Shën Pjetri Shën Pjetri 

Monda: fjalët e Papës, kardinalit Marx: jehonë e trashëgimisë së Pjetrit

Drejtori i L’Osservatore Romano komenton letrën me të cilën Françesku nuk pranoi dorëheqjen e kryeipeshkvit të Munihut e Frisingës: tekst tronditës, që do t’i bëjë ballë kohës.

R. SH. - Vatikan

Letra nuk i drejtohet vetëm kardinalit Marx, por të gjithëve, çdo katoliku që jeton sot në të katër anët e tokës. E lehtë të parashikosh se kjo Letër është një nga tekstet më të rëndësishme të Papnisë së Françeskut. Edhe një herë Bergoglio (që e thërret “vëlla” kë do fort), e ushtron lirisht e me autoritet atësinë me një nga bijtë e tij, përmes një letre, shumë përtej përgjigjes, që i jepet një ipeshkvi, i cili kërkon dorëheqjen.

Do të ketë jetë shumë të gjatë, kjo përgjigje. Është tekst, që e pasuron më tej trashëgiminë edhe kështu, tejet të pasur, të Papës Françesku. Trashëgimi, që i shtohet asaj dymijëvjeçare të Kishës, nisur me atë të Pjetrit, të cilën Papa në letër e përshkruan me saktësi pikëlluese (është fragmenti më prekës i gjithë tekstit): “Është udha e Shpirtit Shenjt ajo, që duhet të ndjekim, e pikënisja është rrëfimi i përvuajtur: gabuam! Mëkatuam! Nuk do të na shpëtojnë as hetimet, as pushteti e as forca e institucioneve. Nuk do të na shpëtojë prestigji i Kishës sonë, që përpiqet t’i fshehë mëkatet e veta; nuk do të na shpëtojë as pushteti i parasë, as opinioni i mediave (tepër shpesh varemi prej tyre). Do të na shpëtojë porta e të Vetmit, që mund të na bëjë ta rrëfejmë lakuriqësinë tonë: “Mëkatova”; “mëkatuam”…  e  të qarët e belbëzimi si të mundemi i asaj “largoju nga unë, jam mëkatar”, trashëgim që Papa i parë ua la Papëve e ipeshkvijve të Kishës. E atëherë do të ndjejmë në shpirt turpin shërues, që hap portat e mëshirës dhe të dashurisë së Zotit, gjithnjë pranë nesh”.

Të qajmë e ta bëlbëzojmë padenjësinë tonë: ja, kjo është trashëgimia e Pjetrit, që Françesku e bën të veten e ia këshillon çdo besimtari katolik. Kalon nëpër këtë udhë çdo reformë e vërtetë e Kishës. E kujton këtë Papa, duke ecur mbi gjurmët e paraardhësve, që e bënë të vetën trashëgiminë e Papës së parë, peshkatarit të Kafarnaos: atë “më fal, o Zot”  përballë gjithë gabimeve të së kaluarës, që i bëmë më se një herë, në rrethana të ndryshme, edhe pse nuk morëm pjesë personalisht në këto ngjarje historike. Kjo është sjellja, që na kërkohet sot. Na kërkohet një reformë që - në këtë rast - nuk shprehet me fjalë, por me sjellje që kanë guximin  të hyjnë në krizë, ta pranojnë realitetin, pavarësisht nga pasojat. E çdo reformë nis nga vetvetja! Reformat e Kishës i bënë burrat e gratë, që nuk patën frikë të hyjnë në krizë e ta lënë të reformohet nga vetë Zoti. Është udha e vetme, përndryshe nuk do të jemi tjetër, veçse “ideologë reformash”, që nuk duan ta vënë në lojë korpin e vet”.

Më 12 mars 2000, gjatë vitit të Jubileut të Madh, Kisha shqiptoi me gojën e Shën Gjon Palit II një “mea culpa” solemne e kërkoi falje për të gjitha mëkatet e bëra në histori, duke kujtuar, ndërmjet tjerash: “Për secilin nesh, që me sjelljet e veta, pati pjesë në këto të këqija, duke kontribuar për ta shëmtuar fytyrën e Kishës, kërkojmë përvujtërisht falje!”. Edhe asokohe pati nga ata, që polemizuan për këtë kërkim faljeje, ashtu si pati kritika për “udhën pendestare”, nisur nga Benedikti XVI përballë shkandullit të abuzimeve. Ata që tani, ashtu si atëhere, kuptojnë e polemizojnë, janë “ideologë”, që kanë projekte e reforma e që e harrojnë reformën e vërtetë, e vetmja e mundshme: “Zoti nuk pranoi kurrë të bënte ‘reforma’, as me planin farize, as me atë saduçe a zelotë a esen. Por e bëri me jetën e vet, me historinë, me korpin e tij mbërthyer mbi kryq. Kjo është forca e Kishës, kryqi! I vetmi vend ku Jezusi njihet si mbret e Bir i Zotit. E kjo është trashëgimia e bijve të Zotit, të udhëhequr dashurisht nga bariu pasardhës i Pjetrit!”.

12 qershor 2021, 16:32