Papa: krishterimi, takim i vërtetë me Krishtin e gjallë
R. SH. - Vatikan
Pas dy javësh të tjera masash kufizuese, mbylljesh e zonash të kuqe, për shkak të pandemisë, Françesku u duk përsëri në dritaren e studios së tij, në Pallatin Apostolik, për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Sheshi e priti me gëzimin e zakonshëm. E Papa i kujtoi se i mungon pikërisht sheshi, domethënë i mungon takimi i drejtpërdrejt me njerëzit.
Pastaj u priu sërisht besimtarëve drejt Jeruzalemit, në të Dielën e sotme, e treta e Pashkëve. E pikërisht në çenakull, siç quhej dhoma e ngrënies. Së bashku me dy dishepujt e Emmaus, të cilët kishin dëgjuar, të prekur thellë, Fjalët e Jezusit gjatë rrugës e pastaj edhe e kishin njohur në të thyer të bukës. E tani, në çenakull, Krishti i ngjallur paraqitet në mes të grupit të dishepujve e i përshëndet, duke u thënë: “Paqja qoftë me ju!”. Një i vdekur, duket në mes të gjallëve, që tremben, duke besuar se “po shikonin një fantazmë”. Atëhere - kujtoi Papa, duke vijuar rrëfimin e dukjes së Krishtit të ngjallur mes të tijve, Ai u tha: “Shikoni duart e mia, e këmbët e mia: jam pikërisht unë! Prekmëni!” E, për t’i bindur, kërkoi të hajë e edhe hëngri, i ndjekur nga shikimet e tyre të çmeritura.
Tri folje konkrete, për të gjetur Krishtin
Kjo faqe ungjillore karakterizohet nga tri folje shumë konkrete, që pasqyrojnë, në një farë mënyre, jetën tonë personale e komunitare: të shikosh, të prekësh, e të hash! Tre veprime - vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e sotme te Mbretëreshës Qiellore- që mund të të japin gëzimin e takimit të vërtetë me Krishtin e gjallë:
“Shikojini duart e mia e këmbët e mia” - u thotë Jezusi dishepujve dyshimtarë. E të shikosh - shpjegoi Papa - nuk do të thotë vetëm t’i ngulësh sytë diku, mbi dikënd. Është diçka më shumë. Ka edhe kuptimin e dëshirës, të vullnetit për t’i besuar tjetrit. Prej këndej, është njëra nga foljet e dashurisë. Nëna e babai e shikojnë fëmijën e tyre; të dashuruarit shikohen sy më sy; mjeku i mirë e shikon pacientin me durim…".
Të shikosh do të thotë të bësh hapin e parë kundër indiferencës, kundër tundimit për ta kthyer kokën mënjanë, për të mos i parë vështirësitë e vuajtjet e të tjerëve.
Dashuria kërkon afërsi
Folja e dytë është “të prekësh”. Duke i ftuar dishepujt ta preknin, për t’u bindur se nuk ishte fantazmë, Jezusi u tregon atyre, e edhe ne, se marrëdhëniet me Të e me vëllezërit tanë nuk mund të mbahen vetëm duke u parë a duke u dëgjuar nga larg:
“Dashuria kërkon afërsi, kontakt, ndarje të të mirave e të këqijave të jetës, Samaritani nuk mjaftohet vetëm me një shikim mbi atë njeriun, të cilin e gjeti gjysëm të vdekur në rrugë të madhe; përkulet, ia mjekon plagët, e ngarkon mbi kalin e vet dhe e çon në bujtinë. E kështu bën edhe vetë Jezusi. Të duash, do të thotë të hysh në lidhje jete, konkrete me Të”.
Gostia eukaristike, shenjë emblematike për bashkësinë e krishterë
E vijmë tek folja e tretë, të hash, që e shpreh mirë natyrën tonë njerëzore, e cila ka nevojë të ushqehet, për të jetuar. Po të ngrënët së bashku, në familje e me miqtë, bëhet edhe shprehje dashurie, shprehje bashkimi, feste - kujtoi Papa:
“Sa herë ungjijtë na e paraqesin Jezusin duke e jetuar atmosferën e sofrës përbashkët! Edhe i Ngjallur, me dishepujt. Deri në atë pikë, sa Gostia Eukaristike bëhet shenjë emblematike e bashkësisë së krishterë”.
I krishteri ka lidhje të vërtetë me Krishtin e gjallë
Kjo faqe ungjillore - kujtoi në përfundim Papa – na kujton se Jezusi nuk është fantazmë, por Njeri i gjallë. E edhe se të jesh i krishterë, nuk është në radhë të parë, doktrinë, a një ideal moral. Është lidhje e gjallë me Të, me Zotin e ngjallur: e shikojmë, e prekim, ushqehemi me Të e, të shndërruar nga dashuria e Tij, i shikojmë, i prekim e i ushqejmë edhe të tjerët, si vëllezër e si motra.
Në përfundim, lutja e zakonshme, që ngroh a freskon atmosferën e të gjitha të dielave të vitit, kushtuar ndërmjetësueses sonë pranë Krishtit të ngjallur, që jeton në ne e me ne:
“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta jetojmë këtë përvojë hiri”.