frika e stuhisë, heshtja e Jezusit, gjumi i tij, u rikthyen në fjalët e Papës gjatë Engjëllit të Tënzot, që e nisi duke shfletuar, si zakonisht, faqen ungjillore, sot atë të Markut, ku përshkruhen dishepujt, në barkën që tundet e shkundet nga valët, sa mend mbytet. Jezusi është me ta, në pupë, e fle. Ndërsa ata, të pushtuar keqas nga frika, i ulërijnë në vesh:“Mësues! A nuk e shikon se jemi të humbur?”.

Sa herë lartojmë drejt Zotit britmën tonë për ndihmë

Sa herë, edhe ne, të vënë në provë nga jeta, ngremë zërin drejt Zotit e i lutemi: “Pse hesht, o Zot? Pse nuk bën asgjë për mua të mjerin?”:

“Posaçërisht kur na duket se po fundosemi, sepse dashuria a plani, mbi të cilin i mbështetëm gjithë shpresat, zhduket; ose kur tundemi e shkundemi mbi valët e ankthit; a kur e ndjejmë veten të rrëmbyer nga  rrjedha e problemeve,  a të humbur në mes të detit të jetës, pa timon e pa port”.

Ose akoma - vijoi të kujtojë Papa - në çastet kur nuk kemi më forca për të shkuar përpara, sepse na mungon puna ose një diagnozë e papritur na tmerron, duke na kujtuar se mund të humbasim ndonjë njeri të dashur a vetveten.

Edhe ne frikësohemi, si dishepujt

Në situata të tilla e në shumë e shumë të tjera, që na ngatërrohen nëpër këmbë gjatë jetës  - vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit -  ne dridhemi nga frika e, si dishepujt, nuk arrijmë të shikojmë çka është më e rëndësishme. Po Jezusi është mbi barkë, edhe pse në gjumë të thellë:

“Është aty, mes të tijve. Ndjek gjithçka ndodh përreth. Gjumi i tij, që nga njëra anë na çudit, nga ana tjetër na vë në provë. Zoti  pret që t’i lëshojmë një zë, ta thërrasim, ta vëmë në qendër  të ngjarjes, që po jetojmë. Gjumi i Tij na nxit ne të zgjohemi. Sepse, për të qenë dishepuj të Krishtit nuk mjafton të besosh  se Zoti është, se ekziston, por edhe se duhet të veprojmë me Të,  ta ngremë me Të zërin, e të bërtasim me Të”.

Kemi nevojë për Zotin

Duke jetuar këto çaste dramatike të jetës së dishepujve, nuk mund të mos pyesim: cilat erëra tundin e shkundin jetën time? Cilat dallgë ma pengojnë lundrimin?

“T’ia themi gjithçka Jezusit, t’ia rrëfejmë gjithçka. Ai e do këtë, e dëshiron kërkon të kapemi pas Tij për të shpëtuar nga dallgët e furishme të jetës”. Ungjilli na tregon sesi dishepujt i afrohen Jezusit, e zgjojnë, i flasin. E ky është fillimi i fesë sonë - nënvizoi fort Papa në lutjen e Engjëllit - ta pranojmë se të vetëm nuk mund të rrimë përmbi ujë, se kemi nevojë për Jezusin, që ta gjejmë drejtimin. Feja nis nga çasti kur e ndjejmë se nuk i mjaftojmë vetvetes, nga çasti kur e ndjejmë se kemi shumë nevojë për Zotin.

Larg tundimit të mbylljes në vetvete

Kur e mundim tundimin e mbylljes në vetvete, kur e kapërcejmë fenë e rreme, që nuk do të shqetësohet nga Zoti, kur e lartojmë kah Zoti zërin në kupë të qiellit, Ai mund të bëjë në ne mrekullira! Është forca e butë e jashtëzakonshme e lutjes, që bën mrekulli!

Pse keni frikë. Nuk besoni akoma?

Pas lutjes së dishepujve Jezusi i paqton erën e valët. E u drejton pyetjen, tejet domethënëse për njerëzit e të gjitha kohërave: “Po a ende nuk besoni?”.

Dishepujt ishin kapëthyer nga frika, sepse ia kishin ngulur sytë valëve, jo Jezusit. Njëlloj si ne: sa herë rrimë të ngrirë, duke shikuar problemet tona, në vend që të shkojmë te Zoti e t’i lëmë në Të ankthet, që na e brejnë zemrën:

“Sa herë e lëmë Zotin mënjanë, në fund të barkës së jetës, për ta zgjuar vetëm në çastin e nevojës!”.

Të kërkojmë hirin e një feje, që kërkon Zotin

Të kërkojmë sot - ishte ftesa e Papës në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - hirin e një trokitjeje tek porta e zemrës së Tij.

“Maria, që në jetën e saj nuk pushoi kurrë së besuari në Zotin,  e rizgjoftë në ne nevojën jetike për t’ia besuar vetveten Atij, çdo ditë!”.

Thirrje e re për Mianmarin

Në përfundim të lutjes mariane, Françesku bashkoi zërin me atë të ipeshkvijve të Mianmarit, që e bënë të vetën dhimbjen e popullsisë së uritur. “Zemra e Krishtit - u lut - i prektë zemrat e të gjithëve e të sjellë paqen në Mianmar”

Më pas Papa kujtoi Ditën Botërore e Refugjatit, themeluar  nga Kombet e Bashkuara, duke i ftuar të gjithë njerëzit vullnetmirë “t’i ndihmojnë ata, që ikin nga luftërat e nga dhuna, për të krijuar, kështu, një bashkësi  gjithnjë më njerëzore”.

Së fundi, përshëndetja drejtuar besimtarëve të shumtë e, posaçërisht, Shoqatës së Prijësve e Skautëve katolikë italianë:  delegacionit të Nënave mësuese në shkollat italiane si dhe të rinjve të Qendrës “Atynë” të Palermos, themeluar nga don Puglisi.

20 qershor 2021, 13:26