Papa Françesku përshëndet gratë në Vatikan Papa Françesku përshëndet gratë në Vatikan

Papa emëron një grua në Gjykatën e Vatikanit

Papa Françesku emëroi profesoreshën Lucia Bozzi, pedagoge e së Drejtës Private në Universitetin e Foggia-s, në Itali, si magjistrate shtesë në Gjykatën e Shtet-Qytetit të Vatikanit. Njoftimi u dha nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Një grua tjetër në postet e rëndësishme në Vatikan, në vazhdën e emërimeve të fundit të Atit të Shenjtë, i cili ka folur shpesh për gjeninë femërore, duke i nxitur edhe organizmat e ndryshme të Vatikanit të përfshijnë gjithnjë e më shumë gra në vende, ku nevojitet e ashtuquajtura “shqisa e tyre e gjashtë”. Jo më larg se dje, Papa Françesku emëroi profesoreshën Lucia Bozzi, pedagoge e së Drejtës Private në Universitetin e Foggia-s, në Itali, si magjistrate shtesë në Gjykatën e Shtet-Qytetit të Vatikanit. Njoftimi u dha nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Lucia Bozzi, sqarohet në notë, është lindur në Romë, më 2 tetor 1996, është diplomuar në jurisprudencë në Universitetin La Sapienza të Romës, në vitin 1991 dhe ka marrë doktoraturën në lëndën e së drejtës private në Universitetin e Pizës, më 1998. Ndër detyrat, që ka mbuluar, ajo e pedagoges në “l'Universite' Cadi Ayyad” të Marrakeshit, në Universitetin e Lirë Ndërkombëtar të Studimeve Shoqërore Guido Carli në Romë, si edhe ajo e pedagoges zëvendëse në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Catania-s, në Itali. Aktualisht, punon si pedagoge e së drejtës private në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Foggia-s. Gjithashtu, është anëtare e jashtme e Njësisë së Vlerësimit të Universitetit Tor Vergata në Romë. Lucia Bozzi ka publikuar edhe shumë artikuj e botime të tjera.

20 maj 2021, 11:15