Papa Françesku e pëllumbi i paqes Papa Françesku e pëllumbi i paqes 

Papa: askush nuk mund ta sigurojë e as ta mbrojë paqen i vetëm

Tweet i Papёs Françeskut me rastin e Ditës Ndërkombëtare tё Multilateralizmit, shpallur nga OKB-ja çdo 24 prill. Françeska du Giovanni, nënsekretare e Vatikanit pёr Marrëdhëniet me Shtetet: “Me pandeminë, çekuilibrat e rinj dhe krizat e reja. Për Selinë e Shenjtë është një detyrim moral të ndihmojë komunitetin ndërkombëtar në kërkimin e paqes".

R. SH. - Vatikan

“Si mund të parandalohen konfliktet? Asnjë popull, asnjë grup shoqëror nuk mund ta arrijë i vetëm #paqen, të mirën, sigurinë e lumturinë. Askush! Mësimi i marrë këto kohë nga pandemia të bind se jemi një bashkësi botërore, që lundron në të njëjtën barkë!”.

Këtë na kujton tweeti i Papës Françesku sot, 24 prill, kur kremtohet Dita Ndërkombëtare e Multilateralizmit dhe e Diplomacisë për paqen.

Flitet për paqen, po në botë s’ka paqe!

Të gjithë flasin për paqen, po paqja nuk mund të realizohet nëse nuk shkulet nga shpirtrat inati e urretja. Sepse paqe nuk mund të ketë kurrë, pa drejtësi. Ashtu si nuk mund të ketë drejtësi, pa falje!

Skifteri e pëllumbi nuk mund të rrinë pranë e pranë, pa ia shkulur puplat njëri-tjetrit.

Ashtu si paqja nuk mund të ruhet me forcë: mund të sigurohet vetëm me marrëveshje.

Madhështia e njeriut  qëndron në paqen e shpirtit të tij, kur është në gjendje t’i pajtojë ndjenjat kontradiktore, me vetëdijen se nuk ka kurrë luftë të mirë, as paqe të keqe!

Më e mirë është paqja me bukë e kripë, se lufta me sofrën shtruar!

Paqja, bashkimi, barazia janë armike të ngatërresave politike e të dëshirës për të sunduar mbi gjithçka e mbi gjithëkënd, me çdo kusht!

O paqe! Sa luftëra u bënë në emrin tënd!

Ndaj Papa na kujton se nuk ka popull, grup shoqëror e as njeri, që mund ta sigurojë i vetëm paqen, të mirën, lumturinë. Ndërsa lundrojmë në të njëjtën barkë!

24 prill 2021, 14:18