Shtegtimi Apostolik në Kore 2014 Shtegtimi Apostolik në Kore 2014  

Ipeshkvi korean Lazzaro You Heung-sik është Prefekti i ri për Klerin

Papa miratoi dorëheqjen e kardinalit Beniamino Stella për arritjen e moshës së pensionit. Siç ka ndodhur me Kongregatën e Kultit, edhe për Dikasterin që merret me meshtarët, ndryshimi i kryesisë do të paraprihet nga një vizitë apostolike.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku miratoi dorëheqjen e kardinalit Beniamino Stella për arritjen e moshës së pensionit dhe emëroi Prefekt të Kongregatës për Klerin, ipeshkvin e Daejeon (Kore), Lazzaro You Heung-sik, 69 vjeç. Prefekti i ri e njeh personalisht Papën, të cilin e priti në dioqezën e tij gjatë shtegtimit të Françeskut në Kore, në gusht 2014. 

Dy fjalë për jetëshkrimin e Prefektit të ri për Klerin

I lindur në vitin 1951, i shuguruar meshtar për dioqezën e Daejeon, Lazzaro You Heung-sik, u emërua ipeshkëv-ndihmës në të njëjtën dioqezë në vitin 2003 e, dy vjet më pas, mori në dorë drejtimin e saj të plotë.  Prefekti i ri, që ishte edhe kryetar i Komitetit për paqen pranë Konferencës ipeshkvnore koreane, e ka vizituar katër herë Korenë e Veriut.

 Emërimi i një ipeshkvi korean në Kongregatën për Klerin, që pason atë të kardinalit Luis Antonio Tagle në krye të Propaganda Fides, tregon qartë vëmendjen e Papës Françesku për  Kontinentin aziatik.

Pak ditë më parë  ipeshkvi i Mondovì, Egidio Miragoli, pati njoftuar me një letër klerin e dioqezës së vet se qe ngarkuar nga Papa “për të kryer, në emrin e tij, një vizitë në Kongregatën për Klerin, në prag të njoftimit për ndërrimin e kryesisë të dikasterit”. 

Vizita pason atë që u krye nga kryeipeshkvi Claudio Maniago në Kongregatën e Kultit Hyjnor, pas dorëheqjes së kardinalit guinean Robert Sarah. Ka shumë mundësi që kjo praktikë të përsëritet nga Papa Françesku  edhe për ndërrimin e krerëve të dikastereve të tjera.

 Emërimi në Kongregatën për Klerin pritej prej kohe: Prefekti aktual, kardinali Beniamino Stella, mbush 80 vjeç më 18 gushtin e ardhshëm. Nunc apostolik e më pas edhe president i Akademisë Papnore Kishtare, Stella qe emëruar në krye të Kongregatës për Klerin në shtator 2013, pak muaj pas zgjedhjes së Papës.

Françesku vendosi që kardinali Stella “të mbetet në krye të dikasterit  derisa drejtimin e tij ta marrë Prefekti i ri”.

11 qershor 2021, 14:23