Papa: kush nuk i pranon të varfërit, tradhton Krishtin. Jo vetëm lëmoshë! Drejtësi!

Në mesazhin për Ditën Botërore të të Varfërve, që do të kremtohet më 14 nëntorin e ardhshëm, me temë “Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete”, Papa Françesku u drejton një thirrje të fuqishme të krishterëve dhe qeverive të mbarë botës për të ndërhyrë menjëherë e në mënyrë të re, në një kohë kur të varfrit, për shkak të pandemisë, “u shtuan pa masë”. Duhen ndryshuar stilet e jetës, nëse duam ta zhdukim varfërinë. Burimi i saj është gjithnjë egoizmi.

R.SH. - Vatikan

Në Betani Jezusi u kujton të gjithëve “se i varfri i parë është Ai vetë, më i varfri ndërmjet të varfërve, që i përfaqëson të gjithë” e në emër të gjithëve  e pranon gjestin e gruas, që ia lyen kokën me parfumin e çmueshëm. Kështu e shpjegon Papa Françesku, në Mesazhin për Ditën V botërore të të varfërve, që do të kremtohet më 14 nëntorin e ardhshëm, zgjedhjen e temës, shkëputur nga Ungjilli i Markut: “Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete”. “Besimtarët, kur duan ta shohin Jezusin e ta prekin me dorë - shton - e dinë ku duhet të drejtohen: të varfrit janë sakramenti i Krishtit, e  përfaqësojnë e na çojnë tek Ai”.

Të varfrit, në qendër të udhës së Kishës

Në mesazh, Papa kujton kritikën e Judës, që e kundërshon gruan kur derdh mbi kokën e Krishtit parfumin e kushtueshëm, me vlerë rreth 300 dinarë, shifër që - thotë apostulli tradhtar - mund t’i shpërndahej të varfërve. Në të vërtetë - vëren Shën Gjoni Ungjilltar - Juda e thoshte këtë jo pse i bëhej vonë për të varfrit, “por sepse ishte hajdut e, me që kujdesej për kasën, donte ta  merrte për vete gjithçka hidhej në të”. E Françesku nënvizon me forcë: “Kush nuk i pranon të varfrit, tradhton mësimin e Jezusit e nuk mund të jetë dishepulli i Tij”. Të varfrit - vëren - janë “në qendër të udhës së Kishës”.

Me pandeminë, të varfrit u shtuan tej mase

E sot, vëren Papa, plaga e pandemisë  e shtoi më shumë se kurrë numrin e  të varfërve, sepse sëmundja, “edhe kur nuk sjell me vete vuajtjen e  vdekjen, paralajmëron varfërinë”. Kështu numri i të varfërve u rrit pa masë e, për fat të keq, do të rritet akoma muajt e ardhshëm:

“Disa vende për shkak të pandemisë, po kalojnë, çaste tejet të rënda. Njerëzve më të ligësht u mungojnë edhe gjërat më të domosdoshme për jetën. Radhët e pafundme para mencave për të varfrit flasin qartë  për këtë keqësim të gjendjes”.

Duhet gjetur - sqaron Françesku - rrugëzgjidhja më e përshtatshme për ta luftuar virusin në nivel botëror, pa shikuar interesat e pjesëshme. Posaçërisht urgjente, përpjekja për përgjigje konkrete “me projekte të promovimit njerëzor” për të gjitha viktimat e papunësisë, që po prek një mori baballarë familjesh, grash e të rinjsh”. Gra, si palestinezja e paemër, që parfumon kryet e Jezusit e që, me ndjeshmërinë femërore, “dëshmon se është e vetmja që e kupton me të vërtetë gjendjen shpirtërore të Zotit”. Sepse gratë - vijoi Papa - “shpesh herë të diskriminuara, edhe më shpesh të përjashtuara nga detyrat me përgjgësi, në Ungjijtë “janë protagoniste të historisë së zbulesës”.

