Shugurimi meshtarak Shugurimi meshtarak 

Papa, meshtarëve të rinj: jini barinj, jo sipërmarrës!

Në Ditën e 58-të botërore të lutjes për thirrjet meshtarake, Papa Françesku kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën për shugurimin e nëntë diakonëve. I porositi të jetojnë me stilin e afërsisë, të mëshirës e të dhembshurisë së Zotit, duke u kujtuar edhe se “meshtaria nuk është karrierë, por shërbim”.

R. SH. - Vatikan

Duke e kremtuar Meshën e sotme në Altarin e Dëshmisë, në qendër të Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku shuguroi nëntë diakonë, në praninë e rreth njëqind besimtarëve, të gjithë me maska, duke përfshirë edhe diakonët. Me Papën bashkëkremtoi kardinali Angelo De Donatis, mëkëmbës i përgjithshëm për Dioqezën e Romës; imzot Gianpiero Palmieri, disa kardinaj, ipeshkvij ndihmës, eprorë seminaresh e famullitarë të të saposhuguruarve.  

Homelia, reflektim kushtuar misionit meshtarak

Ishte reflektim kushtuar misionit meshtarak, homelia që mbajti Papa gjatë Meshës. Mision, të cilit i prin Zoti Jezus, Kryeprift i Besëlidhjes së Re e në Të, mbarë populli i Zotit bëhet popull meshtarak. Ndonëse, ndërmjet gjithë dishepujve të vet, Zoti Jezus zgjedh disa, që ta ushtrojnë publikisht misionin meshtarak në Kishë e, në emër të Tij dhe për dobi të të gjithë njerëzve, ta vijojnë misionin e Tij të mësuesit, të meshtarit e të bariut. E menjëherë pas, Papa kujtoi  kremtimin e sotëm:

“Po i lartojmë sot në urdhërin e presbiteratit këta vëllezër, që në shërbim të Jezusit, mësues, meshtar e bari, të bashkëpunojnë për ta ndërtuar Korpin e Krishtit, që është Kisha, në popullin e Zotit e në tempullin shenjt të Shpirtit”.

Pjesëmarrës në misionin e Krishtit

Më pas Papa iu drejtua të rinjve, në pritje të shugurimit, me fjalët:

“Përsa ju përket ju, bij të dashur, që po merrni urdhërin e  meshtarisë, mos harroni se duke ushtruar shërbesën e doktrinës shenjte do të bëheni pjesëmarrës në misionin e Krishtit: të vetmit mësues. Do të jeni si Ai, barinj, e këtë do Ai nga ju: barinj. Barinj të Popullit Shenjt besnik të Zotit: nganjëherë para, në mes, pas … grigjës, po gjithnjë aty, me popullin e Zotit”.

Kjo nuk është ‘karrierë’: është shërbim ndaj Zotit e popullit

Për t’u kujtuar, më pas:

“Një herë e një kohë… flitej për ‘karrierë kishtare’, e cila nuk kishte kuptimin që ka sot. Kjo nuk është ‘karrierë’: është shërbim ndaj Zotit e popullit… ka një stil, stil që ju duhet ta ndiqni. Stil afërsie, stil mëshire e stil dhembshurie. Ky është stili i Zotit. Afërsi, mëshirë, dhembshuri”.

Katër afërsitë e priftit

Këtë theksoi Papa, duke  shpjeguar më pas, kuptimin e tipareve, që duhet të ketë  njeriu i zgjedhur nga Zoti, për rrugën e meshtarisë. Foli për katër afërsitë e priftit: sepse janë katër. Afërsi me Zotin, në lutje, në sakramente, në meshë”.

Ati i Shenjtë i shpjegoi një për një. Theksoi, së pari, afërsinë me Zotin,  që u bë i afërt me ne në Birin e Tij.

Së dyti, kujtoi afërsinë me ipeshkvin, sepse në të është uniteti. Edhe në çastet e vështira ji pranë ipeshkvit! Po ky ipeshkëv nuk më pëlqen! Të pëlqen s’të pëlqen, ji i përvuajtur, shko te ipeshkvi - i porositi Papa meshtarët e rinj.

Së treti, kujtoi afërsinë ndërmjet tyre! Mos e merrni kurrë nëpër gojë priftin vëlla - u tha - Nëse keni gjë kundër, jini burra. Keni pantallona: shkoni aty e thuajani në fëtyrë. Po kurrë thashetheme. Unitet ndërmjet jush!

Së katërti, pas Zotit, afërsia  më e rëndësishme është ajo me popullin  besnik të Zotit:

“Asnjëri nga ju nuk studioi për t’u bërë meshtar. Studiuat shkencat kishtare. Po ju u zgjodhët nga gjiri i popullit të Zotit. Mos harroni kurrë prej nga vini; nga familja juaj, nga populli juaj…Mos e humbisni kurrë nuhatjen e popullit tuaj. Mos harroni nga erdhët. Meshtarë të popullit, jo klerikë të Shtetit!”.

Më pas Françesku i theksoi edhe një herë fort, të katër afërsitë:

“Katër afërsitë e priftit: afërsia me Zotin, afërsia me ipeshkvin, afërsia ndërmjet jush e afërsia me popullin e Zotit. Stili i afërsisë është stil i Zotit E stili i Zotit është edhe stili i mëshirës. Mos e mbyllni zemrën përballë problemeve. E do të shikoni shumë! Kur njerëzit vijnë t’ju flasin për problemet - humbeni kohën për t’i dëgjuar e për t’i ngushëlluar!.. Ju lutem, jini të mëshirshëm, falni, sepse Zoti fal gjithnjë, nuk lodhet kurrë duke falur. Jemi ne që lodhemi të kërkojmë falje. Afërsi e mëshirë!”.

Stili i Zotit

Ju uroj këtë stil - u tha në vijim Papa meshtarëve të rinj - sepse pikërisht ky është stili i Zotit. E më pas u dha edhe një porosi tjetër:

“Ju lutem largojuni nga kotësitë, nga mendjemadhësia, nga paratë. Djalli hyn nga xhepat! Mendojeni mirë këtë: jini të varfër, si i varfër është edhe populli shenjt i Zotit. Mos jini kacavarës! Në ‘karrierën kishtare’. Se pastaj bëhesh funksionar… E kur prifti bëhet sipërmarrës, si në famulli, ashtu në kolegjin ku ishte, e kudo që të jetë, e humbet afërsinë me popullin, humbet varfërinë, që e bën të ngjashëm me Krishtin e varfër e të kryqëzuar e bëhet ‘sipërmarrës’. Po prifti sipërmarrës nuk është shërbëtor”.

Larg parasë!

Këtë theksoi Papa, duke vijuar t’i porosisë priftërinjtë e ri të largohen nga paraja, të kërkojnë ngushëllim tek Jezusi, nga Zoja - pa e harruar kurrë Nënën. E t’i mbartin Kryqet - në se do t’i kenë në jetë - duke e lëshuar veten në dorë të Zotit e të Zojës. Pa frikë:

“Nëse jini pranë Zotit, ipeshkvit e ndërmjet jush e popullit të Zotit; në se keni stilin e Zotit, mëshirën e dhembshurinë, mos kini pikë frike: gjithçka do të shkojë mirë!”.

25 prill 2021, 12:46