Papa viziton të varfërit gjatë vaksinimit Papa viziton të varfërit gjatë vaksinimit 

Papa ndërmjet të pastrehëve të vaksinuar në Sallën Pali VI

Françesku viziton papritmas qendrën për parandalimin e Covid-19 në Vatikan dhe përshëndet punonjësit e shëndetësisë si dhe njerëzit, që prisnin vaksinën

R. SH. - Vatikan

Vijon, në Vatikan, vaksinimi i të pastrehëve e, sot paradite, e Premtja e Madhe, pak para orës 10.00, Papa Françesku shkoi për vizitë në Sallën Pali VI, ndërsa po vaksinoheshin disa njerëz të pastrehë a në çaste të vështira, të shoqëruar nga anëtarë të shoqatave të ndryshme romake. Papa i përshëndeti mjekët dhe infermierët, ndoqi procedurën e përgatitjes së dozave të vaksinës dhe u ndal për disa minuta me njerëzit, që prisnin të vaksinoheshin. Kujtojmë se deri më sot janë vaksinuar me dozën e parë  rreth 800, nga 1200 nevojtarë. E vaksinimi do të vijojë për të gjithë.

Me ndihmën e Lëmoshtarisë Apostolike, 1200 të vaksinuar deri ditën e Pashkëve

Vaksinimi  i grupit të madh të njerëzve në vështirësi vijon në këtë Javë të Madhe me nismën e Lëmoshtarisë Apostolike, falë dozave të vaksinës Pfizer-Biontech, blerë nga Selia e Shenjtë dhe dhuruar nga Spitali Lazzaro Spallanzani i Romës. Me këtë gjest - saktësohet në një komunikatë të Lëmoshtarisë - konkretizohen thirrjet e vazhdueshme të Papës që askush të mos përjashtohet nga fushata e vaksinimit kundër Covid-19.  Shërbimin mjekësor për vaksinimin po e kryejnë mjekët, punonjësit shëndetësorë dhe vullnetarët e ambulancës “Nëna e Mëshirës”, vendosur nën Kolonatin e Berninit, në Sheshin e Shën Pjetrit, që i ofruan asistencë më se 1200 të varfërve, nga 96 vende, edhe me tamponë e diagnoza.

 Një “vaksinë pezull”…

“Për ta ndarë së bashku mrekullinë e dashurisë për vëllezërit më të ligshtë e për t’u dhënë atyre mundësinë ta gëzojnë këtë të drejtë”, mund të bëhet një donacion on-line për llogari të bamirësisë së Papës Françesku, që drejtohet nga Lëmoshtaria, në kanalin www.elemosineria.va. Është një lloj vaksine “pezull”, për të pohuar  se të gjithë, siç e ka kujtuar më se një herë Papa, “duhet të kenë të drejtë të vaksinohen e askush nuk duhet përjashtuar për shkak të varfërisë”.

Në janar u vaksinuan 25 të pastrehë

Kjo histori filloi që në janarin e kaluar, kur në Vatikan nisi fushtata e vaksinimit. Që atëherë u vaksinuan 25 të pasterhë, që jetojnë rreth Sheshit të Shën Pjetrit e që  mikpriten në strukturat e Lëmoshtarisë, të pranishme në zonë. Burra e gra mbi 60 vjeç, me probleme të rënda fizike e vështirësi edhe më të mëdha për t’u pranuar në  strukturat shëndetësore kombëtare. Është kjo një ndihmë, që i shtohet angazhimit të cilin, që në fillim të emergjencës shëndetësore, Papa e ka dëshmuar konkretisht duke dhuruar, përmes lëmoshtarisë, makineri për spitalet e Italisë e të botës, e duke u krijuar njerëzve, për të cilët nuk mendon askush, mundësinë e përdorimit të tamponeve.

 

02 prill 2021, 14:04