Lutja e Papës për Burkina Faso: Afrika ka nevojë për paqe

Sulm dramatik në veri-lindje të vendit afrikan, nga më gjakatarët e viteve të fundit. Dënimi i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit evropian

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa kujtoi se lutet për Burkina Fason, që po tronditet keqas nga dhuna:

“Dëshiroj të siguroj se lutem për viktimat e masakrës së kryer natën ndërmjet së premtes e të së shtunës në një qytezë të Burkina Faso-s. Jam pranë familjarëve si dhe mbarë popullit burkinabè, që po vuan shumë për shkak të këtyre sulmeve të përsëritura. Afrika ka nevojë për paqe, jo për dhunë”.

Sipas llogarive, numri i të vdekurve e ka kaluar shumë atë  të masakrave të mëparshme,  aq sa sulmi i  natës të së premtes, në fshatin Solhan, në veri të vendit, jo larg nga kufiri me Nigerinë, të konsiderohet më i përgjakshmi i viteve të fundit. Flitet për 130 viktima, ndërmjet të cilave, edhe fëmijë e gra. Kujtohet se ishin ekzekutime, jo fryt i rastësisë. Gjë që e tregon edhe fakti se pas vrasjeve, shtëpive pranë tregut vendas iu kall flaka. Ky, që është vendi ndër më të vafërit në botë, duhet të durojë tani edhe dhunën xhihadiste të lidhur me Al-Kaedën dhe me Shtetin islamik, që e pushtoi prej më se pesë vjetësh këtë vend të dëshiruar për paqe e bukë!

Më 2009, thirrja e Papës për dialog ndërfetar

Ndonëse deri tani nuk njihen autorët e këtij krimi të ri, besohet plotësisht se duhet të jenë xhihadistët pas kësaj masakre në provincën e Yagha, ku ndodhet fshati, në një zonë që njihet me emrin “Tre kufijtë”, ndërmjet Burkina Fasos, Malit e Nigerit, ku vijojnë sulmet kundër ushtarakëve e civilëve, për t’iu kundërvënë trupave të huaja, duke nisur nga ato të Francës, që ndodhen aty pikërisht për t’i dhënë fund dhunës, e cila deri tani ka shkaktuar rreth 1,2 milionë të shpërngulur e një numër të papërckatuar viktimash, sipas OKB-së, 1.800 vetëm në vitin 2019, vit në të cilin Papa Françesku  bënte thirrje, duke kërkuar dialog ndërfetar kundër dhunës.

Dënimi i OKB-së dhe i BE-së

Trupat e viktimave  të këtij sulmi u varrosën në gropa të përbashkëta ndërsa autoritetet e vendit shpallën zi kombëtare për tri ditë e vijojnë të kërkojnë shkaktarët. Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterrez e dënon këtë sulm, e Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të  të lartë, Josep Borrel,  e quan  barbar, ndërsa  ripohon  angazhimin  për të luftuar, së bashku me Burkina Fason dhe vendet e tjera të rajonit, kundër pasigurisë e për fuqizimin  e pranisë së shtetit në zonat e goditura.

06 qershor 2021, 14:22