Papa filipinasve: vuajtët shumë, por feja ju ndihmoi të ngriheni gjithnjë në këmbë

Në një videomesazh me rastin e 500-vjetorit të ungjillëzimit të vendit aziatik, Françesku i falënderon besimtarët, sepse ditën ta dhurojnë, çka kishin marrë falas: jetën dhe besimin në Krishtin.

R. SH. - Vatikan

“Bujarë”, “zemërgjerë”, “popull që e di si bëhet festa e fesë”. Kështu, duke kujtuar edhe takimin e përfundimtar të shtegtimit të tij në Filipine, më 2015,  i rrethuar nga më se 6 milionë njerëz, të pranishëm në Meshën e fundit, i quan filipinasit Papa në një videomesazh, përmes të cilit kujton 500-vjetët e ungjillëzimit të arkipelagut aziatik.

Falënderim Zotit

Ashtu si fjalët, që i prijnë kremtimeve për këtë jubile në të gjithë vendin “Falas morët e falas jepni!”, shkëputur nga Ungjilli i Mateut, janë ftesë falënderimi “për dhuratën e fesë”, kështu Papa e falënderon popullin filipinas “për dëshminë e forcës dhe të besimit në Zotin, që nuk të braktis kurrë”. E edhe për durimin e për kapërcimin e vështirësive në çdo situatë.

T’u  transemtohet feja breznive të reja

Papa e vijon videomesazhin me tri figura, që  karakterizojnë rrënjët e krishtera më të thella në Filipineve: Nazareti, Kryqi e Rrëshajët. Ashtu si Maria e Jozefi e edukuan Krishtin fëmijë me dashurinë për Nazaretin, edhe ju, duke ia hapur portat tuaja “Santo Niño-s”, simbol i arritjes së krishterimit në Filipine, “ua transmetuat e vijoni t’ua transmetoni fëmijëve tuaj  fenë, që e morët nga prindërit tuaj:

“Ju falënderoj për këtë vlerësim të familjes, bashkësi vëllazërore, që ju mban të lidhur e të fortë në fe, të gëzuar në shpresë e të gatshëm në bamirësi”.

Mbartës të Kryqit

Barinjtë e besimtarët, “popull i Zotit shtegtar në Filipine”, për Françekun janë edhe popull që di ta shoqërojë Jezusin gjatë gjithë Udhës së Kryqit, ashtu si Kireneu:

“Sa çaste të vështira jetuat! Mendoj posaçërisht këto vite të përgatitjes së shpejtë të Jubileut; tërmete, tufane, shpërthime vullkanike e, pastaj, edhe pandemia e Covid -19. Por, pavarësisht nga dhimbja dhe shkretimi, ditët ta mbartni Kryqin e të vijoni udhën. Vuajtët shumë, por edhe u ngritët përsëri në këmbë, përherë!”.

Maria nuk braktis

Figura e fundit është ajo e Rrëshajëve, e rikujtuar përmes figurës së Marisë, gjithnjë pranë Jezusit: në Nazaret, tek këmbët e kryqit e kur Shpirti Shenjt u mor nga Apostujt, për t’ia kumtuar Ungjillin botës. “Maria është gjithnjë edhe pranë jush! Është Nënë, që nuk e braktis kë e shoqëroi deri këtu”- kujton Papa - duke i kërkuar të ndërmjetësojë “për këto Rrëshajë të reja të Kishës në Filipine”.

Të japësh e të marrësh falas Jezusin

“Jam dëshmitar” - pohon Françesku - i aftësisë suaj për transmetimin e fesë. E e këtë e bëni mirë, si në atdheun tuaj, ashtu edhe jashtë tij”. Keni dëshirë të ungjillëzoni, tua transmetoni fenë të tjerëve, t’u çoni shpresën dhe gëzimin e Ungjillit”. Mision, që populli i Filipineve mund ta kryejë jo vetëm, por i shoqëruar edhe nga dy Shenjtorë të mëdhenj të këtyre trojeve: Shën Pedro Calungsong e Shën Lorenci Ruiz. “Dy shenjtorë katekistë”- kujton Papa në përfundim të videomesazhit “që ditën ta japin falas, çka falas e kishin marrë: jetën dhe fenë në Krishtin!”.

04 prill 2021, 11:26