2021.04.19 Ordinazione Sacerdotale, sacerdoti, Papa Francesco in Basilica San Pietro 2019.05.12 2021.04.19 Ordinazione Sacerdotale, sacerdoti, Papa Francesco in Basilica San Pietro 2019.05.12

Papa do të shugurojë nëntë meshtarë për dioqezën e Romës

Të dielën, më 25 prill, Papa Françesku do të kryesojë meshën për shugurimin e një grupi diakonësh me kombësi të ndryshme, formuar në Romë. Kremtimi, të cilin Ati i Shenjtë do ta kryesojë në Shën Pjetër, do të transmetohet drejtpërdrejt nga Vatican Media, Telepace e Tv2000

R.SH. - Vatikan

Gjashtë nga Seminari i Madh Papnor Romak, dy nga kolegji dioqezan “Redemptoris Mater”, një nga Seminari i Zojës së Dashurisë Hyjnore. Në këto institute të dioqezës së Romës, nëntë diakonë kanë përfunduar rrugën që të dielën, më 25 prill, do t’i shugurojë meshtarë nga duart e Papës Françesku, në orën 9.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Këto ditë, diakonët, që vijnë nga vende të ndryshme të botës, janë në ushtrime shpirtërore.

Në shenjën e don Boskos

Në një deklaratë, Vikariati i dioqezës së Romës pasqyron jetën dhe historinë e thirrjes së secilit prej tyre. Georg Marius Bogdan, me origjinë nga Rumania, tregon dëshirën e tij për t’u bërë meshtar që fëmijë, i frymëzuar nga historia e Shën Gjon Boskos. Themeluesi i salezianëve përcakton edhe historinë e Salvatore Marco Montone, 32 vjeç nga Kalabria, i cili tregon për një kremtim pagëzimi, kur meshtari, pasi vendosi rrobat e bardha për fëmijët, e mbuloi me një stolë.

Me mëngë të përveshura

Salvatore Marco, që e ka kaluar fëmijërinë në oratorin e salezianëve në Spezzano Albanese, e dëgjon thirrjen natën “gjatë adhurimit eukaristik në kishë”, ndërsa përvoja në gjirin e Karitasit dioqezan e bën të kuptojë forcën e shprehjes aq të dashur për Papën Françesku, atë të “kishës si spital fushor”. “Në një farë mënyre - pohon ai - ishin duart e Kishës së Romës që arrinin deri tek më të varfrit”. I bindur për këtë është edhe Diego Armando Barrera Parra, një kolumbian 27 vjeçar, i cili, që kur ishte krejt i ri, bënte vullnetarin në një burg për të mitur dhe në një fondacion për të ndihmuar të droguarit. “Atje - nënvizon ai – më lindi dëshira për të ndihmuar e për t’i shërbyer të afërmit përgjithmonë”.

Dashuri pa interes

Më i riu ndër nëntë diakojtë është Manuel Secci, 26-vjeçar nga Roma, rritur në famullinë e Torre Angela-s, ku thirrja e tij u ushqye nga bashkësia dhe përvoja brenda saj. Salvatore Lucchesi, sicilian 43 vjeçar, konsiderohet “thirrje e vonë”, por në të vërtetë, siç tregon vetë, ai ndieu se duhet të bëhej meshtar që në moshën adoleshenciale, për t’u transferuar në universitet në Romë e për të zbuluar dashurinë pa interes të Zotit: “Hyji ishte aty e nuk më kërkonte asgjë”.

Futbolli vjen mbrapa

Ndërkaq është brazilian, 29 vjeçari Mateus Enrique Ataide da Cruz, i cili ndodhet në Romë që prej shtatë vitesh për të frekuentuar Seminarin e Zojës së Dashurisë Hyjnore. Në moshën 15 vjeçare, ndërsa ndihmonte një të moshuar për të mësuar kompiuterin, iu desh të lutej “bashkë me të e të thoshte Rruzaren”. Fillimisht, tregon ai, e përjetoi këtë si imponim, por më pas, u kthye në domosdoshmëri. Pastaj vjen Riccardo Cendamo, një 40 vjeçar me ëndrrën të bëhej regjizor, profesion, që e ushtroi për disa vite, për të kuptuar se duhej të ndërmerrte një rrugë tjetër. E së fundi, Samuel Piermarini, 28 vjeç, futbollist me perspektivë, që mbahej nën vëzhgim nga skuadra e Romës e që, një hap larg kontratës, i thotë trajnerit se nuk do ta nënshkruante. Historia e tij ndryshon rrënjësisht e tani, duke menduar për shugurimin e së dielës, thotë “Mezi pres!”

19 prill 2021, 16:21