Testata e  La Civiltà Cattolica në gjuhën spanjolle Testata e La Civiltà Cattolica në gjuhën spanjolle  

Papa: La Civiltà Cattolica, më shumë se revistë, është përvojë shpirtërore

Françesku i shkruan këto radhë me rastin e ribotimit në gjuhën spanjolle të revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica” në fillim të vitit injacian, gjatë të cilit Shoqëria e Jezusit do të kremtojë 500-vjetorin e kthesës së Shenjtit të Lojolës. “Juaja është revistë e pashoqe në llojin e saj”, lexohet në letrën e Papës drejtuar etërve shkrimtarë dhe bashkëpunëtorëve të revistës, themeluar në vitin 1850, që botohet në tetë gjuhë.

R. SH. - Vatikan

Urimet e mia edicionit spanjisht të revistës La Civiltà Cattolica” që po rifillon botimet - shkruan Papa. Revista juaj është e pashoqe në llojin e vet, e jo vetëm pse mbushi 170- vjet jete. Më shumë se revistë, është përvojë e vërtetë shpirtërore, komunitare e intelektuale, e cila përqendrohet mbi një bashkësi jezuitësh, mbi Kolegjin e shkrimtarëve, që bashkëjeton e shqyrton, zgjidh e përpunon temat, që duhen trajtuar.

Me botimin në gjuhën italiane, angleze, frënge, ruse, kineze, koreane e japoneze, ju arrini tek një publik i gjerë. E, duke folur edhe spanjisht tani,  revista e zgjeron numrin e lexuesve dhe hap sfida të reja. Keni para jush lexuesit e 21 vendeve të gjuhës spanjolle!

Ndaj ju ftoj: vozitni! Me pasion e vendosmëri në barkën e Pjetrit, si jezuitë të mirë! Vozitni me penën tuaj, duke dialoguar me të gjithë, duke synuar të dilni në det të hapur!

Këkojeni Zotin, aty ku gjindet, posaçërisht tek ata, që kanë etje e uri për të vërtetën, e cila gjen shprehjen e vet në veprat e dashurisë e të mëshirës.

Kërkoni në fusha të ndryshme të reflektimit filozofik e teologjik  të Popujve të Spanjës, Amerikës Latine, Karaibeve, gërmoni në kulturat e tyre, në shkencën e tyre, në artin e angazhimin shoqëror e politik.

Posaçërisht në këto kohë krize, me reflektimin tuaj, ju vini në shërbim të mbarë njerëzimit Ungjllin e Mbretërisë së Zotit, si gurrë shëlbimi për kohën tonë!”.

19 maj 2021, 13:25