Papa Françesku i prin Rruzares, për njerëzimin e plagosur

Për njerëzit e prekur nga afër prej Covid, për të vdekurit e familjet e tyre, për ata, që jetojnë të pasigurt, mjekët, infermierët, shkencëtarët e vullnetarët, por edhe për të papunët, gratë që pësuan pasojat e mbylljes së detyruar e për ata, që i humbën shpresat: për të gjithë këta njerëz u tha mbrëmë Rruzarja, së cilës i priu Papa Françesku, në Bazilikën e Vatikanit. Ishte etapa e parë e zinxhirit që, deri në fund të majit, do ta bashkojë botën në një lutje të vetme.

R. SH. - Vatikan

“Në muajin maj i lartojmë sytë drejt Nënës së Zotit, shenjë ngushëllimi  e shprese të sigurt, e themi njëzëri Rruzaren për t’i përballuar së bashku provat e kësaj kohe e për të qenë gjithnjë të bashkuar si një familje e vetme shpirtërore”. Këtë tweet botoi Papa Françesku dje pasdite, e shtunë, 1 maj. E pastaj mbrëmë, në orën 18.00, i priu vetë Rruzares, i ndjekur nga mijëra besimtarë të gjunjëzuar në shenjtëroret e botës mbarë, ku lutja do të vijojë gjatë gjithë muajit, në dritën e shprehjes biblike: “Nga e gjithë Kisha i lartohej paprerë lutja Zotit” (Vap 12,5).

Lutje drejtuar Marisë, për njerëzimin që vuan

Në takimin e dëshiruar nga Françesku, që filloi në Bazilikën e Vatikanit, pranë Kapelës Gregoriane, ku ruhen reliket e Shën Gregor Naciancenit, Doktor dhe Atë i Kishës, jehoi një zëri lutja drejtuar Zotit për fundin e pandemisë. Para ikonës të Zojës së Ndihmës, nderuar që në shekullin VII, Papa Françesku lartoi drejt qiellit këtë lutje:

“Në fillim të muajit kushtuar Marisë, bashkohemi në lutje me të gjitha shenjtëroret e përhapura në të katër anët e botës, me besimtarët e me të gjithë njerëzit vullnetmirë, për ta lëshuar në duart e Nënës sonë të Shenjtë mbarë njerëzimin e vënë në provë të rëndë në këtë kohë pandemie. Çdo ditë të këtij maji t’i besojmë Ty, o Nënë e Mëshirës, njerëzit e shumtë, të prekur nga virusi, të cilët vijojnë të vuajnë: nga vëllezërit e motrat tona, që ndërruan jetë, tek familjet që jetojnë të zhytura në dhimbje e në pasiguri për të nesermen; nga të sëmurët e mjekët, tek shkencëtarët, infermierët, të angazhuar në vijën e parë të frontit në këtë betejë, vullnetarët dhe të gjithë profesionistët që u dhanë ndihmesën e tyre të pakursyer të tjerëve; nga njerëzit e zhytur në zi e në dhimbje, tek ata që, me një buzagaz të thjeshtë e një fjalë të mirë, ngushëlluan kë kishte më shumë nevojë; nga ata - posaçërisht gratë - që pësuan dhunë ndërmjet mureve shtëpiake për shkak, të mbylljes së detyruar, tek ata që dëshirojnë t’i rifillojnë me entuziazëm ritmet e jetës së përditshme! O Nënë e Ndihmës, pranona nën mantelin tënd, mbrona në këtë orë prove e ndize në zemrat tona dritën e shpresës për të ardhmen”.

Familje, pleq e të rinj i kërkojnë ndihmë Nënës

Më pas, gra e burra, të rinj e fëmijë, ardhur nga famullitë e Romës dhe të Lacios, së bashku me të rinjtë  përfaqësues të Lëvizjeve të Ungjillëzimit të Ri, thanë njëzëri pesëdhjetë Falemimritë, pas leximit të Mistereve të Lumnisë. E ndërsa  luteshin, në mikrofon ndjehej edhe gugatja e ndonjë foshnjeje, mbajtur në krah nga nëna në lutje, në mes të pranisë shumëngjyrëshe të besimtarëve. Ishte populli, që i lutej Marisë. Populli, të cilin Papa e ndiqte i ulur përballë altarit, me rruzaren në dorë. Në përfundim të pesë mistereve, u këndua himni “Të falemi Mbretëreshë”, për të vijuar me litanitë, intonuar nga kori. E Papa Françesku iu lut përsëri Zojës.

“Në këtë situatë dramatike, ngarkuar me vuajtje e ankth – kujtoi - që e kanë mbërthyer mbarë botën, ngarendim kah Ti, Nënë e Zotit e Nëna jonë, e kërkojmë strehë nën mbrojtjen tënde”.

E Papa iu lut Zojës edhe për të gjithë ata që, me lot në sy e dhimbje në zemër, qajnë për të dashurit e vdekur, të varrosur në një mënyrë, që u hap plagë të reja zemrave, për ata që nuk munden as t’u rrinë te koka të sëmurëve të dashur, nga frika e infektimit. E i kërkoi besim edhe për njerëzit që janë të kapërthyer nga ankthi për ardhmërinë e paqartë e  pasojat e saj mbi ekonominë e mbi punën. Papa u lut, në vijim, për shkencëtarët, që Zoti t’ua ndriçojë mendjet e të gjejnë rrugëzgjidhjet, të cilat i japin fund kësaj mënxyre.

Françesku bekon 30 rruzare

Si shenjë bashkimi në lutjen e përbotshme, Papa bekoi 30 rruzare, të cilat do të dërgohen në tridhjetë shenjtëroret, ku do të thuhet lutja, e cila mund të ndiqet nga të gjithë besimtarët e botës, përmes mjeteve të komunikimit. E, në përfundim Ati i Shenjtë u dha të gjithëve bekimin e tij apostolik.

Kështu, në mënyrë të jashtëzakonshme, e nisi Papa maratonën e lutjes në Majin më të jashtëzakonshëm të Zojës, për ta përfunduar më 31 maj, në Kopshtet e Vatikanit.

02 maj 2021, 11:21