Papa Françesku e Papa i nderit Benedikti XVI Papa Françesku e Papa i nderit Benedikti XVI

Papa: Benedikti XVI, njeriu që lutet për Kishën

Shtatëdhjetë vite pas shugurimit meshtarak të Benediktit XVI, Papa Françesku, në fund të Engjëllit të Tënzot, shprehu gjithë mirënjohjen, afërsinë dhe dashurinë e tij, për atë, që e konsideron “baba dhe vëlla”

R.SH. - Vatikan

“Një përvjetor, që prek zemrat e të gjithëve”. Kështu e kujtoi Papa Françesku 70-vjetorin e meshtarisë së Papës së nderit, Benedikti XVI. Në përshëndetjet e fundit, pas Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë përmendi se pikërisht në Solemnitetin e Shën Pjetrit e Shën Palit, më 29 qershor 1951, në katedralen e Frajsingut, u shugurua meshtar Jospeh Ratzinger, çast qendror në jetën e tij, siç e ka thënë vetë disa herë.

Dëshmi e besueshme e vështrim gjithnjë drejt Zotit

         Duartrokitjet në shesh, të cilat dëshmojnë për dashurinë e jashtëzakonshme që gëzon Papa i nderit, ndoqën menjëherë fjalët plot mirënjohje dhe afërsi të Atit të Shenjtë, Françeskut:

“70 vjet më parë, Papa Benedikti u shugurua meshtar. Ty, o Benedikt, atë dhe vëlla i dashur, të drejtohet dashuria, mirënjohja dhe afërsia jonë. Ai jeton në një kuvend, vend i menduar për bashkësitë kundruese këtu në Vatikan, që të luten për Kishën. Aktualisht, është ai kundruesi i Vatikanit, i cili e kalon jetën duke u lutur për Kishën dhe për dioqezën e Romës, ku është ipeshkëv nderi”.

E para se të përfundonte, Papa e përsëriti falënderimin e tij:

“Faleminderit, Benedikt, atë e vëlla i dashur. Faleminderit për dëshminë tënde të besueshme. Faleminderit për vështrimin tënd gjithnjë të kthyer drejt horizontit të Zotit: faleminderit!”

Ajo ditë vere e 70 viteve më parë

Kështu, kanë kaluar 70 vite nga ajo ditë në katedralen e Frajsingut, kur Papa i nderit u shugurua meshtar, në duart e kardinalit Michael von Faulhaber, kryeipeshkëv i Mynihut dhe i Frajsingut. “Ishim më se dyzet kandidatë – kujton vetë në librin ‘Jeta ime’, San Paolo 1997 - kur na thirrën dhe ne u përgjigjëm Adsum, ‘Ja ku jam’. Ishte ditë e mrekullueshme vere, e cila mbetet e paharrueshme, si çasti më i rëndësishëm i jetës sime”. “Nuk duhet të jemi supersticiozë, por kur kryeipeshkvi i moshuar vuri duart mbi mua, një zog i vogël - mbase një lark - u ngrit nga altari kryesor i katedrales dhe këndoi gëzueshëm; për mua ishte sikur një zë nga lart më tha: çdo gjë në rregull, je në udhën e duhur”, vazhdon Ratzinger.

Mesha e parë

         Ndërkaq, për meshën e parë, kremtuar më 8 korrik në Traunstein, Papa i nderit, gjithnjë në autobiografinë e vet, shpreh pasurinë e kushtimit të tij ndaj Zotit: “E përjetova - shkruan Benedikti XVI - kaq drejtpërdrejt sa shumë presin njerëzit nga meshtari, sa e presin bekimin e tij, që buron nga forca e sakramentit. Nuk ishte fjala për mua apo për vëllain tim: ç’rëndësi kishin dy të rinj si ne për njerëzit e shumtë, që takuam? Ata shihnin tek ne personat, të cilëve Krishti u kishte besuar detyrën për ta bërë atë të pranishëm ndërmjet njerëzve”.

29 qershor 2021, 14:16