Mianmar, Papa: tronditëse situata e të shpërngulurve, të rikthehet paqja!

Në përfundim të lutjes mariane, Françesku bashkoi zërin me atë të ipeshkvijve të Mianmarit, vend që, pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit të kaluar, është një hap larg urisë së mirëfilltë e me ndërtesat e kultit të sulmuara. Në Ditën Botërore të Refugjatit, ftesa “për t’ua hapur zemrat njerëzve, që ikin nga lufta, dhuna e varfëria”. E edhe porosia: “Duhet të mësojmë nga qëndrueshmëria e tyre”.

R. SH. - Vatikan

Zëri i Françeskut bashkohet me zërin e ngarkuar me dhimbje të ipeshkvijve të Mianmarit, vendit që po jeton një dramë të vazhdueshme, pas grushtit të Shtetit të 1 shkurtit të kaluar. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku foli për një përvojë, që të këput shpirtin. Përvojën, që po jeton një popull i tërë, i shpërngulur, i tmerruar e një hap larg zisë së bukës. E, nga dritarja e Pallatit Apostolik, pohoi se e mbështet plotësisht thirrjen e ipeshkvijve të vendit të cilët, më 11 qershorin e kaluar, kërkuan të mbrohen korridoret humanitare në zonat e konfliktit, të respektohet shenjtëria e vendeve të kultit e të sigurohet jeta e civilëve, posaçërisht e pleqve dhe e fëmijëve:

“Bashkoj zërin tim me atë të ipeshkvijve të Mianmarit të cilët, javën e kaluar, bënë thirrje, duke tërhequr vëmendjen e mbarë botës tek kjo përvojë e tmerrshme, që po jetojnë mijëra njerëz, të cilët u shpërngulën në këtë vend, ku po bëhen gati të vdesin nga uria”.

Mianmar, ipeshkvijtë: të mbrohen ndihmat humanitare, populli po vdes urie

Konferenca ipeshkvnore e Mianmarit, e kryesuar nga kardinali Charles Bo, javën e kaluar bëri një thirrje publike, përmes së cilës kërkonte  mbrojtjen e jetës së popullit e, njëkohësisht, fliste për gjendjen e “mijëra njerëzve,  që po vdesin nga uria e nga sëmundjet ndër xhunglat e vendit, pa strehë, pa ujë as ajër të pastër”. E si të mos mjaftonte kjo, këto ditë ushtarakët, pasi sulmuan kishat e manastiret, ku u strehuan të shpërngulurit pas sulmit mbi shtëpitë e tyre, po godasin drejtpërdrejt ndihmat humanitare, që duhet t’u shkojnë njerëzve të strehuar ndër pyje, duke i shkatërruar e duke i djegur, ashtu si edhe furnizmet mjekësore për refugjatët.

Papa Françesku kërkon të respektohen vendet e kultit

Papa bëri të veten thirrjen e ipeshkvijve, duke cituar drejtpërdrejt fjalët e tyre:

“Ne lutemi - thonë ata - me gjithë mirësjelljen, që të lejohen korridoret humanitare e që kishat e pagodat, manastiret e xhamitë, tempujt e shkollat e spitalet  të respektohen si vende asnjanëse strehimi”.

Në përfundim,  ftesa për lutje me të gjithë vëllezërit e motrat e botës:

  “Zemra e Krishtit - u lut Papa - i prektë zemrat e të gjithëve e sjelltë paqen në Mianmar”

Më pas Françesku kujtoi edhe Ditën Botërore e Refugjatit, themeluar nga Kombet e Bashkuara, duke i ftuar të gjithë njerëzit vullnetmirë…

 “…t’i ndihmojnë ata, që ikin nga luftërat e nga dhuna, për të krijuar, kështu, një bashkësi  gjithnjë më njerëzore, si një familje e vetme”.

20 qershor 2021, 14:06