Papa mes fëmijëve të sëmurë Papa mes fëmijëve të sëmurë 

Françesku: mjekimi, mision ku takohen shkenca e natyra njerëzore

Mesazh i Papës drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën kombëtare italiane kushtuar shëndetit mendor, që nisi sot në Romë. Në të vihet në dukje jo vetëm qendërsia e njeriut, por edhe rreziku i njollës, që ka të bëjë me këtë tip patologjie, si edhe ftesa “për thellimin e kulturës së bashkësisë”.

R. SH. - Vatikan

“Fryma e shërbimit, gatishmëria publike, por sidomos, humanizmi e afërsia për t’iu kundërvënë kulturës së hedhurinës”. Këtë thekson  Françesku në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në punimet dyditore, organizuar nën kujdesin e Ministrisë italiane të Shëndetësisë, njëzet vjet pas Konferencës së parë kombëtare, mbajtur më 2001. Objektivi, trajtimi i disa temave, që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, parë si kusht për zhvillimin dhe përgjegësinë publike, lidhur me të drejtën e mjekimit  dhe të funksionimit transparent të shërbimeve, duke respektuar të drejtat e qytetarëve.

Mision, që kërkon kushtet e nevojshme

Në mesazhin e tij, Papa thekson posaçërisht angazhimin e mjekëve dhe të punonjësve të tjerë të shëndetësisë, të cilëve u kërkohet “vetëdije  e lartë profesionale e humane”, në përpjekjen për t’i mjekuar “vëllezërit e motrat”  që pandemia i vuri para një prove të rëndë, me pasoja shkatrrimtare. Prej këndej, Françesku uron që jo vetëm të forcohet sistemi shëndetësor në aspektin teknik, por edhe rrjeti i shoqatave, që janë gjithnjë pranë të sëmurëve e familjeve të tyre, sepse - ripohon - në qendër të vëmendjes duhet të jetë gjithnjë kujdesi për njeriun, që ka nevojë si për shërbim shëndetësor, ashtu edhe për dashuri dhe afërsi:

“Kanë shumë rëndësi kushtet ku jeton i sëmuri, të cilit nuk duhet t’i mungojë ngrohtësia e dashuria e bashkësisë. Edhe vetë mjekët përfitojnë nga kujdesi i gjithanshëm për njeriun. Të kujdesesh për të afërmin nuk është thjesht punë e vlefshme, por edhe mision i mirëfilltë, që realizohet plotësisht, kur njohuritë shkencore shoqërohen me humanizmin e shndërrohen në dashuri, që di t’u afrohet të tjerëve e t’i ndihmojë me gjithë zemër” .

Në jetën e plagosur, është bukuria e dinjtetit njerëzor

Kësaj u shtohen aspekte të tjera të dhimbshme, që kanë të bëjnë me shëndetin mendor: mungesa e shpresës e rreziku i njollosjes. Prej këndej, ishin të nevojshme këto ditë ballafaqimi, ndërmjet specialistëve dhe institucioneve - kujtoi Papa - në ndihmë të njerëzve, që vuajnë nga sëmundje mendore:

“Është fjala për kapërcimin e plotë të damkës, me të cilën njolloset shpesh  sëmundja mendore e, në përgjithësi, për çlirimin e kulturës së bashkësisë nga mendësia e hedhurinës, sipas së cilës duhet treguar kujdes e vëmendje më e madhe, për ata që i sjellin më shumë përfitime shoqërisë, duke harruar se ata që vuajnë, e bëjnë të shndrisë, me jetët e tyre të plagosura, bukurinë e pacënueshme të dinjitetit njerëzor”.

Urimi i fundit: që kjo konferencë, e mbajtur në një çast të vështirë si ky aktual, të forcojë bindjen se  “nuk duhet lënë pas askush e se duhet të vijojë  kujdesi solidar”.

25 qershor 2021, 14:24