Skaut, Papa: punoni për një Kishë në dalje e për një botë më njerëzore

Papa Françesku u takua me një delegacion të “Scouts Unitaires de France”, lindur 50 vjet më parë - lëvizja e tretë franceze e këtij lloji për nga numri i anëtarëve - duke i ftuar ata të jenë “të krishterë dinamikë dhe skautë besnikë” e të mbjellin shpresë e bashkim

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë, në Vatikan, anëtarët e “Scouts Unitaires de France”, që festojnë 50-vjetorin e themelimit. Në botën e sotme, në të cilën vërehet degradimi i marrëdhënieve njerëzore, mungesa e modeleve të denja për rininë, si edhe shtimi i problemeve të të rinjve, për shkak të emergjencës shëndetësore pandemike, u tha Ati i Shenjtë, lëvizja e skautëve i ndihmon ata të ëndërrojnë e të guxojnë për ta parë me shpresë të ardhmen.

“Vërtet, përmes pedagogjisë suaj të vëllait dhe motrës më të madhe, që mbrojnë dhe shoqërojnë të vegjlit, duke i ndihmuar me durim t’i zbulojnë dhe t’i bëjnë të frytshme talentet e dhuruara nga Zoti, ju dëshmoni – nënvizoi Papa - se ‘të gjithë kemi nevojë të jetojmë marrëdhënie të vërteta njerëzore, jo vetëm ato virtuale, veçanërisht në moshën kur formohet karakteri dhe personaliteti’ (Mesazhi ‘Urbi et Orbi’, 4 prill 2021). U jam veçanërisht mirënjohës çifteve, që ju mbështesin dhe ju dëshmojnë bukurinë e martesës”.

Të krishterë koherentë

Papa Françesku i ftoi skautët francezë e, përmes tyre, gjithë skautët e botës, të jenë të krishterë dinamikë, që e ndihmojnë Kishën të përhapet ndërmjet njerëzve. Për këtë, është e nevojshme që ata të jenë koherentë me vlerat e skautizmit, të kenë bindje të fuqishme, bazuar në Ungjill e, t’ua hapin zemrën të tjerëve, duke i mirëpritur.

Lindur në shkurt 1971, me nismën e një grupi drejtuesish të “Scout de France”, që ishin kundër ndarjes së degës së ndërmjetme të "éclaireurs" (eksplorues), me moshë 12 deri 17 vjeç, në dy degë të moshës 12-14 dhe 14-17, “Scouts Unitaires de France” kanë mbi 31 mijë anëtarë, duke u pozicionuar në vendin e tretë në Francë.

Respekt për ambientin

Ati i Shenjtë përmendi një veçori tejet të njohur të skautëve, atë të respektit për ambientin e për natyrën, por i nxiti të reflektojnë edhe mbi faktin se marrëdhëniet me natyrën nuk mund të jenë të shëndosha, nëse nuk janë të tilla edhe marrëdhëniet njerëzore themelore.

“Ju ftoj – u tha Papa Françesku - të mos shkurajoheni nga egoizmi i botës, të mos mbylleni në vetvete, të mos jeni të rinj të amullt, pa ide dhe pa ëndrra. Mos harroni kurrë se Zoti ju bën thirrje ta bartni pa frikë kumtin misionar, kudo ndodheni, veçanërisht ndërmjet të rinjve, në lagjet tuaja, në sport, kur dilni me miqtë, kur bëni vullnetarin, ose kur punoni. Gjithnjë dhe kudo, ndani me të tjerët gëzimin e Ungjillit, që ju jep jetë! Zoti dëshiron që të jeni dishepujt e tij dhe të përhapni dritë e shpresë, sepse ai ka besim në vendosmërinë, në guximin dhe në entuziazmin tuaj”.

Skautët, njerëz të lirë

Lëvizja e skautëve duhet të mbjellë shpresë dhe ta ndihmojë botën të rizbulojë jetën në bashkësi, përfundoi Papa Françesku, duke uruar që jubileu i sivjetëm të shërbejë për të rinovuar trashëgiminë e të parëve të skautizmit, për t’i ndihmuar të rinjtë të bëhen “njerëz të lirë e të përgjegjshëm, me respekt për të tjerët e për ambientin”.    

14 maj 2021, 12:30