Takimi i Papës me meshtarët e Konviktit të Shën Luigjit të Francezëve Takimi i Papës me meshtarët e Konviktit të Shën Luigjit të Francezëve 

Papa: meshtarët të jenë shërbëtorë, jo priftërinj superman me ëndrra madhështie

Françesku priti sot në audiencë Bashkësinë e Konviktit të Shën Luigjit të Francezëve, në Romë. Porosia e Papës: “Vëllazëria juaj të jetë dëshmi, në gjirin e një shoqërie të prekur nga individualizmi e indiferenca. Ruajuni nga tundimi i izolimit e i përgojimit të të tjerëve.

R. SH. - Vatikan

Të zhvishen nga vetvetja e nga “idetë e parapërgatitura”, për ta shikuar në sy realitetin e për të kuptuar si duhet kumtuar Ungjilli. E t’i zëvendësojnë “ëndrrat e madhështisë”, me ëndrrën për një Kishë të vënë krejtësisht në shërbim  “të një bote vëllazërore e solidare”. Të heqin dorë nga ambicjet  e vetë-vlerësimi, për ta vënë Zotin dhe njeriun në qendër të shqetësimeve të përditshme.  Papa Françesku u besoi një mandat të saktë, që nuk është tjetër, veçse ai i shprehur në homelinë e Meshës së bagmit 2013 - kur i pati ftuar të jenë “barinj me erën  e deleve” - meshtarëve të bashkësisë së Konviktit të Shën Luigjit të Francezëve. Është fjala për kolegjin, që ndodhet në kompleksin e famullisë së mirënjohur, në qendër të Romës, pikë referimi për bashkësinë franceze në Itali, ku ruhen tri vepra të Caravaggios, ndër të cilat, Zoja e famshme e shtegtarëve.

Vëllazërim, në një shoqëri ku sundon individualizmi

Duke kujtuar se në jetën e përbashkët nuk mungon kurrë tundimi për krijimin e grupeve të vogla, për t’u mbyllur, për t’u izoluar, për të kritikuar   për të folur keq për të tjerët, për ta konsideruar vetën më të mençur,  Ati i Shenjtë u kërkoi meshtarëve ta shikojnë njëri-tjetrin si dhuratë. Me vëllazërimin e jetuar  vërtetësisht e sinqerisht, në një jetë luteje - u kujtoi Ati i Shenjtë të pranishmëve - mund të formohen bashkësi në të cilat thithet ajri i gëzimit e i dashurisë.

Protagonistë, në shërbim të një bote më vëllazërore

Papa e nxiti bashkësinë meshtarake të Shën Luigjit të ketë horizonte të hapura, të ëndërrojë një Kishë gjithnjë në shërbim e një botë gjithnjë më vëllazërore e më solidare. E për këtë - u kujtoi - duhet të ofroni kontributin tuaja, si protagonistë:

“Mos kini frikë të rrezikoni. Si meshtarë, jeni lyer me vajin e gëzimit. E vetëm duke mbetur me rrënjë në Krishtin, mund të provoni  gëzimin,  që ju nxit të fitoni zemrat. Gëzimi meshtarak është burimi i veprimtarisë, si misionarë të kohës suaj”.

Mirënjohje për Zotin e njëri-tjetrin

Së fundi, Papa i ftoi të jenë gjithnjë mirënjohës. Mirënjohës për Zotin  e për çka janë ndaj njëri-tjetrit. Me kufizimet e tyre, me brishtësitë, trazirat. Por edhe, e sidomos, me vetëdijen se nuk u mungon kurrë një sy, që i shikon me dashuri e i mbush me besim:

“Mirënjohja  - kujtoi Papa - është gjithnjë ‘armë e fuqishme’, që të ndihmon ta mbash të ndezur flakën e shpresës në çastet e çkurajimit, të vetmisë, të provës”.

Në përfundim Françesku ia besoi secilin prej të pranishmëve, familjarët e tyre, personelin e shtëpisë së tyre si edhe besimtarët e famullisë së Shën Luigjit të Francezëve, ndërmjetësimit të Marisë e mbrojtjes së Shën Luigjit!

07 qershor 2021, 12:50