Funerali i patriarkut të Cilicisë së Armenëve Katolikë Funerali i patriarkut të Cilicisë së Armenëve Katolikë 

Papa kujton Gregory Peter XX Gabroyan: me të isha pranë popullit armen

Françesku dërgoi një mesazh me rastin e salikimeve, sot paradite, të patriarkut të Cilicisë së Armenëve Katolikë, vdekur më 25 majin e kaluar: ndamë shumë çaste të veçanta së bashku, që më krijuan mundësinë ta kisha pranë, shkruan Papa. Kardinali Zenari, delegat në kremtimin mortor.

R. SH. - Vatikan

Sot paradite u kremtua funerali solemn i kreut të Kishës armene-katolike, patriarkut Gregory Peter XX Ghabroyan, që ndërroi jetë në Beirut, të martën e kaluar, në moshën 86 vjeçare. Ishte i sëmurë prej disa muajsh. Në meshën e dritës së Kardinalit të ndjerë, Papën e përfaqësoi kardinali Mario Zenari, nunc apostolik në Siri, që lexoi edhe mesazhin  e Françeskut, drejtuar imzot Boutros Marayati, tani administrator i Kishës Patriarkale të Cilicisë së Armenëve. Kremtimi u mbajt në Katedralen Armene Katolike të Shën Gregorit Ndriçues-Shën Elia në kryeqytetin libanez. U kryesua nga imzot Marayati, ndërsa homelinë e shqiptoi imzot Kevork Assadourian, ipeshkëv-ndihmës i Beirutit, për shumë kohë bashkëpunëtor i Gregorit Peter XX.

Bekimi i posaçëm

Në mesazhin e tij me këtë rast, Papa kujtoi disa çaste të jetuara me “vëllain e dashur në Krishtin”, Patriarkun e Cilicisë së Armenëve,  duke nisur nga zgjedhja e tij verën e vitit 2015. Para se të pranonte - kujton Papa - më kërkoi një bekim të posaçëm, “që të mund të ishte në gjendje ta drejtonte Kishën patriarkale, pavarësisht nga mosha e shkuar”. “Më 7 shtator 2015 bashkëkremtuam në Romë Eukaristinë, e cila pati domethënien e Ecclesiastica Communio; e mbajtëm së bashku të lartuar Korpin dhe Gjakun e Krishtit që, shenjë  e dukshme, në themel të çdo shërbimi në Kishë, është bashkim me Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur. Më 2016 ishte me mua gjatë Shtegtimit Apostolik në Armeni, posaçërisht kur vizitova katedralen e Ordinariatit për besimtarët armeno katolikë në Evropën Lindore, në Gymri, së bashku me sivëllezërit ipeshkvij të Sinodit të Kishës Patriarkale. Me mua ishte edhe në vitin 2018, me rastin e përurimit të Shtatores së Shën Gregorit të Narekut, në Kopshtet e Vatikanit.

Përgjigjja e Patriarkut thirrjes së Zotit për ta ndjekur

Afërsia me Patriarkun - kujton akoma Papa -  u bë shkas edhe për afërsinë time me popullin armen, “që vuajti aq shumë gjatë historisë, duke e ruajtur me besnikëri besimin në Krishtin Shëlbues”. Papa kujtoi edhe një mori nismash të përbashkëta për popullsitë më të prekura nga luftërat në Siri e Liban. Kohët e fundit - kujtoi akoma - nisën t’i ligështoheshin forcat fizike. E atëhere i bëri vetes pyetjen nëse ishte ende në gjendje ta drejtonte Kishën armene si Patriark: përgjigjen ia dha Zoti, duke i drejtuar ftesën e fundit për ta ndjekur!

29 maj 2021, 14:22