Videomesazh i Papës Charis, për lutjen e Kishës për paqe në Jeruzalem

Videomesazh i Papës me rastin e Mbrëmësores ekumenike të Rrëshajëve, organizuar nga Charis, në Kishën anglikane Christ Church në Jeruzalem, mbrëmë, më 22 maj.

R.SH. - Vatikan

Komuniteti i besimtarëve, në të cilin askush nuk ishte nё nevojë, dallohej nga dashuria vëllazërore që qarkullonte mes të gjithëve, ky është imazhi të cilit Papa Françesku i referohet në këtë videomesazh, dhe është një imazh që e bën të qartë realitetin e ndryshëm të marrëdhënieve ndёrmjet të krishterët në epokat e mëvonshme.

Eja, o Shpirti Shenjt, eja, ndryshoje faqen e tokës e me të, edhe zemrën time!

…E nisi me një falënderim videomesazhin drejtuar Kishës anglikane Papa, në lutjen Mbrëmësore ekumenike të Rrëshajëve, organizuar nga Charis, në Kishën anglikane Christ Church në Jeruzalem, duke e falënderuar për mikpritjen dhe për mundësinë e realizimit të këtij transmetimi. Së pari Papa falënderoi vëllain e mikun, kryeipeshkvin e Canterbury, Justin Welby, që bashkëndau me kishën katolike një reflektim të bukur kushtuar Shpirtit Shenjt. E falënderoi edhe Charis - Rinnovamento Carismatico Cattolico – i cili e bëri realitet në këtë mbrëmësore – misionin e besuar, që të punojë për bashkimin e të krishterëve, duke ngritur për këtë qëllim, një komision të formuar nga 5 katolikë e 5 anëtarë të Kishave e bashkësive të ndryshme të krishtera.

Natë e jashtëzakonshme  

Kjo është natë e jashtëzakonshme - kujtoi Papa në mesazh - duke shprehur, më pas, një dëshirë zemre: kujtimin e Jeruzalemit, Qytetit Shenjt për bijtë e Abrahamit, duke i marrë për dore besimtarët e duke hyrë së bashku me ta në një dhomë të jashtëzakonshme:

“Mendoj për dhomën sipër, upper room ku, i ftuar nga Ati, Shpirti Shenjt  që Jezusi e pati premtuar pas Ngjalljes, zbret si gjuhë flake mbi Marinë e dishepujt, duke e shndërruar përgjithmonë jetën e tyre e me të, edhe mbarë historinë”.

Mendoj për Kishën e Shën Jakut - vijon Papa – Kishë amë, e para ku nisën të mblidhen besimtarët në Krishtin, Mesinë, Kishë që nuk u zhduk kurrë më nga historia. E jeton edhe sot!

Mendoj për mëngjesin e mëpasëm - kujtoi Françesku në mesazhin drejtuar  anglikanëve të Christ Church – ku qenë mbledhur në Jeruzalem – rrëfejnë Veprat e Apostujve - hebrenjtë e devoçëm të të gjitha kombeve, që janë nën qiell e “plot me habi”, dëgjonin sesi galileasit flisnin në gjuhët e tyre.

E më tutje kujtoi rrëfimin, që përshkruan bashkësinë e besimtarëve në Jezusin: asnjëri nuk ishte nevojtar, sepse gjithçka e kishin të përbashkët. E populli thoshte i mrekulluar: “Shihni si duhen”.

Sa mirë do të ishte që bota të thoshte: “Shihni si duhen!”.

Është më mirë që bota e sotme të thotë: “shihni si duhen!”, apo “shihni si urrehen” e “si grinden”? Po si ndodhi e gjithë kjo? - pyeti Papa – e çfarë kish ndodhur? - Mëkatuam kundër Zotit - ishte përgjigjja - e kundër vëllezërve! U ndamë. Copëtuam çka Zoti e bëri me aq dashuri. Të gjithë duhet t’i kërkojmë falje Atit, të tjerëve e kemi nevojë të falim edhe vetveten.

Sot uniteti i të krishterëve është më urgjent se kurrë

Nëse bashkimi i të krishterëve në dashuri ka qenë gjithnjë urgjent, sot është më shumë se kurrë. Ta shikojmë botën e kapur nga kolera, pasojë jo vetëm e virusit, por edhe e egoizmit, e marrëzive që i bëjnë të varfërit gjithnjë më të varfër e të pasurit, më të pasur. Natyra po arrin në kufirin e fundmë të mundësive të saj për shkak të plaçkitjeve të njeriut. Po, të njeriut, të cilit Zotit i besoi tokën, duke e porositur ta bëjë gjithnjë më frytdhënëse”.

Nata e sontme mund të jetë profeci!

Nata e sontme - vijon Papa në mesazh - mund të jetë profeci, fillesë  e dëshmisë që të krishterët mund t’i japin botës: të jenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit, që u dikua në zemrat tona nga Shpirti Shenjt. Sepse sonte mijëra besimtarë në Jezusin, lartojmë së bashku, nga të katër skajet e tokës, të njëjtën lutje:

“Eja, o Shpirti Shenjt, eja ti, o Shpirt i dashurisë, eja, e ndryshoja faqen tokës e me të, edhe zemrën time!”

Ejani – ushtoi këtë natë të lume, thirrja biblike e Papës -  të ngjitemi në malin e Zotit, në tempullin e Zotit të Jakobit, që të na mësojë rrugët e tij e të mund të ecim në shtigjet e tija! Sepse nga Sioni do të dalë Ligji e nga Jeruzalemi, Fjala e Zotit! Ai do të jetë gjykatës ndërmjet njerëzve e arbitër ndërmjet shumë popujsh, që do t’i copëtojnë shpatat e tyre e do t’i bëjnë palla parmendash, e me shtizat do të bëjnë drapërinj; një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një kombi tjetër, nuk do të mësojnë më artin e luftës (Izaia 2,2-4)

E ashtu qoftë!

23 maj 2021, 08:37