Risi për Sinodin e Ipeshkvijve: fillohet nga Kishat lokale

Tetorin e ardhshëm, Papa do të fillojë një rrugëtim 3-vjeçar sinodal të ndarë në tri faza (dioqezane, kontinentale, universale), për konsultime e reflektime që do të kulmojnë me asamblenë e tetorit 2023, në Romë

R.SH. - Vatikan

“Njëri të dëgjojë të tjerët; e të gjithë të dëgjojnë Shpirtin Shenjt”. Për ta bërë konkret e të dukshëm sinodalitetin e uruar nga Papa Françesku që nga fillimi i papnisë së tij, Sinodi i ardhshëm i Ipeshkvijve nuk do të kremtohet vetëm në Vatikan, por në çdo Kishë të veçantë, në pesë kontinentet, pas një itinerari 3-vjeçar në tri faza: dëgjimi, shoshitja e konsultimi. Laikët, meshtarët, misionarët, rregulltarët, ipeshkvijtë, kardinajtë, para se të diskutojnë, të reflektojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve mbi sinodalitetin në asamblenë e tetorit 2023, në Vatikan, do ta jetojnë atë personalisht. Secili në dioqezën e tij, secili me rolin e me kërkesat e tij.

Një proces sinodal i gjithanshëm

 Itinerari sinodal, miratuar nga Papa, njoftohet sot me një dokument të Sekretarisë së Sinodit, në të cilin shpjegohen mënyrat e veprimit. “Një proces sinodal i gjithanshëm do të realizohet me të vërtetë, vetëm nëse Kishat e veçanta përfshihen në të”, lexohet në tekst. Përveç kësaj, e rëndësishme është edhe pjesëmarrja e “organizmave të ndërmjetme sinodale, pra, e Sinodeve të Kishave Katolike Lindore, e Këshillave dhe e Asambleve të Kishave ‘sui iuris’ dhe e Konferencave Ipeshkvnore, me shprehjet e tyre kombëtare, rajonale dhe kontinentale”.

Për herë të parë, një Sinod i decentralizuar

 Është hera e parë, në historinë e këtij institucioni, themeluar nga Papa Pali VI si përgjigje e dëshirës së etërve konciliarë për ta mbajtur gjallë përvojën kolegjiale të Koncilit II të Vatikanit, që një Sinod fillon në mënyrë të decentralizuar. Në tetor 2015, Papa Françesku, duke përkujtuar 50-vjetorin e këtij institucioni, hodhi idenë e rrugëtimit të përbashkët të “laikëve, barinjve kishtarë, Ipeshkvit të Romës”, përmes “përforcimit” të asamblesë së ipeshkvijve dhe “decentralizimit të shëndoshë”.

Dëshira bëhet realitet

Duke kapërcyer çdo “tundim për uniformitet”, Sinodi do të hapet si në Vatikan, ashtu edhe në çdo dioqezë. Udha do të përurohet nga Papa në Vatikan, më 9 dhe 10 tetor. Do të vijojnë tri faza - dioqezane, kontinentale, universale - të cilat do të shërbejnë për ta dëgjuar me të vërtetë Popullin e Zotit, duke i përfshirë të gjithë ipeshkvijtë në nivelet e ndryshme të jetës kishtare.

Faza dioqezane: konsultimi i Popullit të Zotit

Duke ndjekur të njëjtën skemë, pra, një çast takimi/reflektimi, lutjeje dhe kremtimi eukaristik, Kishat e veçanta do të fillojnë rrugëtimin e tyre, të diel, 17 tetor, nën kryesinë e ipeshkvit dioqezan. “Objektivi i kësaj faze është konsultimi me Popullin e Zotit, në mënyrë që procesi sinodal të kryhet duke dëgjuar tërësinë e të pagëzuarve”, lexohet në dokument. Për të lehtësuar pjesëmarrjen e të gjithëve, Sekretaria e Sinodit do të dërgojë një tekst përgatitor, të shoqëruar me një pyetësor dhe një udhëzues me propozimet për realizimin e konsultimit.

I njëjti tekst do t’u dërgohet Dikastereve të Kuries, Bashkimeve të Eprorëve dhe të Eproreve Kryesore, bashkimeve e federatave të jetës së kushtuar, lëvizjeve laike ndërkombëtare, universiteteve e fakulteteve të teologjisë. Para tetorit 2021, çdo ipeshkëv do të emërojë një përgjegjës dioqezan. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe Konferencat Ipeshkvnore për t’u lidhur me Sekretarinë e përgjithshme të Sinodit. Në fund të rrugëtimit dioqezan, do të mbahet një “Mbledhje para sinodale”, ku do të renditen rezultatet e konsultimit, për t’iu dërguar çdo Konference Ipeshkvnore. Ipeshkvijtë do t’i shqyrtojnë propozimet e do t’i dërgojnë Sekretarisë së Sinodit, përfundimet e tyre para prillit 2022. Kështu do t’i paraqiten Sekretarisë edhe kontributet e organizmave të tjera kishtare, pas të cilave Sekretaria do të përpilojë “Instrumentum Laboris”, që do të publikohet në shtator 2022.

Faza kontinentale: dialog e shoshitje

Fillon kështu, faza e dytë e rrugëtimit sinodal, ajo “kontinentale”, e planifikuar deri në mars 2023. Do të dialogohet mbi tekstin e “Instrumentum Laboris” në nivelin kontinental, duke e shqyrtuar atë sipas veçorive kulturore të çdo kontinenti. Edhe në këtë rast, do të zgjidhet një përgjegjës për lidhjet me Sekretarinë e Sinodit. Asambletë kontinentale do të hartojnë një dokument përfundimtar, që do të dërgohet në mars 2023 në Sekretarinë e Sinodit. Njëkohësisht me takimet kontinentale, do të mbahen edhe asambletë ndërkombëtare të specialistëve, të cilët mund të dërgojnë kontribute. Më në fund, do të hartohet një “Instrumentum Laboris” i dytë, i cili duhet të botohet në qershor 2023.

Faza universale: ipeshkvijtë e botës në Romë

Ky rrugëtim i gjatë, i cili synon “ushtrimin e kolegjialitetit brenda ushtrimit të sinodalitetit”, do të kulmojë në tetor 2023 me kremtimin e Sinodit në Romë, sipas procedurave të vendosura në kushtetutën “Episcopalis Communio”, miratuar nga Papa Françesku, në vitin 2018.

21 maj 2021, 14:21