Gjon Pali II dhe Mihail Gorbaçovi Gjon Pali II dhe Mihail Gorbaçovi 

Gjon Pali II dhe fundi i BRSS, ndërmjet lirisë e fesë

U paraqit këto ditë, në Romë, vëllimi kushtuar rolit të Karol Wojtylës gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik: përpjekjet për të rivendosur lidhjet diplomatike me Moskën e për të ringritur në këmbë Kishën katolike. Jan Mikrut, profesor pranë Universitetit Gregorian, që e përgatiti për shtyp, kujton: “Njohës i mirë i tragjedisë së të krishterëve nën sundimin e komunizmit, Papa Wojtyla qe i palodhur në dialog e në angazhim ekumenik”.

Shthurja e BRSS në vitin 1991, ishte një nga kthesat më të mëdha, që jetoi bota gjatë papnisë së Karol Wojtylës e që hapi një fazë të re për të krishterët, të vënë në prova të rënda, më se 70 vjet nën komunizëm. Vëllimi “Gjon Pali II: Kisha katolike në BRSS dhe në vendet e dala nga shthurja e tij”, botuar nën kujdesin e teologut dhe historianit Jan Mikrut, profesor në Universitetin Gregorian, nga Gabrielli Editore, tregon historinë e atyre viteve: që nga dalja e Mihail Gorbaçovit në skenën  e Moskës, tek shtegtimet e Gjon Palit II në Republikat pas-sovjetike, ndërsa Shqipëria komuniste vijonte të luhatej ndërmjet territ e dritës, në pritje të ndryshimeve… Libri u paraqit këto ditë në një webinar pranë Universitetit Papnor Gregorian, në praninë e kardinalit Leonardo Sandri, Prefekt i Kongregatës për Kishat lindore; kardinalit Sigitas Tankevicius, kryeipeshkëv nderi i Kaunas dhe kryeipeshkvit metropolit Ioann i Kishës ortodokse. Biseduam me redaktorin e librit, Jan Mikrut:

Profesor Mikrut, si ishte gjendja e katolikëve në BRSS, në çastin e shthurjes ?

“Gjendja e Kishës katolike në Bashkimin Sovjetik ishte e ndryshme, sipas vendeve, e edhe e vështirë, posaçërisht pas vitit 1945, kur brenda Bashkimit Sovjetik u përfshinë Vende si Letonia, Lituania, Estonia, Bjellorusia, Ukraina. Këto troje, të lidhura historikisht me Kishën katolike në Poloni e me kulturën polake, kishin një jetë fetare plot gjallëri, por që  nisi të shuhet dalëngadalë nën thundrën e hekurt të qeverisë sovjetike. Mund të themi se në trojet e pafundme të Bashkimit Sovjetik liria fetare ndahej në tre grupe, sipas numrit të katolikëve e sipas zonave. Zona e parë ishte ajo e Republikave baltike, e përbërë nga Lituania, Letonia, Estonia – ku Kisha gëzonte më shumë liri, në krahasim  me pjesën tjetër të BRSS. Posaçërisht Lituania, që kishte një nga bashkësitë më të organizuara katolike. Në Kaunas, për shembull, në këtë periudhë - e kjo ka shumë rëndësi - u riorganizua Seminari i Madh. Një tjetër ishte në Rigë, në Letoni, për formimin e meshtarëve, që do të shërbenin, pastaj, në të gjitha trojet e Bashkimit Sovjetik. Po ky nuk ishte rezultat i kënaqshëm. Para pushtimit, në Kaunas kishte shumë seminare, me qindra seminaristë, të cilët në periudhën sovjetike u katandisën në 25-30. E njëjta situatë ishte edhe në Rigë, ku qe tejet e vështirë të gjeje vend në seminar, mbasi kandidatët pranoheshin vetëm me lejën e autoriteteve qeveritare sovjetike. Kuptohet vetvetiu ç’ kushte duhet të përmbushnin, për ta marrë lejën. Në zonën e dytë të lirisë fetare ishin bashkësitë katolike të Bjellorusisë, Ukrainës dhe të pjesës evropiane të Rusisë. Këtu, pas luftës, u krijuan menjëherë një mori vështirësish. Komunistët e dëbuan ipeshkvin e fundit, që kish mbetur akoma në këto troje. Katolikët u ndanë në grupe të vogla, nën kujdesin e meshtarëve, të cilët punonin në kushte tepër të vështira, sepse duhet të merrnin leje për kryerjen e çdo shërbese fetare - nga rrëfimi- tek vajimi i njerëzve që jepnin shpirt e mund të arrinin në botën tjetër, pa arritur ende leja e nevojshme për sakramentin e fundit. Pjesa tjetër e territorit të BRSS i përkiste zonës së tretë, ku nuk kishte mbetur asnjë kishë e hapur, e nuk kishte as meshtarë të autorizuar, ndonëse ishte ende gjallë ndonjë që, në mënyrë heroike, por gjithnjë klandestine, kryente funksione fetare, kur ishte e mundur”.