Papa: britma e heshtur e të varfërve ta gjejë Kishën në vijën e parë të duarve të shtrira

Papa flet, në vijim, për natyrën e varfërisë, që nuk është fryt i fatit, “po pasojë e egoizmit”. E, në vijim, u bën thirrje qeverive dhe institucioneve botërore, për të zgjedhur një model shoqëror largpamës, të aftë për t’u bërë ballë formave të reja  të varfërisë, sfidë për qeveritë dhe institucionet botërore  në dhjetëvjeçarët e ardhshëm:

“Nëse të varfrit janë në skutat e shoqërisë, si të ishin fajtorë për gjendjen e  tyre – atëhere vetë koncepti i demokracisë vihet në krizë dhe çdo politikë shoqërore bëhet dështake”.

Me përvujtëri - vijon Françesku - duhet të rrëfejnë se nuk ishin kompetentë për të varfërit. Për ta flitet me fjalë abstrakte, me statistika a me ndonjë dokumentar, që projekton pamje mjerimi, të cilat i bëjnë të lotojnë edhe gurët. Po varfëria nuk ka nevojë për lot të tillë! Ka nevojë, e të ngutshme për projekte krijuese, që  mund ta shërojnë këtë plagë.

Nuk mjafton lëmosha,  duhet ndarja e përbashkët, e përhershme

Shprehja e Jezusit kur thotë “Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete”, sqaron Papa Françesku, është ftesë për të mos e harruar kurrë mundësinë që kemi për të bërë mirë. Nuk është fjala për ndonjë lëmoshë të hollë, të hedhur në shuplakën e skamnorit, për të lehtësuar ndërgjegjen. Ajo që duhet bërë, është t’i kundërvihesh kulturës së indiferencës e të padrejtësisë ndaj të varfërve. Edhe sepse lëmosha është e rastit, ndërsa ndarja e përbashkët, e përhershme!

Financa pa skrupuj dhe kurthet e përjashtimit

Françesku parafrazon, më pas, fjalët e tij, shkruar në Evangelii gaudium, ku i thotë “jo” ekonomisë së përjashtimit e të padrejtësisë, “jo” ekonomisë që vret. E kërkon një sistem ekonomik, që vë në qendër të vëmendjes interesat e ca kategorive të privilegjuara, ndërsa të varfrit i shikon si barrë e padurueshme. Është një treg, që injoron ose seleksionon parimet etike dhe krijon kushte çnjerëzore, që peshojnë mbi njerëzit, të cilët jetojnë në mospasje të thellë.

Ta pranojmë Krishtin në jetën e të varfërve

Për të krishterët - ngulmon Papa - ekziston një lidhje e pashkëputshme ndërmjet Jezusit, të varfërve dhe Ungjillit. Fytyra e Zotit, që ai na e dëfton, është ajo e një Ati për të varfërit e pranë të varfërve. E gjithë jeta dhe vepra e Jezusit dëshmon se varfëria nuk është fryt i fatalitetit, “po shenjë konkrete e pranisë së Tij ndërmjet nesh”. Jezusin nuk e gjejmë “kur e ku duam”, por në jetën e të varfërve, në vuajtjen e tyre, në mospasjen e  tyre, në kushtet e jetës së  tyre, shpesh çnjerëzore, në të cilat detyrohen të jetojnë:

“Nuk lodhem kurrë së përsërituri se të varfërit janë ungjillëzuesit e vërtetë, sepse të parët që u ungjillëzuan e u thirrën të ndajnë me Krishtin lumturitë dhe Mbretërinë e tij. Të varfërit, në çdo gjendje e çdo skaj e skutë na ungjillëzojnë, sepse na krijojnë mundësinë t’i zbulojmë në një mënyrë gjithnjë të re,  tiparet  e mirëfillta të fytyrës së Atit”.

14 qershor 2021, 14:03