Me shembjen e BRSS dhe takimet e Gjon Palit II me Mihail Gorbaçovin rifilloi dialogu me Rusinë. Ç’ bëri Papa për të krishterët? Për ndërtimin  e Kishës në hapësirat pas-sovjetike?

“Për rëndësinë që pati veprimtaria e Gjon Palit II në ndihmë të Kishës, në Bashkimin Sovjetik, flasin nismat e tij, dokumentet, enciklikat, por edhe  rivendosja e marrëdhënieve diplomatike të Vatikanit me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e çliruara prej tij. Afrimet e para ishin ato të viteve  1988, kur Kisha ortodokse kremtoi solemnisht mijëvjeçarin e pagëzimit  të Rusisë në Kiev, ku mori pjesë edhe një delegacion zyrtar i Vatikanit. Në të njëjtin vit Mihail Gorbaçov shqiptoi dy fjalë krejt të reja, të padëgjuara kurrë më parë, që nisën të përsëriten në të katër anët e botës: glasnost dhe perestroika, të cilat u vunë në bazë të politikës së tij. Një ndryshim epokal  lidhet me vizitën e Gorbaçovit në Vatikan, më 1 dhjetor 1989. Gjon Pali II u prek thellë nga kjo vizitë, me vetëdijen se bëhej fjalë për njërin nga përfaqësuesit më të lartë të sistemit sovjetik, i cili për dhjetra vite me radhë, në mënyrë tejet të rafinuar, organizonte persekutimet më të egra kundër Kishës dhe jetës fetare të katolikëve në këto troje. Me këtë rast Gorbaçovi u tregua i gatshëm të hapë rrugën e bashkëpunimit e kështu, më 29 janar 1990 u emërua një nunc apostolik pranë qeverisë së Bashkimit Sovjetik. Ishte Francesco Colasuonno, që arriti në Moskë më 6 maj 1990. Nunci vizitoi Bjellorusinë, Ukrainën, Lituaninë, Letoninë, Republikat qendraziatike dhe u prit me entuziazëm festiv, si përfaqësues i Papës, e si të ishte i pranishëm vetë Papa. U takua edhe me ata pak ipeshkvij, që kishin shpëtuar gjallë në Lituani e Letoni, me meshtarët, që punonin në klandestinitet e nisi dialogun me ortodoksët. Shumë shpejt u përgatiten edhe emrat për ipeshkvijtë në Lituani e Letoni, në Ukrainë e në Republikat e tjera sovjetike. E më pas u fol edhe për krijimin e dy dioqezave në Rusi- e pikërisht në Moskë - dhe Novosibirsk. E, në fund të majit 1990, u emërua edhe përfaqësuesi i Bashkimit Sovjetik pranë Selisë së Shenjtë, Yuri Karlov. Në tetor u miratua në BRSS ligji mbi lirinë e ndërgjegjes dhe mbi organizatat fetare, ndërmjet të cilave, edhe ato katolike”.

E popullsitë? Si e pritën Gjon Palin II, që i vizitonte dhjetra vjet pasi kishin vegjetuar nën thundrën e komunizmit?

“Ëndrra e Gjon Palit II e edhe e Papëve të tjerë, ishte - e është akoma - të shkonte në Rusi. Nuk mundi ta realizonte këtë ëndërr, po vizitoi një mori vendesh të tjera, që bënin pjesë në Bashkimin Sovjetik. Letoninë e Estoninë, në shtator 1993. Më 1999, Estoninë. Në Ukrainë shtegtoi më 2001 e, po në këtë vit, në Kazakistan e Armeni. Ndërsa më 2001 ishte në Azerbaixhan. Vizita e Papës për këto popuj  të shtypur për dhjetra vjet nën thundrën e sistemit komunist sovjetik, ishte një nga format e lirisë së ndërgjegjes e të dinjitetit të njeriut, edhe pse këta popuj ishin shumë të lidhur tradicionalisht me jetën fetare”.

 E më 1993 edhe Shqipëria, një nga vendet, që vuajti më shumë nën thundrën e komunizmit, pati fatin të takohet me Papën Wojtyla. Takim i paharrueshëm… Por, për të mësuar më shumë lidhur me Gjon Palin II dhe fundin e BRSS, mund të shfletoni librin e ri “Gjon Pali II dhe Kisha katolike në BRSS dhe në vendet e dala nga shthurja e tij”. Në faqet e librit shumëkush ndoshta mund të gjejë vetveten. Pa çka se pa emër! E doemos, kujtimet e asaj dite kur Papa Polak largohej nga Shqipëria duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme e, poliglot i madh siç ishte, edhe këto fjalë të shqiptuara  në gjuhën shqipe: “Edhe një herë ju përshëndes me gjithë zemër”.

20 qershor 2021, 15:05